IDRIZ ZEQIRAJ
Shokon e papritura, por, jo e pritura. Prandaj, humbja e LDK nuk ishte shokuese, por, e pritshme. Ose u shokuan udhëheqja e LDK-së, ngaqë ishin shkëputur, tërësisht, nga anëtarësia, por, jo kjo e fundit, e cila përjetonte shpërfilljen, injorimin e shefave të LDK-së. Dhe, vazhdimin përtej dekadës. Megjithatë, reagimi hiç i bazës, më sakt, pajtimi qyqar, e bënë pjesë të fajësisë edhe vet bazën.
Pas humbjes së pritur të LDK-së, u bë sikur u pranua fajësia e atyre që e projektuan dhe kontribuan për humbjen. Për ta lëndëzuar fajësinë, nismoi kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, me dorëheqjen e parevokeshme, siç u tha. Dhe, “nëpër dhëmbë”, në ecje e sipër, Lutfi Haziri përmendi edhe “kryesinë në dorëheqje”.
Por dorëheqjet u relativizuan, deri në pendesë, kur kryetari Mustafa tha se “megjithëse unë nuk e kam udhëhequr fushatën dhe po të kthehesha, në drejtim të partisë, njëjtë do të veproja!” Pra, mohoi çfarëdo fajësie për humbjen! Pas kësaj, u hesht edhe dorëheqja e kryesisë. Përkundrazi, kryesia filloi fushatën, tashmë, në klane, për ta rimarrë udhëheqjen e partisë! Pra, të vazhdojë statusquoja, pa ndryshime, me pak retushime. Kësaj i thonë “pordhë e ftohtë” ose “pordhë me rigon”, siç thonë vëllezërit tanë jugorë.
Anëtarësia e LDK-së kërkon ndryshimin,
përmes Zgjedhjeve të Jashtëzakonshme
Brezi i mesëm dhe disa më të hershëm të LDK-së, anëtarë të Këshillit të Përgjithshëm, por, jo edhe të Kryesisë, edhe pse janë shumë më meritorë, se sa disa nga ata, që, tashmë, janë konsumuar, kërkuan ndryshime dhe reforma të thella. Ata dhanë edhe sugjërime të bazuara. Por, nuk janë ngulmues, për realizimin e këtyre kërkesave.
Ata, tashmë, kanë hequr dorë nga organizimi i Zgjedhjeve të Përgjithshme, brenda-partiake, prej nga do të rezultonte kryetari dhe kryesia e LDK-së. Përkundrazi, janë pajtuar me zgjedhje dhe zgjidhje gjysmake, pa asnjë përgaditje paraprake, me struktura të paligjshme, të kurorëzojnë kryetar dhe kryesi, po aq të paligjshme!
Akademik Frashër Demaj thotë se “LDK-ja ka demokraci të brendshme!” Kështu thonë edhe Melihate Tërmkolli, Besa Gaxherri, Naser Rugova dhe të tjerët radhazi, në tufëzim! Ndryshe mendojnë: Fatmir Sejdiu, Adem Salihaj, Fatmir Rexhepi, Hafiz Gagica dhe të tjerë, të cilët janë kritikë të hershëm, të lidershipit-klan, uzurpues, ndër vite, të LDK-së.
Shumica e kuadrove të LDK-së, është pajtuar me diktatin e lidershipit-klan. Dhe, këtë e kanë shprehur, me heshtjen qyqare, duke aprovuar me votimin fiktiv aklamativ, “zgjedhjen” e përsëritur të një klani, që ka realizuar dy përçarje dhe ndarje të LDK-së!
Edhe përjashtimin e debatit, të paktën, në tri Kuvendet “Zgjedhore” të LDK-së, ku unë isha delegat, e quajnë “demokraci”?! Ndërkohë që, LDK-së i mungon demokracia elementare e brendshme partiake. Përndryshe, Kuvendi, Këshilli i Përgjithshëm, nuk do të lejonin të bëhen zgjedhje fiktive, aklamative, të rrejshme, të turpshme, marroçe!
Anëtari i KP, Naser Rugova, aktualisht, më i zëshmi për reforma të thella e përmbajtësore, thotë se “i bindem vendimit të shumicës, që marrin strukturat e partisë!” Pra, Dr. Naseri, aprovon kryetarin dhe kryesinë të “zgjedhur” me aklamacion, nga shumica, absolute, pothuajse, unanime, të njëzëshme, në Kuvendin e 9-të “Zgjedhor” të LDK-së!
Ndërkohë, nga Kuvendi prej 355 delegatëve, kanë kundërshtuar vetëm 4 delegatë: Fatmir Sejdiu, Melihate Tërmkolli, një delegat nga Fushë-Kosova, (me keqardhje, nuk arrita t`ia mësoj emrin) dhe unë, Idriz Zeqiraj, delegat dhe zëdhënës i Degës të LDK-së, nga Gjermania. Unë kundërshtova, zëshëm e çjerrshëm, rrjedhën e Kuvendit-farsë, madje, përgjatë gjithë kohës, sa zgjati ajo maskaradë “kuvendore!”
Cilat ishin kërkesat e mia,
në sallën e Kuvendit të 9-të të LDK-së?
1) Të bëhet debat i lirë, i shpenguar kuvendor, para se të fillojë votimi;
2) Të këtë konkurrencë të ndershme, me disa kandidatë në garë;
3) Të bëhet votimi i fshehtë demokratik, (dhe kurrë aklamativ), për zgjedhjen e kryetarit dhe të gjitha strukturave të LDK-së.
Po të realizoheshin këto tri parime zgjedhore, bazë e demokracisë, Kuvendi i 9-të “Zgjedhor”, nuk do ta kishte zgjedhur lidershipin e sotëm, i cili, turpshëm e përmutshëm, rrënoi dhe baltosi, partinë kryezonjë, LDK-në, të Presidentit Rugova. Dhe, nuk do të kishte as përçarje, as ndarje, me plot përgjysmim të LDK-së, siç ndodhi më 14 shkurt 2021.
Arsyeja e vetme ishte karrierizmi, deri në gërdi, i një lidershipi-klan, i cili privatizoi partinë. Fajësisë nuk i shpëtojnë as të ashtuquajturat struktura të partisë dhe vetë anëtarësia, për heshtjen e turpshme 17-vjeçare. Turpin duan ta përsërisin edhe më 14 mars, duke imponuar kryetar e kryesi të dhunshme, pa zgjedhje të mirëfillta, në Nëndegët dhe Degët e LDK-së, pra, pa zgjedhje të përgjithshme.
Për çudë, statutin e përmendin shkarazi, ndërkohë që harrojnë burimin e diktaturës, kompetencat e enorme të kryetarit të partisë. Kjo të lënë përshtypjen që secili syrësh, ëndërron këtë post dhe e don statutin e pandryshuar, kryetarin fuqiplotë! Statuti aktual është “betër”, katastrofal, rrënues i LDK-së. Dhe, atë duhet flakur dhe ndryshuar, me ka krejt, sepse është bërë për interesa karrieriste e klanore.
Kërkesat përgjatë javës së parë paszgjedhore, të humbjes së freskët, ishin për organizimin e zgjedhjeve të jashtëzakonshme, që nga baza në qendër, me statut të ri dhe me njerëz pa mëkate. Sepse me të njëjtat struktura, nuk pritën zgjedhje të mirëfillta demokratike. Pra, do të kemi një Kuvend-farsë dhe assesi një Kuvend të shpresës, për ringritjen e LDK-së.
Aspiruesit reformatorë e “ulin pazarin”, me zgjidhje gjysmake
Por, të njëjtit kërkues reformatorë, kanë “zbritur pazarin”, duke pranuar mbajtjen e një Kuvendi-farsë, me të njëjtit delegatë dhe Këshill të Përgjithshëm mëkatarë, për zgjedhjen e kryetarit dhe të kryesisë të LDK-së! Sepse kanë pranuar zgjedhje aklamative hiçe, me një statut, që do ta kishin zili fashistët, komunistët, kmerët e kuq të Kamboxhias, dikur, dhe krerët e Koresë së Veriut, sot!
Pra, Kuvendi i 14 marsit i ka delegatët e Kuvendit të 9-të, pjesa dermuese pa legjitimitetin e duhur, meqë janë të emëruar dhe jo të zgjedhur; me një Këshill të Përgjithshëm, tërësisht, të paligjshëm, sepse nuk kanë kaluar në filtrin e votës së fshehtë demokratike. Pjesë e këtij Kuvendi Zgjedhor është Kryesia e LDK-së, me 33 anëtarë, ministra, drejtorë, zyrtarë, të gjithë profiterë të kësaj udhëheqjeje partiake, shkaktarë të drejtëpërdrejtë të shkatërrimit të pritshëm të LDK-së!
Atëherë, çfarë rezultati pozitiv, i drejtë, i pranueshëm, për anëtarësinë, mund të jetë një kryetar dhe një kryesi e LDK-së, të zgjedhur nga një Kuvend dhe Këshill i Përgjithshëm, krejt të paligjshëm?! Nga kjo del pyetja: Kujt i duhet një Kuvend i tillë farsë e maskaradë, i cili organizohet, thjeshtë, për ta amortizuar llogaridhënien, për humbjen ekstreme, pse jo, të qëllimshme të LDK-së.
Anëtari i KP, Faton Bislimi, një kuadër simpatik, duket i pakënaqur me statusquonë në LDK-e, por, nuk është i qartë në kërkesa. Derisa ai e ka gojën plotë, për demokracinë në LDK-në tonë, atëherë, pse nuk është i drejtëpërdrejtë dhe i kuptueshëm në deklarimet e tij: “LDK-së i duhet një – ribrendim politik -. Ky -ribrendim- është një mundësi, për LDK-në dhe një përkushtim për Kosovën”. Pra, – ribrendimi politik – nuk është i qartë. Duhet thënë troç, çfarë duhet bërë?
Besian Mustafa: Kuvendi, më 14 mars, të zgjedh vetëm ekipin, për përgaditjen e Zgjedhjeve të Jashtëzakonshme
I qartë dhe konseguent mbetët anëtari i kryesisë Besian Mustafa, i cili ngulmon që të fillohet të punohet me bazën partiake, nga poshtë-lart dhe jo nga lart-poshtë. Pra, nga Aktivat, Nëndegët, Degët e deri në qendër. Rrjedhimisht, kryetari i LDK-së, do të rezultonte në garën e Kryesisë, madje të Kryesisë së Ngushtë të LDK-së.
Pra, kryetari do zgjidhej i fundit dhe assesi i pari, sepse duhet të kalojë nëpër të gjithë filtrin e strukturave partiake. Përndryshe, do të kishim një emërim, një “zgjedhje”, të paligjshme. Zgjedhjet klasike në LDK-e, kanë qenë përcaktuese të vlerave, për secilin drejtues, kuadër partiak.
Shkatërrimit të LDK-së, i ka paraprirë statuti i ri, përkatësisht rrënimi i sistemit zgjedhor, i filluar nga lart, për ta dhjerë edhe bazën, si viktimë e lidërshipit klanor. Andaj, është akute, e ngutshme, ndryshimi i Statutit, që zvogëlon, natyralizon, kompetencat e kryetarit. Statuti i ri duhet të ofron dhe fuqizon ekipin e vyeshëm rreth kryetarit, duke e kontrolluar e stopuar atë, në megallomaninë mujëshore, unin vendimmarrës, për ta mësuar atë me ecjen tokësore, kolektive, edhe atëherë, kur ta këtë zënë karrikën e kryetarit të LDK-së.
Letra-program pune e Besianit, për ta zgjedhur kryetarin, kryesinë dhe strukturat e partisë, që, gjithësesi, ka trashëguar genin, urtak e meçurak, të babait të tij, Xhemajl Mustafa, “më bëj baba të të ngjaj”, duhet të shërbejë, si guidë rrugëtimi e veprimi, për punën që duhet bërë me anëtarësinë, elektoratin, popullin. Në letrën në fjalë, bëhet fjalë për mënyrën dhe mundësinë, për ta ngritur LDK-në, tashmë të përtokur, nga karrierizmi i sëmurë i një lidershipi-klan, që kishte privatizuar partinë dhe, tani, ngulmon të vonojë tërheqjen, me taktizime e stratagjëma përfide, mashtruese.