Nga Ryzhdi Baloku
Në përpjekje për ta nxitë ndërgjegjësimin e njerëzve në eliminimin e ca dukurive brengosëse, qofshin ato të shkaktuara nga personat e rëndomtë, apo nga personalitetet e caktuara vendimmarrëse, madje edhe nga ata të kastave politike shqiptare të të dy anëve të Drinit, më kanë shtyrë që me tehun e kritikës të reagoj në rrjetin social “facebook”, përmes ndonjë citati apo aforizmi, e ndonjëherë edhe me shkrime, të cilat i kam publikuar nëpër gazeta të ndryshme elektronike.
Me këtë rast vendosa që disa nga ato aforizma e shkrime t’i sistemoj, në trajtë të përmbledhjes së esencës së tyre, për të cilat edhe kam reaguar deri tash.
Për ta kuptuar më mirë qëllimin e këtij shkrimi, do t’ia filloj me përshkrim të një historie përjetimi.
Një shok imi poet, tashmë i ndjerë, i anës së Llapushës, i cili kështu kishte dëshirë ta identifikonte trevën nga vinte, shpeshherë më thoshte: “Shoku im …, nuk e kemi moshën për të lexuar çfarëdo qoftë”. E kishte fjalën për shkrime e libra pa ndonjë vlerë, të cilat ishin publikuar e botuar kohëve të fundit. Në bisedë e sipër e vazhdonte: “S’e kemi moshën për ta humbur kohën me çështje politike. A s’po e sheh se kush po merret sot me këtë profesion?! Ata, që pos abetares s’kanë lexuar libër tjetër !
Nga ajo kohë, i pata dhënë detyrë vetes që t’i shmangem politikës dhe të merrem vetëm me krijimtari letrare.
Për t’ia bërë me dije opinionit neutralitetin tim partiak, para se të fillonte fushata zgjedhore e pata bërë një deklaratë përmes “facebook-ut” me tekstin si vijon: “Të nderuar miq ! Meqë tashmë në Kosovë ka filluar procesi i zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, ju bëj me dije se në asnjë mënyrë nuk dëshiroj të bëhem pjesë e kësaj fushate zgjedhore, qoftë edhe në formë të tërthorët, andaj gjatë kësaj kohe nuk do t’ju bëj komente përkrahëse, e as pëlqime shkrimeve të postuara në “facebook”, që janë me përmbajtje politike dhe kanë karakter garues”.
Megjithëkëtë, shikuar nga ana tjetër e ndijimit njerëzor, nuk po mundem me qenë indiferent ndaj shpërfaqjes së disa dukurive të papëlqyeshme që po e përshkojnë qenien shqiptare. Nga ky aspekt më ka ndodhur që herë pas here në rrjetin social “facebook” ta postoj ndonjë aforizëm apo ndonjë shkrim që sado pak të ndikoj në luftimin e këtyre dukurive, jo vetëm politike, por edhe për ato që kanë të bëjnë me jetën e qytetarëve në përgjithësi. Sidomos indinjohesha ndaj shkrimeve letrare që i shërbenin politikës, andaj në faqen time të këtij rrjeti e pata postuar tekstin: “Nëse krijimtaria letrare e artistike i dedikohet qëllimeve politike, me pretendim për të arritur përfitime apo favore personale a kolektive, atëherë ajo do ta kryejë detyrën e shërbëtores dhe aty për aty arti do të vdesë”.
Në përpjekjen time për ndërgjegjësimin e njerëzve, gjithashtu, kam postuar shpeshherë edhe aforizma dhe mendime të personaliteteve me reputacion kombëtar e ndërkombëtar, si p.sh.: “S’duhet t’i djegësh librat për ta shkatërruar një kulturë. Thjesht bëju shprehi që mos t’i lexojnë”, mendim nga shkrimtari amerikan Rej Bredbëri (Ray Bradbury), ose atë të fituesit të çmimit “Nobel”, të shkrimtarit peruan Mario Vargas Llosa, i cili jeton në Madrid. Ai gjatë një interviste thotë: “Populli që nuk lexon, manipulohet lehtë”.
Në një studim të vitit 2013 nga ”Pew Research Center”, shkruan se mesatarisht një amerikan i lexon 5 libra në vit. Themeluesi i Microsoftit dhe njeriu më i pasur në botë, Bill Gejts (Bill Gates), gjatë një interviste për “The New York Times” tregon se sa shumë kanë ndikim librat tek ai. Ky pohon se leximi për të është jashtëzakonisht i rëndësishëm dhe se i lexon 50 libra në vit.
Vështruar nga ky aspekt, këto ditë lexova se në botën e internetit vëmendja e jonë tërhiqet në miliona drejtime dhe gjërat që shohim janë të ndryshme.
Me librin është ndryshe, aty gjendet vazhdimësia e të njëjtës histori dhe vëmendja e lexuesit përqendrohet dhe fokusohet në një gjë. Pos ngritjes profesionale dhe pasurimit të dijes e fjalorit përmes librave, një roman i shkruar mirë do ta largojë mendjen nga të gjitha gjërat që stresojnë dhe lexuesi do të ndihet i relaksuar.
Në vazhdën e përpjekjes time lidhur me ndërgjegjësimin e njerëzve, kam cituar thëniet e mendimtarëve apo personaliteteve më me nam. Në këtë kuptim, në rrjetin social “facebook” e kam postuar thënien: “Njeriu i lig i ngjan thesit të qymyrit: jashtë i zi, brenda edhe më i zi”, mendim nga Sami Frashri, apo “Shumë njerëz do të tmerroheshin sikur në pasqyrë, në vend të fytyrës të shihnin shpirtin e tyre”, mendim nga miku i shqiptarëve, aktori me famë botërore Riqard Gir (Richard Gere), etj.
Të gjithë jemi dëshmitarë të pasurimit enorm të politikanëve, kushdo qofshin dhe kudo qofshin ata, të cilët “brenda natës” krijuan pasuri përrallore, që mendja e shëndoshë s’e kap. Andaj, sipas mendimit tim, pasuria e fituar nga politika është e pandershme dhe një ditë në një shtet normal ajo duhet konfiskuar, siç ka ndodhur edhe në Kroaci.
Për ata që merren me politikë, është shumë i vlefshëm mendimi i mikut tonë, gjeneralit amerikan dhe ish komandantit të NATO-s z.Vesli Klark (Wesley Clark), i cili thotë: “Nëse doni të keni shtëpi në Monako, pastaj shtëpi tjetër në mal, anije të shpejta, pushime dhe skijim në bjeshkë etj., merruni me biznes e jo me politikë dhe e fitoni atë si duhet”.
Si një ndër dukuritë më negative që e përfshijnë një shoqëri janë ndodhitë e vrasjeve, qofshin ato me prapavijë politike apo biznesi, që të dyja e dëmtojnë shtetin.
Pasi që në një portal e lexova artikullin me titull “Vrasja e kryearkitektit të kryeqytetit”, nga ai shkrim e shkëputa tekstin si vijon: “Me vrasjen mizore të kryearkitektit të kryeqytetit u vra e tërë urbanistika e Kosovës, filloi shkatërrimi i të gjitha qyteteve kryesore … Të gjitha këto krime urbane janë bërë në emër të atdhetarizmit apo »patriotizmit« të rrejshëm …”.
Bazuar në këtë këndvështrim, përpiqem që edhe shkrimet e mia të kontribuojnë në drejtim të mirëqenies së qytetarëve dhe të konsolidimit të shtetit në veçanti, qoftë në Kosovë apo Shqipëri.
Si gjithmonë edhe tash, hebrenjtë i zbrazin xhepat dhe kasafortat pa kurrfarë hezitimi, për ta mbështetur e forcuar shtetin e tyre, ndërsa shqiptarët e sotshëm, andej dhe këndej Drinit po ia rrëmihin edhe themelet e shtetit, vetëm për t’i mbushur xhepat dhe kasafortat e tyre.
Çfarë ndodhi deri më tash në Kosovë?! Sa më shumë që varfërohej shteti dhe qytetari, aq më tepër pasurohej pjesa dërmuese e politikanëve. Kështu, politikanët zunë pozitë më të lartë se vetë shteti. Andaj më këtë u vra edhe shpresa për të ardhmen e këtij vendi, pothuajse gjysma e rinisë iku jashtë. Çudi, kështu është tash e njëzet vite ! Kështu, njëjtë është edhe në Shqipëri. Tani e tutje, uroj që Kosova e Shqipëria s’do të mbesin në pleq, të cilët s’kanë kah t’ia mbajnë !
Për rrenat që fliten dhe bëhen të mërzitshme nga përsëritja, është një metaforë sarkastike që pejanët të tillëve u përgjigjen me thënien: “U ngi Kadria dajre”. Tashmë, i madh e i vogël e di se interesi i shumicës së politikanëve tanë për njëzet vitet e shkuara nuk kishte qenë shtet-ndërtimi, por si të pasurohen.
Kështu, vit pas viti e ditë pas dite, Serbia arriti që në sytë e botës të shndërrohet nga agresori dhe gjenocid-bërësi në viktimë e shtet paqësor, ku madje edhe pjesën kryesore të “Shtëpisë së Bardhë” e bënë për vete, kurse në anën tjetër Kosova arriti të shihet si një shtet me oligarkë milionerë, e me popullsi të varfër, ku shtetësia e saj ka ardhur në një gjendje rreziku… !
Një ndër dukuritë më të dëmshme që mund ta kaplojë shtetin, mendoj se është “vrasja e shpresës” për një jetë më të mirë të qytetarëve të vendit, Andaj në një postim timin shkrova: Peja, qyteti im. Po e them se është qyteti im, në aspektin e ndjesisë shpirtërore që kam për të. Arsyeja është e thjeshtë: Aty u linda e u rrita dhe në të po plakem me brengën se përditë e më shumë kjo qendër banimi po zbrazet si qytetet tjera, nga të rinjtë e dëshpëruar, për shkak të pa perspektivës që e ka kapluar vendin tash e sa kohë.
Për fat të keq, këta të rinj ende po ikin, po e lëshojnë vendin e vet duke e marrë botën në sy, me shpresë se do të gjejnë punësim adekuat për ta ndërtuar jetën, nëpër shtetet e ndryshme të Evropës, SHBA, Kanada, Zelandë të Re etj.
Meqë atdheu nuk është “bahçja e babës”, që të shitet e të bëhet çfarë të duash më të, atëherë lind pyetja, po kush janë ata që do t’ia kthejnë shpresën këtij vendi, ku secili i ri do të dëshironte të krijojë familje e ta gëzojë atë me dinjitet njerëzor deri në fund të jetës.
Besoj se edhe ju miqtë e mi do të pajtoheni me mendimin, se këtë shpresë nuk mund ta kthejnë të moshuarit, për shkak të natyrës njerëzore që e krijon jeta, andaj vetvetiu arrijmë te konstatimi logjik se e vetmja zgjidhje është që fatin e kombit ta marrë në duart e veta gjenerata e re, e cila është e shkolluar dhe ka vullnet për t’i zgjidhur çështjet me të cilat po ballafaqohet vendi.
Pra, ky është perceptimi im për rininë e Kosovës, që vlen për të gjitha trevat shqiptare, e cila me dije dhe vullnet mund t’i shpie çështjet përpara, në të mirë të atdheut, gjë që konsideroj se, për këtë arsye duhet edhe t’ua falim besimin të rinjve tanë.
Pas këtij postimi, në rrjetin social “facebook” e gjeta përgjigjen e kësaj ikjeje, në poezinë e poetit Ilir Hajdari nga Gjakova, i cili shkruan:
Kërkova të hy në punë
Më thanë duhesh me ju hy në bythë
Prej punës njeriu gjen flori
Prej bythës vetëm mut …
Pos shkrimeve të cekura, me tehun e kritikës time në faqen e “facebook-ut” shkrova: Haj medet ?! Këta tanët, jo vetëm që s’kanë pasur dije të bëjnë politikë e të ndërtojnë shtet, por as nuk i kanë pyetur ata që duhet. Të gjithë e dimë, se pranë vetes i mbanin të dëgjueshmit e padijshëm, këshilltarë pa fije shkolle, vetëm sa për t’u dukur më të mençur se tjerët, e të bëjnë çfarë të duan. Silleshin sikur bota po rrotullohej rreth tyre. Pra kështu, nga pangopësia e tyre, dalëngadalë erdhëm në situatën që jemi. Na u ndërruan rolet. Tani Serbia në sytë e botës po e luan rolin e viktimës, edhe pse deri dje ishte xhelat i pamëshirshëm ndaj shqiptarëve !
Na ruaj Zot nga poltronët dhe karrieristët, sepse janë në gjendje që për një “karrige bythe” të na sjellin edhe Serbinë në Kosovë, ku pastaj s’do të ketë më shqiptarë.
Kush na ka faj, për këtë situatë që jemi ?!
S’ka thënë kot Faik Konica: “Ruaje Zot Shqipërinë nga shqiptarët”.
Nga dëshpërimi për situatën e ndodhjes së shqiptarëve, në “facebook” e postova edhe shkrimin me thënien e njohur të Napoleon Bonapartës: “Më shumë vlen një ushtri gomarësh që e udhëheq një luan, se sa një ushtri luanësh që e udhëheq një gomar”.
Nëse fjalët gomar e luan do t’ i konsideronin figura stilistike dhe ato të zëvendësoheshin me fjalët popull dhe pushtet atëherë lind pyetja: Në Kosovë e Shqipëri, kush është “luani” e kush është “gomari”?!