Shkruan Prof. Zymer Mehani
Njëri prej poetëve bashkëkororë të letërsisë shqipe është edhe z. Sami Sherifi, krijues mërgimtar, meqë rreth 34 vjet të jetës së tij i kaloi në mërgim, kryesisht në Zvicër.
Sami Sherifi u lind më 15 shkurt 1950 në fshatin Sillare e Poshtme të Shkupit. Pas mbarimit të Shkollës Normale “Zef Lush Marku”, z. Sherifi ushtroi detyrën e mësimdhënësit në periudhën 1969-1981, kohë kjo, kur shumë intelektualë të shquar shqiptarë, në mesin e tyre edhe Sami Sherifi, detyrohen të largohen në egzil për shkaqe të përndjekjeve politike.
Z. Sami Sherifi diplomoi në Degën e Pedagogjisë, Grupi klasor në Universitetin e Prishtinës. Me krijimtari letrare nisi të merrej që prej vitit 1969. Veç të tjerash poeti, Sherifi shquhet edhe për kultivimin e traditës dhe të kulturës sonë kombëtare në mërgatë.
Poeti Sami Sherifi deri më tani ka botuar disa vëllime poetike.
Botimi i librave të tij është bërë jashtë atdheut, në Itali dhe në Rumani, me cytjen e miqve krijues, z Ismail Iliazi, me vendqëndrim në Itali dhe z. Baki Ymeri, me vendqëndrim në Bukuresht, të cilët autori për punën që e bëjnë me botime në frymën kombëtare dhe për ndihmën që i bënë për botime, i falënderon nga zemra dhe u është mirënjohës përjetësisht.
Poeti Sami Sherifi është i përfshirë me poezitë e tij në disa antologji poetike. Për krijimtarinë e tij letrare janë interesuar edhe disa gazeta e revista, siç është revista letrare “ALBANEZUL “(Shqiptari) e Bukureshtit, e cila një numër tematik ia kushton jetës dhe krijimtarisë së poetit, Sherifi (nr. 6. 2014). Pastaj, për krijimtarinë e këtij poeti interesim kanë shfaqur edhe shtëpi të ndryshme televizive, si TV SHENJA e Shkupit etj. etj.
Vlen të theksohet se poeti, Sherifi gjatë periudhës së viteve 1970-1981 për shtyp i kishte dërguar në SH. B “Flaka e vëllazërimit” tri përmbledhje poetike, të cilat lëre që nuk ia botuan, por ç’është më e keqja, edhe ia zhdukën fare.
Miku i z. Sami Sherifi, poeti Baki Ymeri, me banim në Bukuresht për poezinë e këtij poeti do të shkruajë:
“Idetë, provokimet, përvojat dhe frymëzimet krijojnë vepra dhe ikona letrare. Rikthimi në vendlindje nxjerr në pah botën magjike të një kohe të shkuar. Autori, Sami Sherifi ruan në këto shëtitje mallin e kohës së fëmijërisë dhe të rinisë. Ide pragmatike dhe inspirime të mirëfillta lirike. Duke menduar për ato kohë të largëta, poetit i duket sikur është më afër me aromën e barit , me zhurmën e bletëve, me ylberin e fëmijërisë. Që të depërtosh në botën e fëmijërisë duhet të mahnitësh botën.
Sami Sherifi nuk shkruan poezi për fëmijë, por për të rritur. I kujtohet koha kur fëmijët e mëhallës kafshatën e bukës e ndanin me njëri-tjetrin, kur dielli zbriste në zenit. Bota pa kujtime është si livadhi pa lule. Kjo mahnitje nxit interesim për gjithçka që na rrethon, dhe mu kjo përbën pikënisjen për çdo poezi….”.
Deri më tani poeti, Sami Sherifi ka botuar këto përmbledhje me poezi:
1. “Mallëngjim Dheu (i botuar dhe promovuar në Itali);
2. “Si të kthehem në atdhe” (i botuar në Bukuresht);
3. Porta e Parajsës”( botuar në Bukuresht);
4. “Dielli i atdheut tim” (i përkthyer edhe frengjisht “Le
solcit de ma patria”);
5. “Shpirti” (i përkthyer edhe në rumanisht”Sufletul”);
6. “Ëndrra e madhe mërgimtare (në shqip, e përkthyer në
anglisht dhe rumanisht).
7. “Dridhet fjala si fije bari” etj.
Pra, të gjitha këto vëllime poeti i ka botuar në Bukuresht dhe njërën syresh në Itali.
Aktualisht, poeti, Sami Sherifi gati për botim i ka edhe tri përmbledhje me poezi.
Pas kthimit nga mërgimi z. Sami Sherifi është i angazhuar në jetën kulturore dhe artistike në Shkup, ku edhe formon Klubin Letrar “ABC-ja Poetike”, të cilën e udhëheq me sukses.
Vitin e kaluar z. Sherifi pat organizuar në Bllacë një Orë Letrare, që përveç karakterit poetiko-letrar, kishte për qëllim që të rikujtohet eksodi i vitit 1999. Poeti Sherifi ka organizuar edhe shumë takime letrare dhe ka marrë pjesë në shumë veprimtari kulturore si në Shkup, Prishtinë dhe në qendrat e tjera shqiptare, ku është shpërblyer me mirënjohje dhe çmime.
Dhe fare në fund, poetin e talentuar, z. Sami Sherifin e falënderojmë për ndihmën që na ofroi, duke na dhënë informacione të nevojshme për ta përgatitur këtë biografi të shkurtër të tij.
Në emrin tim dhe të lexuesve tanë besnikë, poetit Sami Sherifi i urojmë shërim sa më të shpejtë, meqë këtyre ditëve pati një ndërhyrje kirurgjikale në sy.
Me respekt të veçantë!
Prof. Zymer Mehani, Podujevë, më 15 tetor 2016