LAJM I MIRË: NË TIRANË DOLI NUMRI I PARË I REVISTËS LETRARE “ILLZ”…

0
1008

Nga: Prof. Murat Gecaj

Kisha hyrë në librarinë e vogël, “Kulturë, Art, Sport”, pranë Bibliotekës Kombëtare të kryeqytetit, për të marrë disa libra të rinj, dhuratë nga bashkëkrahinasi im, publicisti e shkrimtari Zeqir Lushaj. Sakaq, u përballa me kolegun e mikun Rexhep Shahu, me të cilin jemi takuar në sa e sa përurime librash dhe veprimtari tjera, në kryeqytet. Ai iu drejtua punonjëses se librarisë, Arta Zeneli, se do të merrte nga rafti një numër të revistës së re, me emrin simbolik “Illz”. Pastaj, ai bëri aty një shënim dashamairës e ma dhuroi. Sigurisht, e falënderova dhe e urova, aq më tepër se atë po ma jepte kryeredaktori i kësaj reviste.

Të jem i sinqertë me lexuesit, ishte hera e parë që e mora këtë informacion të gezueshëm dhe vetë revistën e re “Illz”, që e ka përgatitur dhe botuar “Klubi i Poezisë”, në Tiranë. Në bordin e saj bëjnë pjesë poetë e shkrimtarë, profesorë e akademikë etj., nga trojet shqiptare dhe më gjerë.

* * *

Duke e hapur me kënaqësi numrin e parë të revistës së re “Illz”, mësojmë se drejtor i saj është Izet Duraku, sponsor Flamur I.Hoxha dhe me dizenjim të logos e ballinës së saj, nga studenti Enis Dibrani, nën drejtimin e prof. Xhavahir Kolgjinit-Prishtinë.

Kureshtjen tonë, për përmbajtjen e kësaj reviste, na e shuan me “Hyrjen” e tij, Izet Duraku. Ndër të tjera, ai shkruan: “Me revistat “Shejzat” e “Hylli i Dritës”, “Illz” ka të ngjashëm emrin dhe misionin, që bashkohet, si edhe në media të tjera letrare, te fjala “dritë”, që do na duhet për të parë më mirë synimet tona, për qartësi mendimi e bukuri diejeje e vërtetësie.

E ardhur nga thesaret dialektore të shqipes, “illz” do që të shprehë me përulje nderimin për rrënjët tona më të hershme”. Ndërsa, më poshtë, ai vazhdon: “Illz”, si revistë letrare e Tiranës, do të jetë e hapur për të gjitha gjinitë letrare: poezi, prozë e dramaturgji. Vend të rëndësishëm do të zenë: studimet, kritika, esetë dhe vlerësimet për veprat më të mira, të botuara në hapësirat shqiptare në Ballkan, në diasporë dhe jo vetëm…”.

Pa patur qëllim të përmendimin 37 autorët e poezive ose shkrimeve të botuara, shoqëruar edhe me portretet e tyre, në këtë numër të ri të revistës “Illz”, shënojmë se ajo hapet me poezitë e Ismail Kadaresë: “Dreri” e “Në natën plot acar”. Poezi janë botuar edhe nga autorët: Pjetër Bogdani, Havzi Nela, “Nga lutjet e Nënë Terezës”, Gjergj Fishta, Luljeta Lleshanaku, Petrit Ruka, Skënder Buçpapa etj.

Me interes për lexuesit janë edhe studimet e kritikat dhe pjesët në prozë e shqipërmet nga mjaft autorë, si: Luan Rama, Floresha Dado e Shaban Sinani, Edison Ypi, Mehmet Kraja, Thanas Medi, Miftar Spahija Thaçi,Kosta Haxhiantoniu, Ardian–Christian Kyçyku, Lazër Stani,Zija Çela, Eqrem Kryeziu, Behar Gjoka, Ermira Ymeraj,Hysni Ndreu, Halil Matoshi, Xhavit Beqiri e të tjerë.

Në tërësi, revista përbën një risi në mjedisin e botimeve tona, si në Shqipëri e trojet tjera amtare, por dhe për diasporën shqiptare, në përgjithësi. Mendojmë dhe shpresojmë që ajo do të mirëpritet nga krijuesit e lexuesit tanë dhe, sigurisht, shumë prej tyre do të bashkëpunojnë me të, në numrat e ardhshëm.

Në mbyllje të këtij shkrimi informues, e urojmë dhe e përgëzojmë redaksinë e revistës “Illz”, për numrin e parë të saj dhe i urojmë asaj rrugëtim të mbarë!

Për lexuesit e interesuar, e-maili i kësaj reviste është: [email protected]

Tiranë, 4 tetor 2016