Iliriana Koleka
– Size the moment – kape çastin ose e shqipëruar “shfrytëzoje rastin” – thonë anglezët dhe kush më mirë se Xheremi Korbin e di këtë punë?
Vetëm para tre javësh s’ia vinte njeri në pullë këtij adhuruesi të Enver Hoxhës, kurse sot, pak ditë para zgjedhjeve në Angli flitet, që do të bëhet ai kryeministri i ardhshëm mbas Mejit dhe Kameronit, që e kanë menderosur fare.
Pse kryeministrja Mej paska humbur besimin e popullit anglez?
Histori e gjatë… Duhet të kthehemi ca vjet mbrapa që të kuptojmë lidhjen e Tereza Mejit me terrorizmin e Mançesterit, se një lidhje ka.
Që thoni ju, ky kalamani xhihadist Salman Abedi (20 vjeçar) që vrau kalamajtë tanë në Mançester, ishte libian dhe anglezët në Libi i kanë duart e lyera me gjak deri në bërryl.
E dini që arësyet e atentatit të Mançesterit, në të cilin vdiqën 22 veta mbahen të fshehta, si sekrete të politikës jashtme britanike dhe sot e kësaj dite?
Kjo jo, për të mos ngatërruar më tej, të koklaviturat zgjedhje e reja në Britaninë që e ha ujku me brexit, po thjesht se janë të lidhura me aleancën e vjetër, që kanë bërë Britania e Madhe e SHBA-ja me islamizmin ekstremist, atë që njihet si Vahabizëm ose Salafizëm, kreu kryesor si dhe bankieri i të cilës s’është kush tjetër veç Arabisë Saudite.
Ops, sa po i shiti 110 miliard $ armë Trampi sauditëve. Po dhe britanikët s’dalin pa gjë, mos kini merak, se Arabia Saudite është klienti më i mirë britanik i blerjes së armëve.
Përmbysja e Gedafit, që kontrollonte rezervat më të mëdha të naftës në Afrikë, ishte planifikuar prej kohësh nga Uashingtoni dhe Londra. Sipas inteligjencës franceze, në vitet 90, Libyan Islamic Fighting Group (LIFG), e njohur ndryshe si “Al-Jama’a al-Islamiyyah al-Muqatilah bi-Libya” (të cilës i përkiste Salman Abedi, terroristi i Mançesterit) e financuar nga inteligjenca britanike, tentoi disa herë të vriste Gedafin. Në mars 2011 Franca, Britania e Madhe dhe SHBA-ja shfrytëzuan rastin e një “ndërhyrjeje humanitare” dhe mësynë Libinë. Ata i mbështeti dhe NATO me gjoja shkakun e një vendimi të OKB-së për “mbrojtjen e civilëve”.
Sipas një hetimi të Komitetit të zgjedhjeve të punëve të jashtëme të dhomës së komuneve, ish kryeministri Kameron, e kishte çuar Anglinë në luftë kundër Gedafit, duke u bazuar në “supozime të gabuara”. Kështu “sulmimi i Libisë, në fakt solli në fuqizimin e shtetit islamik në Afrikën e veriut”, Madje komiteti përmëndte dhe fjalët e Obamës në vlerësimin e veprës së Kameronit në Libi si “çfaqje muti”.
Në fakt Obama ishte një nga personazhet kryesorë të kësaj “çfaqje muti” (detyrohemi të shprehemi si Obama për hir të së vërtetës) sipas vetë Hilari Klintonit dhe shtypit amerikan, që në atë kohë akuzonin Gedafin për “genocid” të popullit të vet.
“Po të kishim pritur dhe një ditë më tepër, Bengazin do ta mbulonte gjaku, që do të njolloste dhe mbarë ndërgjegjien e botës” deklaroi krenar Obama një ditë pas ndërhyrjes në Libi.
Masakra, që do të ndodhte, ishte tërësisht e përfytyruar nga salafitët sauditë, që po hanin dru nga ushtarët e Gedafit dhe s’dinin si të dilnin nga ajo situatë.
Salafitët i thanë Rojterit që po përgatitej një masakër më e tmerrshme se ajo e Ruandës dhe kaq mjaftoi për t’ia futur Libisë.
E kuptoni dhe vetë miq, që bie erë “sajesë” si me Toni Blerin dhe luftën e Irakut prej armëve të përfytyruara kimike të Sadamit, megjithatë ne (opinioni publik evropjan) prapë e hamë kumbullën e tharrtë, sa herë që e gatuajnë amerikanët, anglezët dhe francezët dhe themi dhe “faleminderit”.
Përfundimi në Libi qe i tmerrshëm: Anglia, Franca dhe SHBA-ja praktikisht e shkatërruan nga themelet shtetin libian, pa i’u dredhur qerpiku. Nato bëri 9700 hedhje bombash, një të tretat e të cilave goditën objektivë civilë. Muzurata dhe Sirte u bënë tabula rasa. Uniçef ka deklaruar që përqindja më e madhe e moshës së fëmijëve të vrarë ishte nën 10 vjeç.
Përveç se e themeluan shtetin islamik, ISIS-in (e tha dhe Trampi në fushatën elektorale), trimat e Blerit dhe Bushit në 2003 me luftën e Irakut, krijuan dhe bazën e një ikjeje masive nga territoret e shkatërruara të popullsisë së Irakut,. Më vonë Kameruni dhe Obama i shtuan Libinë dhe lista u zgjat e u bë tërkuzë po të kemi parasysh tërë luftrat e bëra në Mali, Sudan, Kongo, Uganda etj. që të djathtët e Evropës dhe të SHBA-së sot (Lë Pen, Salvini, Mej, Trampi e shokë) e quajnë si emigracion i rrezikshëm prej pisllikut të paskrupullt të fukarenjve, që në vënd që të vdisnin nga bombat ose në det, kanë paturpësinë të trokasin në kufijtë tanë, që ne iau mbyllim në surrat.
Kështu tërë Afrika e veriut u bë bazë anglo-franko-amerikane etj., etj…
Në Londër, në një nga panairet më të mëdha të armëve në nivel botëror, të bërë pas luftës së Libisë, u shit një numër i jashtëzakonshëm armësh, se klientët sapo kishin parë në natyrë efektin e tyre të përbindshëm mbi eshtrat e njerëzve në Libi. Dhoma e Tregëtisë dhe Industrisë e Londrës mbajti një konferencë me titull “Lindja e mesme: një treg i mrekullueshëm për shoqëritë mbrojtëse dhe të sigurisë britanike”. E ftuara e nderit me këtë rast ishte Banka Mbretërore e Skocisë, investitori kryesor i bombave bistak rushi, (atyre që ta bëjnë mishin si pëlhurë merimangash) dhe që u përdorën gjërësisht në luftën e Libisë.
Kryeministrja Tereza Mej ishte në Arabinë Saudite në muajin e kaluar, ku shiti 3 miliard dollarë armë, që s’është gjë fare para shitjes së Trampit (110 miliard dollarë) po që po e përmënd, sepse me armët britanike, sauditët bënë namin në Jemen. Këshilltarët britanikë merrnin pjesë si vëzhgues në bombardimet saudite, që vranë mbi 10 mijë civilë në Riad. Sot banorët, që s’kanë vdekur nga bomba po i vdes uria. Në çdo 10 minuta në Jemen vdes një fëmijë nga uria, thotë UNICEF (Fondi Ndërkombëtar i Emergjencave të Kombeve të Bashkuara për Fëmijët).
Mirë o mirë, thoni ju, na vjen keq për kalamajtë, po ne kemi hallin e kalamajve tanë. Ç’na hyn në xhep ne ky muhabeti i sauditëve? Neve, si shqiptarë, na mjafton prania ushtarake amerikane dhe e Natos në Dardani e Maqedoni, se meqë ushtrinë na e bënë m..t këta që përmëndëm më lart dhe agjentët e tyre, atëhere s’mbrohemi dot vetë në rast sulmi sërbo-grek në trojet tona.
O miq, s’bëhen hesapet me mbrojtjen nga ujku i murrmë, duke përdorur ujkun e zi.
E morrët vesh ç’ndodhi në Torino dje? Nja 20000 vetave, që po shihni ndeshjen e Juventusit tek televizori gjigand në sheshin San Karlo i’u bë sikur dikush qëlloi me automatik dhe i hyri paniku. Kështu njerëzit (turma) shkelën njëri tjetrin me këmbë nga frika e bombave terroriste (1400 të plagosur dhe dy në koma klinike).
Kurse në Londër tre tipa pa asnjë armë veç thikës, i’u sulën si të droguar njerëzve përreth pasi hypën mbi trotuar me furgon (10 të vrarë, midis të cilëve tre “xhihadistët” dhe nuk e di sa të plagosur).
Përfundimi është që s’ka më nevojë as të kesh ujq të zinj apo të murmë se ne jemi bërë ujq vetë, ngaqë na është futur frika në palcë.
Kush e ka hapur vazon e Pandorës?
Po ta marrim vesh, mbase herë tjetër s’e lëmë më ta bëjë këtë marifet.
Për momentin na duhet t’i futemi punës e t’i mbyllim erërat e tufanet e luftës në vazo prapë…
Po pse të lënë ata … kryet e botës?