Nga Revista Drini – 29 Janar 2020
Teksa është shënuar përvjetori i 38-të i vrasjes së tre patriotëve, Jusuf Gërvalla, Bardhosh Gërvalla e Kadri Zeka, nga shërbimi sekret jugosllav, në mediat online është publikuar një editorial i gazetës së vetme të asaj kohe, “Rilindja”, e cila godet agjencinë shqiptare të lajmeve ATSH, për mënyrën se si ka raportuar për vrasjen e trefishtë, duke e quajtur të paskrupullt.
Për redaktorët e Rilindjes titulli “Djemtë e Kosovës i vranë serbomëdhenjtë”, e cila është emetuar edhe në Radio Tiranë, është i paskrupullt.
“Rilindja” për më tepër në komentin e saj shkruan se tre veprimtarët ishin vrarë si pasojë “e larjes së hesapeve ndërmjet grupeve emigrante në Gjermani”.
Më 17 janar të vitit 1982, u vranë mizorisht vëllezërit Jusuf e Bardhosh Gërvalla si dhe Kadri Zeka.
Pas vrasjes së tyre, gazeta “Rilindja”, atë kohë kishte shkruar një koment të poshtër duke e quajtur vrasjen e tyre si ”larje hesapesh ndërmjet grupeve në Gjermani”.
Në vijim mund ta lexoni komentin e plotë:
Mllef i ri shovinist nga Tirana
Lexuesit e “Rilindjes” patën rastin që në faqet e gazetës sonë, si dhe të gazetave tjera, të lexojnë para ca ditësh lajmin për vrasjen e emigrantëve shqiptarë nga Jugosllavia në Gjermaninë Federale (vëllezërit Gërvalla dhe Kadri Zeka). Kjo vrasje, sipas informative të shpallura nga policia e vendit, ishte larje hesapesh ndërmjet grupeve në Gjermani.
Radio Tirana para dy ditësh emitoi lajmin e ATSH-së për këtë ngjarje me titull të paskrupullt se “Djemtë e Kosovës” i vranë serbomëdhenjtë! ATSH-ja dhe Radio Tirana pohimin e vetë “mbështesin” në fjalët e të vrarit Jusuf Gëvalla gjoja të thëna para vdekjes.
Shprehja e mllefit shovenist nga valët e Radio Tiranës dhe të shtypit të Shqipërisë s’është shfaqje e re. Është vetëm për t’u çuditur se si një organ zyrtar dhe radioja zyrtare e një vendi, rastet të tilla mund t’i shfrytëzojë për të mbjellë urrejtje shoviniste ndërmjet popujve në Jogusllavi për të bërë dezinformime dhe shpifje kundër fqinjit pak ditë pas deklaratës solemne të kryetarit të ri të qeverisë së Shqipërisë-se dëshiron marrëdhënie të fqinjësisë së mirë me Jugosllavinë?
Përgjigja e kësaj pyetjeje gjendet vetëm në faktin e vërbërisë politike dhe të ngarkesave shoviniste të vetë autorëve të artikujve e informative të tilla në shtypin dhe propagandën e Shqipërisë. Vetëm nga një ngarkesë e tillë mund të dalin pohime të tilla, siç janë ato të ATSH-së dhe të Radio Tiranës.
Sa u përket “deklaratave” të të vrarëve, ato, edhe po të thuheshin, nuk mund të ishin të tjera, sepse për ta vetëm Jugosllavia e sistemi i saj janë armiq. Miq të tyre janë vetëm reaksioni botëror, grupet e ndryshme antijugosllave të vjetra e të reja, të lidhura me kushedi çfarë shërbimesh informative secrete. E mu këto shërbimë, siç duket, ua kanë ngrënë kokën duke i përdorur ata si viktima për kusur ndërmjet tyre, qofshin ballistë, çetnikë, ustashë, “marksist-leninistë” e kushedi çfarë.
Popujt tanë, as shqiptarët e as serbët nuk kanë të bëjnë me aktet e këtyre grupeve kriminale emigrante, desertorësh e tradhtarësh të vendit.
Radio Tirana e ATSH-ja as kësaj radhe nuk zgjodhën as rastin e as mjetet për të shfaqur armiqësi kundër Jugosllavisë, për të nxitur urrejtje në mes shqiptarëve dhe serbëve dhe kështu edhe një herë vërtetuan dyftyrësinë e politikës së udhëheqjes, së cilës i shërbejnë: në njërën anë fjalët e mëdha për bashkëpunim, e në anën tjetër shpifje e urrejtje.
Është punë e ATSH-së, si dhe e Radio Tiranës si sillen. Por është edhe punë e jona të themi se: kur dikush ne dikënd lan hesapet në botë, nuk duhet të shftyrëzohet për shprehje të shovinizmit dhe të urrejtjes kundër nesh, as kur autorët e informative të tilla si kjo e ATSH-së dhe Radio Tiranës që qëndrojnë prapa veprimeve kriminale antishqiptare e antijugosllave-siç qenë ato të Jusuf Gërvallës dhe të shokëve të tij.
Jusuf Gërvalla, ish-gazetari i “Rilindjes”.
Shënim i Revistës Drini
Edhe nëse autorët që e kanë shkruar këtë shkrim manipulues-antishqiptar, deri tash nuk kanë rrëfyer publikisht se pse e shkruan këtë shkrim dhe eventualisht nga kush u porositën apo detyruan për shkrimin e tij, mbetët detyrë e miqëve dhe shokëve të shumtë që i kishte Jusuf Gërvalla në “Rilindjen” e dikurshme, – ku punonte si gazetar i rubrikës së kulturës, që pa keqardhjen më të vogël t’ia bëjnë të njohur opinionit publik emrin apo emrat e autorëve të këtij shkrimi.
Për ata që punonin në gazetën “Rilindja” dhe që kishin sado pak informata se si punohej dhe veprohej aty, ka qenë e ditur mirë, që prej demonstratave dhe protestave të Pranverës së Vitit 1981 në Universitetin e Prishtinës dhe mbarë Kosovën, në gazetë janë shkruar shkrime të këtilla të porositura, që shpeshherë shkruheshin nga dy, madje edhe tre veta, “të zgjedhur” dhe “politikisht të ngritur”, që caktoheshin nga ana e ana e kryeredaktorit aktual dhe ekipit të tij.
Pra, kush ishte kryeredaktori në kohën kur u shkrua ky shkrim dhe njëherit kush ishin autorët e tij, që tregohen aq mizorë dhe të pandjeshëm, sa që për Njeriun dhe kolegun e tyre të deridjeshëm i shprehin mendimet ma të turpshme e më të pashpirta, që mund t’i shprehë njeriu ?!…