Kush është Zoti sipas fizikantit Hawking

0
450
Steven Hawking

KultPlus.com, 7 maj 2019

Për më shumë se 50 vite, vdekja ka qenë një pjesë e trishtë e jetës së jashtëzakonshme të Stephen Hawking-ut.

Fizikanti i njohur i cili vdiq në moshën 76 vjeçare, nuk shpresonte se do ta priste ditëlindjen e tij të 25-të, pasi në moshën 21 vjeçare ishte diagnostifikuar me një sëmundje neuro-degjenerative të pashërueshme.

Ndonëse Hawking i mposhti vështirësitë për pesë dekada, në vitin 2011 ky shkencëtar kishte thënë për “The Guardian” se vdekja s’ka qenë asnjëherë larg mendjes së tij.

“Për këto 49 vite kam jetuar me përspektivën e një vdekje të hershme. Unë s’kam frikë nga vdekja, por as nuk po nxitohem drejt saj. Deri në atë ditë, kam shumë gjëra për të bërë”, kishte thënë Hawking.

Në vazhdim po ju paraqesim disa nga mendimet më interesante të këtij shkencëtari rreth vdekjes, jetës së përtejme dhe Zotit.

Hawking nuk besonte në parajsë

Ky shkenctar kishte një pikëpamje pragmatike rreth asaj se çfarë ndodh me trupin dhe trurin pas vdekjes.

“Unë e konsideroj trurin si një kompjuter i cili do të ndalojë së punuari atëherë kur përbërësit e tij dështojnë”, kishte thënë ai për “The Guardian”. “Për kompjuterët e prishur nuk ekziston parajsa e as jeta e përtejme; kjo është vetëm një përrallë për njerëzit që kanë frikë nga errësira.”

Ai besonte në “një Zot të papërcaktuar”, por jo në një krijues

Hawking i referohej emrit të Zotit në librin e tij themelor “Një histori e shkurtër e kohës” (A Brief History of Time), ku shkruante se nëse fizikantët do të mund të gjenin një “Teori të gjithçkaje” – e cila do të ishte një shpjegim i ndërlidhur rreth asaj se si funksionon gjithësia – ata do të mund ta vërenin “mendjen e Zotit”.

Por në disa intervista dhe shkrime të mëvonshme, si ajo e vitit 2010 e titulluar “The Grand Design”, Hawking ka sqaruar se ai nuk ka qenë duke iu referuar një krijuesi në kuptimin tradicional.

“Krijimi spontan ose i vetvetishëm është arsyeja që ekziston diçka në vend të asgjëje, që ekziston gjithësia, që ekzistojmë ne”, shkruante ai në “The Grand Design”. “Nuk është e domosdoshme të thirret Zoti për ta ndezur “Letrën e kaltërt” dhe ta vë gjithësinë në lëvizje.”

Përdorimi i fjalës “Zot”, kishte thënë Hawking për “Times” pas publikimit të librit, është më shumë figurativ se sa i mirëfilltë.

“Zoti është emri të cilin njerëzit ia japin arsyes se përse ne jemi këtu” kishte thënë ai. “Mirëpo unë mendoj që arsyeja është ligj i fizikës, më tepër se sa dikush me të cilin mund të kesh një marrëdhënie personale. Një Zot i papërcaktuar.”

Hawking e konsideronte veten Ateist

Në një intervistë për gazetën spanjolle “El Mundo”, Stephen Hawking kishte folur mjaft qartë për mendimet e tij mbi Zotin,

“Para se ta kuptojmë shkencën, është e natyrshme për ne të besojmë që Zoti e ka krijuar gjithësinë. Por shkenca sot ofron një shpjegim shumë më bindës”, kishte thënë ai. “Ajo që kam menduar kur kam thënë se ‘ne do ta njihnim mendjen e Zotit’ është që ne do ta njihnim çdo gjë që Zoti do ta njihte, nëse ai do të ekzistonte, por që nuk ekziston. Unë jam një Ateist” kishte thënë Hawking.

Por prap mendonte se gjithësia e kishte një kuptim

Sipas gazetës prestigjioze amerikane “The New York Times” edhe pse Hawking-u refuzonte ta përdorte termin tradicional “Zot” ose “Krijues”, ai thellësisht besonte se gjithësia dhe jeta e kanë një kuptim.

“Mos harroni të shikoni lartë tek yjet dhe jo poshtë tek këmbët. Tentoni t’i jepni kuptim asaj që e shihni dhe vriteni mendjen rreth asaj se çfarë e bënë gjithësinë të ekzistojë” kishte thënë Haëking mbi kuptimin e jetës.

“Bëhu kurioz. Sado e vështirë mund të duket jeta, ekziston gjithmonë diçka që mund të bësh dhe të kesh sukses.”