DY LAJME TË MIRA PËR AT GJERGJ FISHTËN NË KUADËR TË 148-VJETORIT TË DITËLINDJES SË TIJ
Nga Frank Shkreli
“Ndihmom Zot si më ke ndihmue, pesëqind vjet kishin kalue…” Një lajm i mirë vjen nga Franca. Lahuta po shtegton botën. Lahuta e Macisë e At Gjergj Fishtës së madh, tani flet edhe frëngjisht. Para disa ditësh u përhap lajmi i mirë se Epopeja Kombëtare e Shqiptarëve, “Lahuta e Malcis“. “Une épopée albanaise…”, e At Gjergj Fishtës, është përkthyer nga shqipja në frëngjisht nga Abidin Krasniqi dhe është botuar nga Shtëpia botuese, L’Harmattan’s, ndër më të mëdhatë e Francës.
Përkthimi i Lahutës së Malcis në frëngjisht erdhi pas përkthimit në anglisht të Epopesë Shqiptare, disa vite më parë, nga albanologu i njohur, i ndjeri Robert Elsie dhe Janie Mathie -Heck, sponsorizuar nga komuniteti shqiptaro-amerikan në Michigan të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Më heret, kjo vepër e Fishtës ishte përkthyer edhe në italisht dhe në gjermanisht. Albanologu austriak Maksimilian Lambertz dhe përkëthyesi në gjermanisht i Lahutës e ka cilësuar me të drejtë Lahutën e Malcis si “Lahutën e Homerit Kombëtar të shqiptarëve” Kështuqë, tani, në katër gjuhët më të njohura, do të njihet më mirë jeta dhe vepra e Fishtës, nepër botë. Nepërmjet këtyre përkthimeve në gjuhët më të njohura, lexuesi evropian dhe më gjërë, do të njohë At Gjergj Fishtën.
At Gjergj Fishta në moshë të re
Duke lexuar Fishtën, e sidomos Lahutën e Malcis, lexuesi do të “Mund të njohë humanistin, atdhetarin, Burrin e madh, pa varr, por jo pa lavdi. Poetin, veprat e të cilit u flakën njëmijë herë në baltë nga kundërshtarët, e u ngritën njëmijë herë në qiell nga dashamirët. E sidomos, Lahutën! E ndaluar, e pështyrë, e djegur, e fshehur në skutat më të errëta të shtëpive të moçme e në kujtesat e njerëzve, ajo doli e del përsëri në dritë, për t’i folur Shqipërisë e edhe botës”, siç është shprehur në një program kushtuar Fishtës, Radio Vatikani.
Albanlogu i njohur, i ndjeri Robert Elsie dhe përkthyesi nga shqipja në anglisht i Lahutës së Malcis, ka shkruar se, “Lahuta e Malcís është një kryevepër, e cila zë vend në radhën e eposeve të mëdha botërore. S’ka lexues që të mos e pëlqejë”, sipas tij, “E kemi fjalën për lexues, që kanë durim të shfletojnë një libër me 15.613 vargje… Natyrisht, po ta kesh parasysh historinë “politike” të Lahutës dhe të Fishtës, dmth heshtjen më se 50 vjeçare dhe zhdukjen e eposit kombëtar për një periudhë gjysëm shekullore — për rininë e sotme, nuk është e lehtë të lexohet, aq më pak, të interpretohet. Por “kush asht trim”, do ta lexojë me një frymë, do ta shijojë e do të mahnitet nga bukuria e Verbit të Poetit. Sot ky monument kulturor merr një rëndësi të veçantë jo vetëm për Veriun, por për tërë Shqipërinë. Bëhet shumë më tepër se një vepër letrare. Në botimin anglisht të Fishtës, e quajta, “vepra e parë letrare shqiptare që i përket botës”, ka theksuar Robert Elsie.
Robert Elsie mund të ketë pasur të drejtë, se Lahuta i përket botës, por pikë së pari ajo është një vepër për shqiptarët, e cila, sipas At Danjel Gjeçajt, redaktorit të botimit të dytë shqip të Lahutës së Malcisë, më 1958, kjo vepër, “Ashtë kanga që të ban të thithish arjin e kulluet të maleve arbënore, gjithmonë të lira, ashtë gurra që rrjedhë nga dejt e tokës sonë e që kurrë nuk shterret…ashtë shkolla e votrës gjyshore kur rreth zjarmit mikëpritës u ruejt deri më sot ndera, burrnia virtyti, besa, triminia dhe atdhedashunia për vatan, shpirtmadhsi dalluese e racës sonë…me nji fjalë bërthama e thelbi i nji kombi…”
Kryetari Bashkisë Lezhë, Pjerin Ndreu
Në një nga komentet, ndoshta pak me ironi, në lidhje me botimin e përkthimit frëngjisht të Lahutës së Malcisë, lexova se nëqoftse dikush prej shqiptarëve tani mund të ankohet se nuk e lexon Lahutën, sepse nuk e “kuptojmë gjuhën e saj”, atëherë si poliglotë që e konsiderojmë veten, tani ndoshta mund ta lexojmë në gjuhë të huaja.
Ndërkaq, Shoqata e Shkrimtarëve Shqiptarë në Belgjikë njofton se përkthimi i Lahutës së Malcis nga shqip në frëngjisht do të pasohet, me organizimin e një simpoziumi letrar kushtuar At Gjergj Fishtën dhe veprës e tij, në fillim të vitit që vjen.
Historiania Nevila Nika
Lajmi tjetër i mirë në lidhje me At Gjergj Fishtën, në këtë 148-vjetor të lindjes së tij, ka të bëjë me njoftimin, gjatë ceremonisë së oganizuar nga Bashkia e Lezhës ditë e fundit, me rastin 148-vjetorit të lindjes së At Gjergj Fishtës –se më në fund është marrë vendimi, ose të pakën është bërë propozimi zyrtar, që shtëpia e At Gjergj Fishtës, “shumë shpejt do t’i nënshtrohet rikonstruksionit të plotë”. Ky lajm u njoftua nga shefi i Bashkisë Lezhë, Pjerin Ndreu dhe Ministrja e Kulturës Elva Margariti, pjesëmarrës në atë organizim përkujtimor.
Unë e kam ndjekur për një kohë të gjatë politikën e kësaj klase politike karshi At Gjergj Fishtës, për disa vite tani për të qenë korrekt, dhe refuzimin e tyre për të restauruar shtëpinë e Homerit të Shqiptarëve. Dikush mund ta mbajë mend se kam qenë vazhdimisht kritik, sidomos ndaj Ministrisë së Kulturës dhe zyrtarëve të lartë të qeverisë, përgjegjësit kryesor të mos veprimit në këtë fushë.
http://telegraf.al/opinion-2/frank-shkreli-bolsheviket-e-rilindjes-dhe-at-gjergj-fishta/
Përkthimi i Lahutës së Malcis nga shqipja në frëngjisht, kohët e fundit, tregon se — pa marrë parasyshë se ç’mendojnë përgjegjësit e kulturës shqiptare sot — Fishta dhe sidomos Lahuta e Malcis nuk është kurrë jashtë kohe, ndryshe pra nga ç’kanë menduar dhe ç’mendojnë ideologët shqiptarë përgjegjës për vendime të tilla. Vendimi, pra, ose propozimi për resaturimin e shtëpisë së Gjergj Fishtës është një lajm i mirë dhe vendim i drejtë dhe patriotik, ndonëse i vonuar, sepse shqiptarët e kanë zakon të jenë më të fundit për punë të mira. Por megjithkëte, më mirë vonë se kurrë! Përshëndes vendimin e shefit të Bashkisë Lezhë, Pjerin Ndreut dhe Ministres së Kulturës, Elva Margariti për të restauruar, më në fund, shtëpinë e At Gjergj Fishtës, me shpresën se angazhimi i tyre në letër dhe propzimi i deklaruar në Lezhë para disa ditëve, për realizimin e kësaj pune, të mos mbetet premtim vetëm në letër.