Kush të vrau, o bir

0
1105

Dionis Xhafa

Nëna dhe djali i saj i vogël qëndronin në udhë, duke shijuar diellin e nxehtë sirian, tashmë që ka çelur pranvera. Ata po qëndronin në rrugë, në qytetin e tyre, ku kishin lindur dhe kishin lidhur fatin e jetës, në Khan Shaykhun. Nëna e kuptonte atë që ishte duke ndodhur në Siri, kurse djali i vogël, që kishte vetëm pak kohë që kishte nisur të flasë, ishte naiv dhe mendonte se Siria, udhëheqësit e saj, ushtria e shtetit sirian, e donin atë sikundër fëmija donte Sirinë.

Djali donte të lahej në dushet publike të Sirisë, që shtriheshin pak më tutje. Nëna, që e kuptonte realitetin i tha djalit me ngashërim: – Jo djalë, ai ujë nuk është për ty, të lutem mos shko. Fëmija ashtu çuditërsiht dhe në naivitet ia brofi:

– Dua të lahem, nënë. Dua të lahem me ujin e shenjtë të Sirisë, trupi im të lahet nga uji i tokës nga ku kam lindur. Ti do të ishe krenare për këtë gjë dhe nuk e kuptoj përse qan. Vetëm shihe. Sado që nëna insistonte, duke e ditur rrezikshmërinë, fëmija gati po pataksej e po jepte shpirt veç të lahej në ujërat e dusheve për të mitur të Sirisë. Nëna me dridhërima e me fytyrë të zbehtë e drejtoi për nga banjot, ku laheshin të miturit.

– Ja, nënë e shikon, kot qave, kot më the që mos lahem. Unë jam i lumtur. Uji i Sirisë po më bekon. Ne kemi ujin më të bekuar që mund të ekzistojë. Siria është e bukur, nënë. Ja, edhe udhëheqit tanë janë me ne, të gjithë. Fshiji lotët nënë, pasi jam shumë i gëzuar. Gëzohu edhe ti nënë.

Kaloi kështu pak kohë vetëm e fëmija nga një lumturi të madhe që kishte, nisi të kishte marrje mendjeje, nisi t’i dhimbte kraharori, mezi po merrte frymë, e në këtë gjendje, me hapa të ngadaltë, iu afrua nënës dhe ra në prehërin e saj, të bërë ujë prej lotëve të lëshuara. Fëmija sa vinte e zbardhej në fytyrë. Nëna u mbush e gjitha me lot. Pa në horizont dhe vërejti edhe nëna të tjera në të njëjtën gjendje dhe fëmijë po ashtu. Disa ushtarë iknin, si vrasësit pas krimit, për të mbuluar gjurmët.

– Ah mor djalë, ujin e pastër të Sirisë e kanë ndotur ushtarët, xhelatët, udhëheqësit e saj. Ujin e pastër të Sirisë e lanë me gjak fëmijësh. Po ta ngroh kraharorin bir. Po ky nuk është ujë more bir. Vjen era armë kimike. Po kush të vrau, o bir?!

Tregim për ngjarjen e rëndë të ndodhur në Siri, ku disa fëmijë u vranë me armë kimike