Kush ishte Elena Gjika?

0
5082
Elena Gjika

25 SHKURT 2018

Në moshën 10 vjeçe fliste 9 gjuhë, kurse në moshën 14 vjeçe filloi përkthimin e “Iliadës” së Homerit nga gjermanishtja. Në moshën 16 vjeçe ekspozoi pikturat e saj në Dresden. Studioi në Vjenë e Dresden dhe specializoi në Firence. Jetoi në Rumani, Rusi, Zvicër, Francë, Greqi, Turqi dhe Itali. Është femra e parë që u ngjit në maje të bjeshkës më të lartë të Evropës – Mont Blanc në vitin 1860. Kjo ishte Eleni Gjika, me rrënjë shqiptare, e njohur edhe me emrin artistik Dora D’Istria.

Njëra ndër femrat më të ngritura të Evropës, në kohën e saj, Elena Gjika u lind në Bukuresht në vitin 1828 nga prindërit shqiptarë. Ajo u bë e njohur gati në tërë Evropën si shkrimtare, feministe, kompozitore, piktore, udhëpërshkruese – femër me një inteligjencë brilante. Ajo ishte revolucionare, kryengritëse, rebele, me shumë ide politike e sociale para kohës se vet. Mbajti korrespondencë të rregullt me De Radën dhe Gjuzepe Garibaldin. Është ndoshta i pari personalitet intelektual që hodhi idenë mbi një federatë ballkanike ku do të hynin të gjitha vendet e Ballkanit.

Princesha Elena Gjika ishte e afirmuar si shkrimtare, publiciste dhe shkencëtare e një niveli botëror. U bë veçanërisht e njohur me veprën “Femeile in Oriente” (“Gratë e Orientit”, Paris, 1860). Shkrimet i publikonte në 6 gjuhë evropiane.

Ajo asnjëherë nuk i harroi rrënjët shqiptare. Gjika u mor shumë me afirmimin e çështjes kombëtare shqiptare dhe kontribut të madh dha veçanërisht në Lidhjen Shqiptare të Prizrenit. Ishte një studiuese e zjarrtë e folklorit shqiptar dhe u bë me famë për studimet e saj në shumë lëmi të kulturës dhe veçanërisht me studimet “La nationalité albanaise d’après les chants populaires” (“Kombësia shqiptare sipas këngëve popullore”, 1866), “Les ecrivains albanais de l’Italie Méridionale” (“Shkrimtarët shqiptarë të Italisë Jugore”, 1867), “Gli albanesi in Rumenia” (“Shqiptarët në Rumani”, 1873) etj.

Dora D’Istria bëri pjesë në shoqërinë gjeografike më të famshme të Evropës, atë të Parisit. Ajo arriti të zbulojë universin femëror nëpërmjet udhëtimeve të saj të shumta. Në vitin 1867 u bë qytetare nderi e Athinës. Ky titull përpara saj iu dha vetëm Lord Bajronit. Biografia dhe krijimtaria e Elena Gjikës janë shumë të pasura e interesante. Ndaj, sado qe do të lexoni për te, akoma diçka mbetet e panjohur. Për këtë arsye themi: Kush ishte Elena Gjikën. Akoma keni për të mësuar e zbuluar nga jeta e saj.

Në kohën kur Gjika pushtoi majën më të lartë të Evropës, atje nuk ekzistonin kushtet e sotme për ngjitje. Kjo ekspeditë e saj, sot merr edhe kuptim simbolik.

Elena Gjika vdiq në vitin 1888 në shtëpinë e sajë në Firence, Itali. Një rrugë e Firences mban emrin e saj. Aty gjendet edhe pllaka në të cilën është theksuar origjina e saj shqiptaro-rumune. / KultPlus.com