Kush janë shkaktarët e prishjes së marrëveshjes LVV-LDK!?

1
722
Isa Mustafa - Kujtim Shala - Hashim Thaçi

Shkruan: Florim Zeqa, 19.01.2020

Tanimë, kur koalicionit LVV-LDK i ka “vdekur nëna”, në skenë kanë filluar të dalin një nga një shkaktarët e pengimit të marrëveshjes, e cila deri dje konsiderohej historike për të ardhmen e vendit.

Ata që deri dje vepruan në prapaskenë kundër arritjes së marrëveshjes për koalicionin qeverisës LVV-LDK, kanë filluar të dalin në sipërfaqe duke akuzuar të tjerët si “shkaktar” të pengimit të marrëveshjes.

E tillë ishte edhe deklaratata e Rexhep Selimit, ish Ministrit të parë të Punëve të Brendshme në ‘Qeverinë e Përkohshme’ të Hashim Thaçit, e cila të kujton atë thënjen famoze “Aty ku ka tym, ka edhe flakë”, duke vërtetuar kështu ndikimin e jashtëzakonshëm të Hashim Thaçit në LDK dhe LVV.

(Pa) vërtetësia e deklaratave hipotetike

Për aq sa janë të vërteta ato që i thotë Rexhep Selimi se “Thaçi ndoshta edhe e dirigjon LDK-në”, mund të jenë të vërteta edhe ato që fliten në opinion, se Rexhep Selimi dhe të tjerët si ai, e kanë penguar në prapaskenë lidhjen e koalicionit qeverisës LVV-LDK, duke e dëshmuar kështu miqësinë e vjetër me Hashim Thaçin dhe përcaktimin e përbetuar kundër filozofisë politike rugoviane.

Edhe po të dojë, Hashim Thaçi nuk mund të jetë më pengues brenda LVV-së sesa Rexhep Selimi në pengimin e marrëveshjes për bashkëqeverisje. Kur jemi në këtë segment, Rexhep Selimi para se të merret me deklaratat qofshin hipotetike apo të vërteta ndaj Thaçit, bën mirë t’i tregoj opinionit publik, se ku e kanë burimin pakënaqësitë me ish shefin e tij, presidentin aktual të Kosovës!?

Deklaratat e Selimit për Thaçin, kinse ai ka thënë se; “Për sa kohë do të jem në këtë zyre të presidencës, ky koalicion nuk do të ndodhë kurrë…, ai ndoshta e dikton edhe agjendën e takimeve, e dirigjon LDK-në” (përfundon citati), për qëllim kanë fshehjen e ndikimit të Thaçit ndaj LVV-së dhe fshehjen e ndikimit të tij personal ndaj Albin Kurtit.

Përderisa në strukturat drejtuese të LVV janë të instaluar ish ministra dhe deputet të PDK-së, vartës të Hashim Thaçit, në LDK numri i vartësve të Hashim Thaçit është akoma më i madh dhe i pambarim, filluar nga drejtuesit e partisë e deri tek ish ministra dhe zyrtarë të nivelit të lartë dhe lokal të LDK-së, që janë të lidhur ngusht me Hashim Thaçin përmes bizneseve dhe veprimtarive tjera afariste.

E dhimbshme, por shumë e vërtetë, që eksponent të caktuar të LDK-së, më shumë i kanë frikën Hashim Thaçit sesa ‘zotit në qiell’, ashtu sikurse që ka individ brenda VV-së që punojnë më shumë për llogari të Hashim Thaçit sesa të Albin Kurtit.

Sikur të ishte ndryshe, marrëveshja për bashkëqeverisje në mes LVV-së dhe LDK-së do të ishte arritur që moti, do të thoja menjëherë pas çertifikimit të rezultatit zgjedhor, ashtu siq kishin premtuar liderët e këtyre dy partive.

Për aq sa Hashim Thaçi e dirigjon LDK-në, për aq Rexhep Selimi e kontrollon LVV-në

Ditëve të fundit janë duke çarkulluar zëra brenda LDK, se “e kanë të pamundur të hyjnë në bashkëqeverisje me LVV-në, shkaku i përfshirjes së disa zyrtarëve të lartë të kësaj partie në afera korruptive dhe kriminale, …dhe se insistimi i LDK-së në marrjen me çdo kusht të Ministrisë së Punëve të Brendshme konsiston në supozimet e sipërpërmendura”.

Nga konstatimet e mësipërme po vërtetohet se Hashim Thaçi ende e dirigjon çdo gjë në Kosovë, mbi dhe nën tokë, përfshirë edhe LVV-në dhe LDK-në, të cilat po sillen si shpërfillësit më të pa përgjegjshëm dhe tërësisht jo serioz të votës së qytetarit të mashtruar të Kosovës posa përfunduan zgjedhjet dhe tash po bëjnë tregti për pozita në kapjen e institucioneve të shtetit.

Ndikimi i bazuar i Hashim Thaçit mbi LDK-në dhe LVV-në, përveq fuqisë politike e dëshmon edhe shkathtësinë e tij politike për të ndikuar në vendimarrjen e këtyre dy subjekteve.

Përderisa të gjithë në Kosovë e kanë kuptuar, se e preferuara e elektoratit të LDK-së, zonja Vjosa Osmani është penge e Isa Mustafës, Agim Veliut e Lutfi Hazirit, pak njerëz në Kosovë e dinë se Albin Kurti është peng i Rexhep Selimit dhe klanit të tij brenda dhe jashtë LVV-së.

Paradoksalisht, dy personaliteteve më të votuara në vend, Albin Kurtit dhe Vjosa Osmanit po ju mungon forca e veprimit, përkatësisht e marrja vendimeve në emër të partisë, shkaku i ndikimeve të fuqishme të klaneve të fortifikuara brenda këtyre dy partive.

Mos arritja e marrëveshjes për bashkëqeverisje, përveq humbjes së rastit historik për ndryshimin e kursit qeverisës, ka shkaktuar humbjen e të gjitha shpresave të qytetarëve për jetë të dinjitetshme në Kosovë.

Si pasojë e kësaj situate, ka filluar një valë e re e “eksodit të heshtur” dhe zbrazjes masive e Kosovës nga qytetarët e saj!

1 KOMENT

Komentet janë mbyllur.