LAKU I ASHTIT TONË

0
448
Mustafa Spahiu

Nga Mustafa SPAHIU

DO JESH ME NE ATY
NDAJ TË GDHIRË

Do jesh me ne aty ndaj
të gdhirë para shtrezes
(kujtoje tokën që të lindi)
i paqësuar me mëshirën
e fatit – lule akësi –
midis natës që (s) na zbulon;
a të shkon përdore ta zgjidhish
shpejtësinë e lidhëses –
gjurmat e irnuara i kujton
gjatë nën lulen e rrënjëve
kur situata të përmbyset
në dobi të ndonjë dushmani
mbështetu e pehatu virgjër,
vocërrakët i rrëzojnë somnambuj
foletë e tingujve me shapullat
e erës, mos u përkul, as mos rri
delikat si luledejtë me sy
nga udha njëkohësisht e dendur…
Frika, kënga dhe kuajt e marrin
Diamantin e diellit nën ujërat
E lashta prej plaskomave të frikës,
përtej plisave të blertë
prej gjetheve të barit – bari n’agim
fare i kositur si lulëkuqet
në lulëzim kumak i dëlirë…
A don të këndosh kur dita
rrokulliset në natë këmbëprerë;
guxojnë të të dëgjojnë edhe
ata që kurrë s’të dëgjojnë!
Kur ta përmbytish hijen lile
ne sixhadet e serpentinave
kërkoje një pejsazh pa gjumë
në Qafe Kërrabë, lumi blu i
Erzenit të ngelë në të djathtë
dhe vetëm prej vetvetes
do të shpjegohet që ekziston
vetëm një anë e vetme e botës.
Shiut nuk i duhet formula e
reshjes së shiut pas qelqeve
të thyera të ditës, kotekot
meteorologu nga kabineti
rétë i numronte si velanije
ujëvares si duhet asnjë
formulë e zhumhurshme!

E mërkurë, 13 maj 2020
Dardaninë Ilire

LAKU I ASHTIT TONË

Po kush të mësojë ta lidhish
lakun e ashtit tonë gjurmëve
të jetës prej tingujve të shurdhër
po kush t’i pëshpëriti vargjet
(kurse qafa lumë i palodhur
nën lak do ta kuptojë pengun
sa më peshon prapanica bosh),
të stërurtit thonë se laku shërben
për tërheqjen e trungjeve të blerimeve të vunuara
ose të njê lënde tjetër, sepse mjaft
shtrëngim ekstrem në nyjen e parë
(kur ninulloheshin ninullat e gurit
me fjalën e paepur të atij burri –
zjarr fshehtësie te gjuha e detit),
ai, stërurtaku e dëgjonte baladën,
vetë blinishten e bjeshkës,
kjo s’është balada e cubave
me pushkë të shkurta me qorrfishek;
me eshkë, masat e gur brince, e –
lidh të kaluarën dhe hakmarrjen,
stërurtaku është si nje kalë
gjallesë tepër fisnike, i ndërmend
përplot pyjet e frashnjetit, i përhiren
hijet e kaktusve në të cilin është
therrosur hëna e irnuar në qytetin
xhuxh të botës Madùrodam
s’ka kujt t’i hakmerret, vetëfajtor
është për çdo gjë, dora drithërrohet,
kurse dora është më se e sigurtë
sikur ta lidh udhëtimin në nyje,
të mos arrish asgjëkund, të lëvaresh
në këtë botë i shtangosur!!!
Sa dashuri vogëlake duhet të shpëtohen
stina e acartë e aksionit
të ashtuquajtur për grumbullimin
e armëve të LDB nga PKJ, me
urdhërin e kryexhelatit A. Rankoviq,
nacionalisti më i përbetuar për zhdukjen
e “shiftarëve” në “Kosmet”!
dhe
“I varuri i këndonte lirisë” në dimrin
e viteve 1955/1956, në nallbanhanen
e fshatit Toponicë të Anamoravës,
mësuesi Sait Zubaku, që ia kërkonin
stilografin-armë dhe shkumësin
nga torturat ia vuri qafës së vet
l a k u n!?!

E martë, 27 prill 2020
Dardaninë Ilire

KY LUMË DERDHET NË VETVETE

Çudi, ky lumë derdhet në vetvete,
kërcënimi që përvidhet tinëz,
nata plakosi dhe ne s’e shohim
si ai ujë vjen rretherrotullë,
shumë sekrete për jetën s’do
mund t’i zbulojmë të punës, e po çka, si the po çka,sa njerëz
kanë ndërruar jetë duke mos
e ditur që trupi tyre përbëhet
prej qelizave,
që gjeni e bartë buzëqeshjen
e çobaneshës, si, pse, çka!
Lakmimadhja për diturinë, po
dashuria ku ngeli, për dashurinë
është fjala – dryri i heshtjeve –
këtu, ai lumë, për ne s’do ta
zbulojë fshehtësinë e vet deri
në amshim, disa hamendësohen –
as pastaj, mbi qerren e re të
prillit me kuajt prej rrezeve
(muaj i datëlindjes sime)
asnjëherë se kam festuar!
oh, çfarë kënge e tmerrshme,
sinqerisht po ju them s’dua
për te të di asgjë, sepse –
më pëlcet fshikëza e vrerit!

Zogjtë e natës tmerrohen,
si nallbanët mëngjërash
Kur e mbathin hënën palare
me potkonj agimesh…

E martë, 21 prill 2020
Dardaninë Ilire

MOS E VRAJË ATË EGËRSIRË

Kur pakëz të ngritesh majë gishtash
do ta shikosh qartë
fytyrën tënde, me xixa stralli

nyjen e vdekur
(gordiane)
shërben që njeriu ose druri
fortësisht të lidhemi e shtrëngohen pa frikësim
se nyja do të zgjidhet,

mos e vrajë atë egërsirë
do ta shohish
çehren tënde;

sepse pranë forcës së madhe
që vepron në nyje
forcërisht shtrëngohet,

tani s’ka më mal të lashtë
në të cilin mund për t’u fshehur

shumë mirë është i dobishëm
dhe i sigurtë me rastin e parë
të shpëtimit e personave fatkob
ose ngjitjen nëpër terren shpatak!

Nëse e vret
i vranë të gjithë paraardhësit e tu
dhe kështu ende të pa lindur
do jesh fajtor që askush
dot si ka shpëtuar
h i s t o r i s ë!

E martë, 21 qershor 2020
Dardaninë Ilire

ARRATISJE NGA E VËRTETA

Poezia është arratisje
nga e vërteta,
kjo është këngë e harrimit,
thuaja këte shefit të zyrës
së rimave të ngritura oazash,
lehtë mëson që të fshihesh
prej jetës – fluturim kolibri
(shpendi i qiellit kërcen prej
réje në ré!)
Prite Zot!, kujdestarin e metaforave, gazeles i kthehet
bukuria e Dylber Gjelinës,
përsosshmërisht skajohesh
prej përgjegjësisë së cenzorit,
Erih From – i rreptë ngulmonte
Arratisje prej lirisë, s’e ke
dëgjuar në kohën e duhur
dhe tani s’ke fajshlyerje, ë?

Pjesa më e bukur e jetës
ka qenë ajo kur të mërzitej
shpirti që bezdi pa triumf…
Kur përjetimet kanë qenë
si larat në orën maje lisi,
mbërthecka e stolisur shërben
për ta përforcuar litarin deri
në brez sa të largohet dreni
ku zhgërrehen rrufetë –
hijet e gërshetuara nëpër
kurorën e akacjes me kumak,
ndofta mund të shërbejë stoli;
shiriti i Melises nëpër të cilin
rrëshqet shpirti joti,
jeta gjithnjë është e gatshme
për kohërat më të bukura,
që në rrethin e amshuar
(nuk shtrohet sixhadeja prej
zjarri e prushi, nga hiri merr
flatra zogu i zjarrtë Fenixi).
Atje ku gjendesh, dhe atëherë
kur je i tëri dhe i bëri.
Derdhi tëra ato çerdhe harfash
dhe
mos i vë në gjumë treqind vjetësh
me tinguj këmbanash
peshqit e artë të shpresave…

Kjo (s)është arratisje prej të
vërtetës, as prej rimave dhe
metaforave të këngës…

E martë, 21 prill 2020
Dardaninë Ilire

FLAKA E GJELBËRT

Vetëm ta shikosh flakën
e gjelbërt të gjetheve
po tunden kumbonaret
më të gjelbërta se bari
gjethet po rrotullohen
galavinë si sorkadhëzat
mbi shpinë me kolibrat
e dashurisë unazave të
ngushta e blerta të grykave
ku thuren kurorat prej
puthjeve e lule-specie të rralla…

Po kallen bjeshkët e gjelbërta
rend me rend po ndizen trupat
e vashave të gjelbërta fshehur
nën jaseminët rriskat e ylbereve
edhe mëkatet janë gjelbëruar
karkalecat janë bërë për çudi
më të gjelbërt përrenjtë shih!,
po stërkalin me ajkën e blertë;
pranvera është magjepsur në
ballin e anamoravaseve të mia!

Edhe fyejt e mëngjeseve po
nxjerrin tinguj të gjelbërt, unë
djelmoshat magji po vrapojnë me
thëllëzat e laureshat e blerta…
Vigani i gjelbërimit i hapi burimet
uji tyre i cemtë po të bën riosh
duke të veshur rrobesh agimi –
mjegulla po bjen e po çohet
luginave me erën e pastërt se
ninëzat e Firdauses ngjyrë
të gjelbërt vjollce Bylbylja
po noton nëpër lumin Marga
me brigje te verdhura blerimi…
Pogaçet e dasmës së blertë
po gatuhen për lindjen e parë
e të buhishme anamoravaset
janë gravide me princin e ri
të gjelbërimit – deti i blerimit
po i tund dallgët e mirësise…

Presim lindjesimin e flamurit
të ngadhnjimit në parkun e
burbuqeve të gjelbërta –
foshnjet do t’i pagëzojmë:
Blerim e Blerina…

E premte, 24 prill 2020
Dardaninë Ilire