KUSH DO TË GUXOJË TË PËRSËRISË NË SHQIPËRI KRIMIN NAZIST?

0
327
Nuremberg

Gjyqi në Nuremberg kundër nazistëve

Nga Aurel PlasariNacionale.Info

E kam fjalën për krimin nazist që Gjykata Ndërkombëtare e Nurembergut, mbas përfundimit të Luftës II Botërore, e gjykoi dhe e dënoi në të njohurin “Proces të Mjekëve”, ndryshe të regjistruar me terminologjinë juridike si “United States of America v. Karl Brandt, et al.”. Thelbi i atij procesi ishte përdorimi i barnave, vaksinave etj., si dhe kryerja e eksperimenteve mjeko-shkencore kundër vullnetit të individit dhe pa konsensin e tij, kinse “në emër të shkencës”.

Procesi, i zhvilluar në Pallatin e Drejtësisë së Nurembergut, filloi në dhjetor 1946 dhe përfundoi më 20 gusht 1947. Në të u morën 23 të pandehur, duke filluar nga dr. Karl Brandt, – prandaj procesi njihet dhe për emër të tij, – mjek personal i Hitlerit dhe Komisar i Rajhut III për Shëndetin; mbas tij edhe pothuaj e gjithë hierarkia e “mjekësisë naziste”.

Pika 2 e Padisë i akuzonte të pandehurit se, nga shtatori 1939 deri në prill 1945, vullnetarisht dhe lirisht kishin marrë pjesë në kryerjen e krimeve simbas përcaktimit të Nenit II të “Control Council Law n. 10” dhe konkretisht në kryerje eksperimentesh mjekësore pa konsensin e pacientëve.

Pika 3 e padisë i akuzonte të pandehurit se, nga shtatori 1939 deri në prill 1945, vullnetarisht dhe lirisht kishin pranuar dhe kishin bashkëpunuar në plane dhe eksperimente pa konsensin e personave, civilë gjermanë dhe kombësish të tjera, duke shkaktuar vdekje në referim të pikës 2 të Padisë. Etj.

Të quajturit ‘Nazidoctors‘ u gjykuan fajtorë për krime kundër njerëzimit, duke pas shkelur të gjitha rregullat e deontologjisë së veprimtarisë mjeko-shkencore, dhe u dënuan kush me vdekje, kush me burgim të përjetshëm, kush me vite të caktuara heqje lirie. Një llogari për t’u bërë mirë – me këtë paralajmërim si vath në vesh – nga kushdo që guxon të kërcënojë shoqërinë shqiptare me vaksina përdhuni: ja se vaksinë, ja se ju mbyll nëpër shtëpi!

Por rezultati më i rëndësishëm i një procesi si ai “i Mjekëve”, në mbrojtjen e të drejtave të individit për përdorimin mbi të të barnave, vaksinave etj., si dhe të kryerjes mbi të të çdo eksperimenti mjeko-shkencor, ishte hartimi dhe publikimi i atij, që njihet si “Kodi i Nurembergut”, fryt i punës së një grupi mjekësh shkencëtarë të konceptuar si një Komitet Etik Ndërkombëtar. Kryetari i grupit në fjalë nuk ishte as ilegal as klandestin, – simbas modelit aventuroz të “komiteteve” të Shqipërisë, – ishte mjeku amerikan me origjinë austriake dr. Leo Alexander. Më gjerë: George J. Annas & Michael A. Grodin, ‘The Nazidoctors and the Nuremberg Code‘, Oxford University Press 1992.

Kodi i Nurembergut” është në fuqi ende sot e gjithë ditën. Rekomandimet e tij shërbejnë ende sot e gjithë ditën si baza për çdo hulumtim mjeko-shkencor, si dhe për bioetikën moderne. Po, sepse pikërisht aty gjenden parimet themelore të etikës mjekësore moderne të formatit antropocentrik: që do të thotë? Që do të thotë të etikës mjekësore, që ka në qendër njeriun me të drejtat e tij dhe jo eksperimentin mbi të, për hir të eksperimentit.

fb a.p.