KUSH, KUR DHE SI DUHET TË JEPË PËRGJIGJE PËR DËSHTIMET?

0
522
Abdulla Mehmeti
Abdulla Mehmeti

19 janar 2018

(Në lidhje me gjendjen aktuale të shqiptarëve në Maqedoni)

Abdulla Mehmeti

Mediat nuk duhet t’u japin fare hapësirë individëve dhe temave të bezdisshme që trajtojnë përditë politikanët vendës, me të cilat e dhunojnë opinionin me thashetheme, akuza të partive kundër partive, fraksioneve kundër fraksioneve, individëve kundër individëve.

Mjaftë më, se u bëmë gazi i botës! Këto debate, me sjellje dhe veprime të ulëta, e ofendojnë inteligjencën e qytetarëve, të shikuesve, dëgjuesve dhe lexuesve, të opinionit publik.

Nëse nuk kanë ngjarje dhe tema të tjera më të dobishme, ja disa prej tyre, me të cilat duhet t’i zëvendësojnë debatet shterrpe, pa asnjë rëndësi dhe vlerë, që organizohen në mediat tona sa për t’ua shpërlarë trurin qytetarëve:

1. Kush, kur dhe si do të merret me çështjen e statusit juridik-kushtetues dhe politik të shqiptarëve në Maqedoni?

2. Kush, kur dhe si do ta trajtojë me kompetencë dhe argumente çështjen e konceptit të shtetit ku jetojmë dhe kontribuojmë si qytetarë, dhe nuk trajohemi të barabartë?

3. Kush, kur dhe si do të merret me demokratizimin e plotë të shoqërisë sonë dhe me ndërtimin e shtetit ligjor?

4. Kush, kur dhe si do të merret me decentralizimin e pushtetit?

5. Kush, kur dhe si do të merret me përfshirjen e drejtë dhe të barabartë të shqiptarëve në institucionet kyçe të pushtetit, ku ka një numër simbolik ose nuk ka fare, si dhe në administratë, ku mungon kuadri dhe sidomos sistematizimi adekuat?

6. Kush, kur dhe si do të merret me problemin e investimeve kapitale në rajonet me shumicë të popullsisë shqiptare?

7. Kush, kur dhe si do të merret me eliminimin (së paku zvogëlimin) e korrupsionit dhe krimeve të të gjitha llojeve në shoqërinë tonë?

8. Kush, kur dhe si do të kujdeset për hapjen e më shumë vendeve të punës dhe zvogëlimin e papunësisë ekstreme?

9. Kush, kur dhe si do të angazhohet për ndarjen e barabartë të buxhetit të shtetit?

10. Kush, kur dhe si do të angazhohet për ndryshimin e korpusit të ligjeve që kanë të bëjnë të drejtat kombëtare të shqiptarëve, sidomos për flamurin, gjuhën, si dhe simbolet shtetërore: flamurin, stemën dhe himnin?

11. Kush, kur dhe si do të merret me depolitizimin dhe departizimin e mediave (sidomos të nivelit nacional), por edhe për financimin e drejtë të tyre nga buxheti i shtetit dhe komunat, duke ditur se financimi i tyre vetëm nga sponsorët, donatorët dhe reklamat, nuk u sjell dobi atyre dhe e dëmton interesit publik?

12. Kush, kur dhe si do të kujdeset për institucionet e kulturës shqiptare, për trashëgiminë tonë kulturore, institucionalizimin e kulturës dhe marrjen fund të vullnetarizmit, diletantizmit dhe komercializimit në veprimtaritë kulturore?

13. Kush, kur dhe si do të kujdeset për financimin e kërkimeve shkencore, inovacioneve, manifestimeve, botimeve të kësaj fushe, afirmimin ndërkombëtar të shkencës shqiptare?

14. Kush, kur dhe si do të kujdeset për ambientin jetësor të shëndoshë?

15. Kush, kur dhe si do të kujdeset për përmirësimin e gjendjes së mjerueshme në shëndetësi dhe institucionet shëndetësore, në nivel të shtetit dhe komunave ku jetojmë?

16. Kush, kur dhe si do të kujdeset për reforma serioze në arsim, nga niveli i arsimit fillor deri në atë universitar dhe pasuniversitar?

17. Kush, kur dhe si do të kujdeset për modernizimin e sistemit arsimor, sidomos për shkollën shqipe, jo si shkollë e përkthyr dhe institucion për imitimin dhe kopjimin e vlerave të huaja, gjuhësore, kulturore, historike dhe kombëtare?

18. Kush, kur dhe si do të ndërmerr masa për ndalimin e largimit të rinisë në botën e jashtme, për mungesë të perspektivës në vend?

19. Kush, kur dhe si do të ndërmerr masa kundër rrënimit të vlerave kombëtare, kulturore dhe historike, përdhosjes së figurave dhe personaliteteve të rëndësishme nga e kaluara jonë e lavdishme?

20. Kush, kur dhe si do të merr masa kundër degradimit dhe rrënimit të vlerave morale në shoqërinë tonë?

21. Kush, kur dhe si do të ndërmerr masa kundër degradimit dhe rrënimit të vlerave morale në shoqërinë tonë?

22. Kush, kur dhe si do të ndërmerr masa kundër degradimit dhe rrënimit të vlerave tradicionale fetare në shoqërinë tonë?

23. Kush, kur dhe si do të kujdeset për ndërprerjen e manipulimit me votuesit dhe votat e qytetarëve, me eliminimin e dukurive të shëmtuara, siç janë shitblerja e votave, shantazhimi dhe kërcënimi i votuesve etj.?

24. Kush, kur dhe si do ta ndërpresë propagandën për përçarjen e shqiptarëve në baza partiake, fetare, rajonale, si dhe për interesa të tjera?

25. Kush, kur dhe si do ta ndalojë shpërlarjen e trurit të shqiptarëve, sidomos të brezave të ri, duke i afirmuar injorantët për ekspertë dhe duke shpallur plot tradhtarë për atdhetarë, ndërsa atdhetarët e vërtetë duke i denoncuar si tradhtarë?

Ka edhe dhjetëra e qindra çështje të ngjashme, të cilat për t’u zgjidhur duhet të trajtohen nga ekspertët dhe sidomos mediat, duke filluar nga pyetjet më themelore: kush, kurë dhe si?

(19 janar 2018)