Kushtuar “Dëshmorit të Kombit” Skerdilajd Llagami -“Komandant Shpendi”

0
101
Skerdilajd Llagami

Fran Cara “Vite rrodhën, vite ikën.
Lartësitë e maleve ngelën po ato,
Lartësitë e Atdhetarizmit u rritën” 1

Yll e dritë, o Nder i Kombit
Skerdilajdit të Tiranës
Në deje i vlonte gjak shqiptar.
Urimi i babës dhe i nanës:
– Ardhsh, o bir me faqe të bardhë!

I mëkuar me dritë lirie,
Fluturon n’troje të t’parëve.
Në ballë të luftës i ka hije,
Si vëlla gjaku i Jasharëve.

Skerdilajd e kishte emrin,
Shpend në Luftë e pagëzuan
Tokës nanë ia rritën nderin
Bijtë e saj që u flijuan.

Ditë e natë nëpër beteja,
Përballë serbit gjakatar,
Komandant Shpendi si rrufeja,
Në mes shokësh gjithnjë n’ball.

Në tri luftëra pa ia nda,
Me sy e hante më t’madh rrezikun.
Faqebardhë gjithmonë është nda’,
Tmerr e vdekje për armikun.

Ikin vitet porsi era,
Vatra e priste kthimin e djalit.
Natë e ditë me sytë nga dera,
Shpirti i nanës djeg’ prej mallit.

Motërmira pret më kot,
Det i helmit n’zemër t’babës.
Vatra mbushet me dhimbje e lot,
Kur n’derë troket lajmësi i gjamës.

Babë e nanë, motër e Skerdit!
Mbahi t’fortë, Zoti u forcoftë!
Krenar t’jeni për jetën e Shpendit,
Nder i Kombit gjithmonë qoftë!

Bardhyl Llagami burrë zakoni,
Shpejt i mblodhi vajzë dhe grua.
Të forta mbahi, lot mos lëshoni,
Për Atdhe Skerdi është flijua’.

Një kambanë për pushtetarët:
– Hapni sytë, shpirtin ndriçoni.
Shporrni kriminelët dhe xhambazët,
Shpendo-Skerdilajdët përjetësoni.

Skerdilajdit – “Nderi i Kombit”
– Përmendore n’zemër t’Tiranës.
Do u bekojë dhe Fjala e Zotit,
E prej Qiellit shpirti i NANES.

Heroizmi i Skerdit-Shpend,
Eshtë skalitur në shkëmb e gur.
Në histori thellë rrënjë ka zënë,
Si Shpendi-Shqipe në flamur.

1-Vargje pothuajse të plota te strofa e parë nga Dritëro Agolli.

Fran Cara
Mësues i gjuhës dhe letërsisë. (Në pension).
Tiranë më 08.08.2021