KUSH ËSHTË I IDEOLOGJIZUAR?

0
499
Arben Çokaj

sqarim

Arben Çokaj

Gjatë diskutimit me njerëz, shpesh bie fjala, në lidhje me komunizmin, që bëri shtet diktatorial dhe demokracinë e sotme në tranzicion, që nuk po bën ende shtet.

Tani, të jesh komunist – je i ideologjizuar, kuptohet. Por të jesh anti-komunist, pa logjikë e arsye, a je i ideologjizuar?! Po! A je i ideologjizuar kur i nënshtrohesh një feje monoteiste, katolik apo musliman? Po, je i ideologjizuar! Pra, duhet të kuptohen këto gjëra, dhe është edhe e ditur, se një ideologji e kundërshton dhe e përjashton tjetrën.

A je i ideologjizuar kur mbron vlerat kombëtare? Po je, por e gjithë Evropa pas Revolucionit francez krijoi shtete nacionale, laike, duke e ndarë fenë nga shteti, dhe përparoi jo nga feja, por pikërisht se largoi fenë nga shteti e pushteti. Por ne shqiptarët po merremi ende kryesisht me fe dhe diskutime fetare, duke e lënë interesin kombëtar mënjanë. Kemi vetëm katolikë patriota, muslimanë që duan fenë e turkut dhe mbrojnë heronjtë turq, e prapë ata duan të vlerësohen mbi këto premisa si atdhetarë shqiptarë, pa bërë ndonjë gjë për interesat kombëtare.

Filozofi Blerim Latifi sqaroi para pak ditësh në një shkrim se Iluministët evropianë treguan se njerëzit e krijuan fenë, pasi nuk ishin në gjendje të kuptonin ligjet e zhvillimit të natyrës e shoqërisë. Me njerëz të ndryshëm e nivele të ndrydhme flas shpesh edhe unë në FB. Latifi tha gjithashtu një fjalë të mençur, se kur njerëzit mendojnë se Zoti ndërhyn në rregullimin e jetës sonë, nuk zbatohet ligjshmëria në atë vend! Këtë, a e kuptojnë patriotat e fesë?! Vështirë e kanë. Dmth. po qe shumë fetare një shoqëri, ke tendenca si shoqëri të mos i respektojë ligjet e shtetit. Kjo po ndodh rëndom. E me këtë fenomen ndeshemi edhe ne, pasi shumë njerëz nuk po i zbatojnë ligjet e shtetit në shoqërinë shqiptare, por i kanë lënë punët në duart e Zotit. E këtë fenomen e kanë të vështirë ta kuptojnë disa nga miqtë e mi realë e virtilualë.

Mbështet psh. Prokurorinë në arrestimet e zyrtarëve të korruptuar, del telektuali/lja katolik e patriot nga Lezha e të thotë “komunist”. Pasi shqiptarët në histori, shtet shqiptar funksional kishin vetëm gjatë komunizmit, edhe pse këtë nuk duan ta pranojnë. Po çfarë shteti more ishte ai? – hidhen e të thonë ‘patriotat’ fetarë (se Enveri ua ndali kultivimin e neurozave fetare për 23 vjet), që i janë nënshtruar një ideologjie fetare, duke mos qenë në gjendje ta kuptojnë, se të jesh komunist është e ngjashme si të jesh katolik, apo edhe musliman, pra do të keshë një ideologji të caktuar, që ti e ndjekë.

Diskutimet e hapura nuk ke shans t’i bësh me njerëz të ideologjizuar, komunistë, anti-komunistë apo fetarë. Thomas Paine ka thënë në librin e tij “Common Sense“, pak a shumë se: “Të argumentosh me një besimtar fetar, është sikur t’i japësh ilaçe një të vdekuri.” Paksa agresive e thënë, por e ka të vërtetën brenda. E këtë e sheh në fakt kur hyn në diskutime me besimtarët e fesë, katolikë apo muslimanë qofshin, nuk mbushin more vëlla fare! Kujtojnë se të jesh katolik, je automatikisht edhe patriot! etj. etj. Por nuk je!

Nuk mundesh të mbrosh asgjë funksionale të kohës së komunizmit, as objektivisht, pa u ndeshur me akuzat e menjëhershme nga anti-komunistët emocionalë e nihilistat, “ik ore, ai sistem nuk bëri asgjë”. A po mbron komunizmin a?! Kur vjen puna te komunizmi, unë nuk e mbroj. Ajo ishte një ideologji dhe sistem i gabuar, i keq e vrastar, që dështoi edhe ekonomikisht. Por nuk mund ta mohojmë faktin, se ai regjim i bëri edhe disa të mira, sidomos për ne shgqiptarët, që nuk po mund t’i bëjmë as sot. E kjo duhet të na brengosë! Të na bëjë të mendojmë mirë, e jo të reagojmë emocionalisht! Si duhet të veprojmë ne sot, për ta bërë shtetin demokratik funksional e të suksesshëm? Që të mos dështojmë!

Po mirë, a e ndali eZanin ai sistem? Bile më shumë. E ndali edhe eZanin edhe kumonën. Gabim thotë besimtari katolik, edhe xhamitë janë vende lutjeje, që i shërbejnë Zotit… E vërtetë, por ma gjej një vend musliman modern e të zhvilluar, pastaj flasim bashkë. Ashtu si nuk mundet të jetë demokratik, një vend komunist. Tani këto që them unë nxjerrin në dritë disa fenomene, që kanë të bëjnë me dijen, botëkuptimin e njerëzve, ideologjinë, prirjen racionale, apo irracionale, të mendimit apo shoqërisë.

Një gjë duhet të jetë e qartë, njeriu është produkt i dashurisë së tij. Nëse je i dashuruar pas fesë, je fetar. Pas Jezu Krishtit, katolik. Pas Muhamedit, musliman. Pas atdheut, atdhetar. Pas seksit të kundërt, heteroseksual. Pas seksit të njëjtë, homoseksual. Pas komunizmit, komunist, etj. etj. Këto i ka sqaruar Frojdi me kohë, por jo të gjithë e kuptojnë Frojdin, madje as Blerim Latifin, që është më i thjeshtë. Dikush kupton Sytarin, e dikush tjetër Dom Gjergj Metën…

Por kur vjen puna te shteti, shteti nënkupton që ligjet e tij të zbatohen. Është shteti demokratik apo ideologjik, komunist si në Kinë apo regjimini Enverit te ne, islamik si në vendet arabe etj. është shtet, e quhet shtet funksional sa të zgjasë, nëse ai shtet i respekton ligjet e veta. Por këtë nuk e kuptojnë disa, edhe pse janë katolikë, vetëm se respektojnë doktrinën katolike. Ata flasin e vlerësojnë me ndjenjë, jo me arsye. Pse thua se shteti komunist funksionoi e i bëri edhe shumë gjëra të mira, nuk dmth. se je komunist, por kjo është njohje more e fakteve objektive, pa qenë i ideologjizuar. Por ideologjia tjetër, katolike e muslimane, apo edhe anti-komuniste e bën tjetrin të shprehet emocionalisht kundër asaj, që nuk është e vetja, e në disa (shumë) raste kundër arsyes.

Unë edhe me kosto reputacioni e mbështeta politikën e Presidentit Trump gjatë fushatës në SHBA, edhe pse ndikimi im ishte minimal, për të mos thënë fare. E mbështeta pasi mendoj se në Evropë shoqëria ka anuar keq majtas, dhe kjo është e rrezikshme sot por edhe për të ardhmen, dhe u gëzova që Amerika ka ende energji të nxjerrë kandidatë të djathtë (se ne në Shqipëri e në Evropë nuk jemi), që janë mjaft racionalë dhe oftojnë e premtojnë politika të dobishme për shoqërinë. Dhe pavarësisht defekteve, Trump po tregon se është në gjendje t’i bëjë disa gjëra të mira në SHBA.

Tani si përfundim, që të jem edhe unë i qartë para të tjerëve që kuptojnë, unë jam për politika të djathta, duke ruajtur një farë ekuilibri, jo politika ekstreme. Jam për shtetformim, përmes një shteti demokratik e ligjor, me ligje që zbatohen e respektojnë të drejtat dhe liritë e individit. Jam për vlerësime objektive dhe jo të ideologjizuara apo të indoktrinuara. Jam iluminist në mendime dhe synoj ndriçimin e mendjes së njerëzve, ndërgjegjësimin e tyre dhe përdorimin e arsyes racionale e jo të ideologjisë e besimit irracional.

Por shumica e njerëzve janë viktimë e ideologjisë dhe drejtohen nga pavetëdija, ndjenjat dhe emocionet. E këto njerëz, edhe kur kanë kuptueshmëri, mund të mos i lënë pikërisht besimi i tyre ideologjik, ndjenjat e emocionet, që të përdorin arsyen, qoftë edhe në vlerësime!

Nuk je atdhetar pa dhënë kontribut për atdheun. As nuk je shtetformues, kur nuk i zbaton e kupton ligjet që ndërtojnë e prosperojnë shtetin… A jemi të qartë? Vështirë të të kuptojnë të gjithë, sado i qartë të jesh. Pasi gjërat shpesh janë më të ndërlikuara se duken dhe ku hyjnë interesat, arsyeja bëhet zero!