Nga Marin Mema, Blitz.al – 8 maj 2018
Që Shqipëria është vend i absurditeteve kjo është provuar tashmë për fat të keq shumë herë. Këtu të korruptuarit flasin për luftën ndaj korrupsionit, të paaftit predikojnë meritokracinë, memecët e parlamentit kërkojnë mandate për “të mbrojtur” të drejtat e qytetarëve, e sikur të mos mjaftonin këto, të gjithë bashkë shesin dëngla për gjoja dhembshuri ndaj njerëzve të pamundur. Kam mëse 16 vjet që punoj si gazetar, me të ardhura të kënaqshme që më japin mundësinë për të jetuar mirë e pa shumë kokëçarje, por në asnjë moment, as në ëndrrën time më të bukur nuk ka ndodhur të kem të njëjtat zero në konton time bankare. Përkundrazi, është e pamundur qoftë edhe për 30 breza të ndërtosh luksin, në të cilin notojnë në masë dërrmuese politikanët tanë.
Diferencën e bën fakti se unë, ashtu si mjaft të tjerë, nuk kam përfituar as nga tenderat, as nga emërimet, as prona të jashtëligjshme, përkundrazi disa të tilla në Gjirokastër e Ersekë familjes sime ia kanë rrëmbyer të pushtetshmit. Të ardhurat e mia zyrtare, për të cilat paguaj edhe taksat, janë të barabarta në letër me ato të një deputeti, disi më të larta se të një gjyqtari a prokurori të brezit tim, por vetëm në letër, sepse përtej tyre, unë jam një njeri i zakonshëm, ndërsa një pjesë e tyre kanë siguruar pasardhësit për një jetë të bollshme e luksoze, për të cilën nuk kanë nevojë të punojnë asnjë ditë. Bile ata tallen me njerëzit që punojnë; me njerëzit e ndershëm, me ata që e duan këtë vend, jo për ta rrjepur, por për ta zhvilluar.
Ky takëm shtetarësh pasunikë i kërkojnë shqiptarëve të jenë më “dinjitozë”, “më krenarë”, të kenë më “personalitet”, të rrahin gjoksin e t’u thonë amerikanëve apo ambasadorëve të tjerë të BE-së “se punët e tyre i dinë e do t’i zgjidhin vetë”. Këta individë, të mbështetur jo pa qëllim edhe nga radhët e medias, thonë se preken për cënimin që sipas tyre, “zoti Lu e zonja Vlahutin, po i bëjnë pavarësisë së shtetit shqiptar”. Sipas tyre reforma në drejtësi, pikërisht ajo që po nxjerr pasuri, lokale, apartamente e çudi të tjera të “falura” nga familjarët tek gjyqtarët apo prokurorët po anatemon këta të fundit. Pra medemek viktima qenka sistemi, ndërsa me këtë logjikë dhunuesit janë shqiptarët. A ka më turp se kaq?!
Si mund t’u dilet në mbrojtje gjyqtarëve që nuk justifikojnë dot pasurinë, pronat, e gjithçka tjetër që e kanë rrëmbyer jo thjeshtë në rrugë të paligjshme, por duke shkaktuar edhe drama të shumta njerëzore e viktima të panumërta si pasojë e vendimeve të tyre?! E në të gjithë këtë reformë që ende nuk ka nisur, të paktën me atë ç’ka presin shqiptarët e thjeshtë, të vetmit që klithin, mërmërisin, mallkojnë e turfullojnë janë ata që jetën deri më sot e kanë ndërtuar me duart në xhepat e të tjerëve. Në fakt të gjithë shqiptarët ata të ndershmit, kërkojnë më shumë, kërkojnë një vetting më të gjerë që përfshin edhe politikën. Të gjithë duhet të justifikojnë pasuritë! Reforma duhet të shkojë tek vilat, triplekset, selitë politike, pinjollët që pa punuar asnjë ditë kanë udhëtuar botën, tek skutat më të errëta ku janë depozituar paratë e grabitura, tek partnerët e të gjithë ata që kanë përreth e që janë zhgërryer me korrupsion.
Në këtë sfidë, që ende sot është e brishtë, shqiptarët padyshim mbështesin ambasadorin amerikan, deklaratat e tij, qëndrimet dhe akuzat e drejtpërdrejta. Vërtetë mendoni se ky popull është kaq naiv sa të mendojë se ju jeni viktima të ambasadorëve? Se ju jeni të ndershmit, të pastrit, të pakorruptuarit?! Sa qesharake! Nëse doni të dini të vërtetën shqiptarët presin edhe më shumë, më shumë emra, më shumë dokumenta, me shumë pranga deri në nivelet me të larta pavarësisht ngjyrave e kaheve politike.Ndaj vazhdoni zoti ambasador Lu, flisni, tregojini, sepse ky vend ka nevojë të çlirohet nga barra e rëndë e korrupsionit mbytës, e politikanëve që kanë ngritur sulltanate, e prokurorëve, gjykatësve, e çdo funksionari publik që shkel ligjin. Shqiptarët, ata të thjeshtë janë me ju, presin nga ju, kanë besim tek ju. /Blitz.al/