Nga Frank Shkreli
Unë nuk e di se ku qendron e vërteta mbi këtë çështje, por i vjen një erë shumë e keqe: nëse është pranuar ose jo propozimi i Serbisë për të regjistruar Lahutën si instrument të saj në UNESCO, si pasuri e saj kulturore. Qeveritë dhe Ministritë e Kulturës gjatë viteve kanë një reputacion me të cilin nuk mund të krenohen, përsa i përket ruajtjes, mbrojtjes dhe kultivimit të kulturës së lashtë dhe të re shqiptare – si në nivel kombëtar dhe ashtu edhe në atë ndërkombëtar – siç pasqyrohet edhe nga ky rast.
More, ja merrte kujt mendja se serbët do të përvetësonin lahutën si pjesë e trashëgimisë së tyre? Po, kështu kanë vepruar gjithmonë këta, në kurriz të tjerëve. Hajdutë kanë qenë gjithëherë. Por, se serbët do t’a merrnin lahutën prej nesh pa “zbrazur asnjë fishek” në mbrojtje të pasurisë sonë kulturore, kjo nuk mund të merret me mend. At Gjergj Fishta do të rrotullohej në varr, por fatkeqsisht, varrin nuk ia dimë dhe eshtrat ia hodhi Enver Hoxha në lum. Edhe ai i kishte kënduar Lahutës – Lahutës së Malësisë.
Për hir të së vërtetës duhet shënuar se Ministria e Kulturës e Republikës së Shqipërisë ka përgënjeshtruar lajmin e përhapur në media një ditë më parë, se lahuta është njohur nga UNESCO si trashëgimi kulturore e Serbisë. Në deklaratën e saj thuhet se, “Asnjë vendim nuk është marrë dhe në asnjë rast Komiteti Ndërqeveritar për Ruajtjen e Pasurisë Jomateriale të UNESCO-s nuk është shprehur, siç cilësohet gabimisht në disa media, se ‘lahuta nuk është shqiptare, por serbe'”, thuhet në reagimin e Ministrisë së Kulturës.
Ministria e Kulturës shpjegon se “Praktika kulturore e “Të kënduarit me lahutë” është historikisht e pranishme dhe është një praktikë kulturore e gjallë në një zonë shumë të gjerë të Evropës Juglindore, jo vetëm në Shqipëri, Kosovë, por edhe në Mal të Zi, në Bosnje-Hercegovinë, Kroaci, etj. Të kënduarit me lahutë është nga ato raste kur mund të zbatohet propozimi shumëkombësh bazuar në faktin se ato vende ndajnë praktikën kulturore në fjalë si një traditë historike dhe dukuri kulturore të gjallë dhe asnjë vend nuk përjashton tjetrin”, sqaron më tej ministria.
A është kjo mbrojtja më e fortë që Ministria e Kulturës mund t’i bëjë lahutës si një instrument i lashtë i Shqiptarëve. Ndoshta, sipas deklaratës së Ministrisë shqiptare, ende nuk është marrë vendimi nga Komiteti Ndërqeveritar për Ruajtjen e Pasurisë Jomateriale të UNESCO-s, por Ministria shqiptare nuk e mohon se UNESCO do e njohë lahutën si trashëgimi kulturore e Serbisë, me justifikimin se të, “kënduarit me lahutë është historikisht e pranishme dhe është një praktikë kulturore e gjallë në një zonë shumë të gjerë të Evropës Juglindore, jo vetëm në Shqipëri, Kosovë, por edhe në Mal të Zi, në Bosnje-Hercegovinë, Kroaci, etj. Të na rrojë internacionalizmi proletary i Enver Hoxhës.
Ky konfuzion është rezultat i papërgjegjësisë zyrtare dhe një arrogance që është bërë traditë tanimë për të zbardhur të vërtetën, e që zmadhohet edhe më shumë nga shkrimet hamendëse në medien publike, pikërisht për arsye të mungesës së informacionit të sakt. Ja disa nga titujt në median shqiptare, në Shqipëri dhe në Kosovë, në lidhje me propozimin e Serbisë për të regjistruar Lahutën si instrument të Serbisë: “Lahuta serbe në UNSECO”; “Lahuta shqiptare është gati npër në UNESCO”; “Ministria e Kulturës -UNESCO-s: Lahuta është e jona”; “Lahuta njihet si trashëgimi e Serbisë”; “Lahuta Trashëgimi e Serbisë? “Vendimi sklandaloz i UNSECO-s”; “Lahuta gati për UNESCO, mungon lobimi”; “Lahuta është shqiptare apo serbe?”; “Ministria e Kulturës: S’ka asnjë vendim nga UNESCO”; “Lahuta Shqiptare e penalizuar nga Kosova”; “Lahuta s’është shqiptare, por serbe”, e të tjera.
Në të vërtetë, ky ka qenë gjithmonë dhe është objektivi përfundimtar i sllavëve, i grekëve dhe i turqëve, që më së pari të mbjellin dyshime dhe konfuzion në radhët e vet shqiptarëve mbi identitetin e tyre kombëtar dhe kulturor, si dhe mbi historinë dhe prejardhjen e tyre. Kështu kanë bërë ata dhe vazhdojnë të mbjellin dyshime — madje edhe me ndihmën e vet shqiptarëve — edhe mbi figurën e Heroit Kombëtar të Shqiptarëve, Gjergj Kastriotit – Skenderbeu dhe për identitetin kombëtar të Nënë Terezës.
Edhe kjo na ka munguar! Armiqtë e Kombit shqiptar, tashti duan edhe Lahutën – simbolin e lashtësisë së Kombit shqiptar — pasi na morën ose më mirë të themi pasi ua dhamë dhe po u japim tokat tona, detin dhe tashti po u dorëzojnë edhe një pjesë të identitetit të kulturës kombëtare. Edhe ajrin për të marrë frymë, do të ua mohonin shqiptarëve këta, gjithmonë sipas orekseve dhe interesave të tyre politike, fetare, ideologjike dhe historike, të momentit.
Çdo gjë e shenjtë shqiptare duket se është në shitje, në ankandë. Serbia do tokën shqiptare, se nuk ka marrë mjaft gjatë 100- vjerëve të kaluar. Tashti do të përvetësojë edhe Lahutën, simbolin më të njohur të lashtësisë së Arbërit. Prisni edhe pak se shpejt Akademia e Shkencave e Serbisë do të pretendojë se edhe xhubleta, veshja e grave malësore ç’prej epokës ilire, do të kërkojë ta regjitrojë në UNESCO si trashëgimi kulturore serbe dhe askush nuk do të shqetësohet për këtë punë.
Turqia pretendon se “Kosova është Turqi” dhe kërkon me ngulm ndryshim të historisë shqiptare, ndërsa Greqia ka marrë Çamërinë, do të marrë detin dhe nuk heq dorë nga i ashtuquajturi Epir. Çdo ditë, popat e Kishës ortodokse serbe përpiqen të përvetësojnë gërmadhat e kishave shqiptare në trojet shqiptare nën Mal të Zi, sikur të kenë qenë të tyre, historikisht, aty ku asnjëherë nuk ka ka shkelur këmbë e serbit. Nëqoftse shqiptarët nuk i dalin zot historisë së tyre, të tjerët do e përvetësojnë, siç është rasti i trashëgimisë kulturore me lahutën.
Më e keqja e kësaj situate të mjerueshme është se të gjitha këto po ndodhin në heshtje ose me marrveshjen e kësaj klase politike shqiptare sot, ose si trysni ndaj Shqipërisë dhe shqiptarëve. Keni venë re ndonjë reagim nga zyrtarë të lartë ndaj këtyre hajdutlleqeve e pretendimeve antishqiptare nga Tirana dhe nga Prishtina? Hiç, përkundrazi! Tirana dhe Prishtina zyrtare sillen me këto tre shtete, si shtete “strategjike”, ose si “popuj miq”, siç i quante Enver Hoxha — gjithmonë sikur fajin për gjithçka e kanë shqiptarët. Shqiptarët vazhdojnë të japin e të japin ndërsa këto tre shtete nuk ngopen duke vjedhur nga shqiptarët, madje edhe trashëgiminë kulturore, siç është instrumenti muzikor, Lahuta. Është për të ardhur keq, “për ca zuzarë, që u lindën shqipëtarë”, siç ka shkruar dikur Faik Konica e të cilët,
“S’na lënë dhe ne të tjerët,
T’dalim nga gjum’i errët,
Po ç’dëgjojnë ven’ e thonë,
E ç’shohin e tradhëtojnë
Eshtë turp prej kësi krimbash
Të mundohet një komb trimash”
Për çdo shtet normal, mbrojtja e historisë, e heronjve kombëtar si Gjergj Kastrioti-Skenderbeu dhe mbështetja e identitetit historik kombëtar nga sulmet dhe nga pretendimet e të huajve, janë çështje të shënjta të mbijetesës dhe të sigurimit kombëtar, të vet ekzistencës së kombit dhe vazhdimësisë së tij. Përgjegjësia numër një e një qeverie dhe e përfaqësuesve të saj është që të mbrohet historia, trashëgimia kulturore dhe identiteti kombëtar, ashtu siç do të mbrohej kufiri tokësor e detar, në rast të një sulmi ushtarak. Pse heshtin këta njerëz! Pse heshtin historianët shqiptarë? Ku është zemërimi?
Në Malësitë tona dikur, shtëpia pa pushkë e pa lahutë nuk konsiderohej shtëpi. Në shtëpinë ku kam lindur e jam rritur unë, kishim tre lahutarë. Gjyshin tim Lukë Tomën e Shkrelit dhe axhën Gjergjin dhe më vonë djalin e axhës Vasel Shkrelin, i cili e vazhdon këte traditë të familjes tonë edhe këtu në Amerikë, si më poshtë, i cili i ka kushtuar këtë këngë lahutës, si instrument i traditës e i trimërisë, si një instrument që ka mbajtur gjallë historinë dhe trashëgiminë e shqiptarit në vatrat stërgjyshore të kullave shkëmbore tona, si një instrument i bekuar e i lashtë arbëror, i cili u ka zgjatur jetën heronjve, sipas fjalëve të lahutarit:
https://www.youtube.com/watch?v=iEay5gMwtUI
https://www.youtube.com/watch?v=NmJODhiKkT4
Sulmet kundër identitetit të shqiptarëve dhe trashëgimisë së tyre historike dhe kulturore po bëhen gjithnjë e më kërcënues, për ata që kanë sy për të parë dhe veshë për të dëgjuar. Ku janë mbrojtësit e visarit dhe të trashëgimisë shpirtërore dhe kulturore të Kombit Shqiptar, kësaj race iliro-trake, bartës të ligjëshëm dhe historikë të traditave shekullore të saj. Pse nuk ngrejnë zërin në mbrojtje të vlerave të trashëgimisë kulturore të Kombit, para se të bëhet vonë? Sot, Lahuta vajton fatin e saj. Lahuta duhet të shpëtohet ashtuqë të këndojë përsëri për Shqipëri dhe për Shqiptarë!
UNESCO eshte nje klub, ne te cilin klub dikush regjistron diçka… pune e madhe.
Siria eshte ne UNESCO qe nga viti 1946 dhe UNESCO e shpetoi qytatin antik 3 mije vjeçar Palmyra …pa u shkaterrue… apo!???????!!!!!!
UNESCO eshte klub i parendesishem…
Komentet janë mbyllur.