Kurti: Nuk jam takuar me Vuçiç, ai ndjeu shumë presion

1
384
Kurti - Rama - Vuçiq

Opinion.al15/02/20

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është shprehur se nuk e konsideron takim me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç, pjesëmarrjen e përbashkët në një tryezë në Mynih. Kurti ka deklaruar se nuk është takuar me Vuçiqin.

“Unë nuk jam takuar me Vuçiçin. Kemi qenë në një tryezë të rrumbullakët, ku kanë qenë të ftuar të gjithë udhëheqësit e Ballkanit Perëndimor”, tha Kurti, pas pjesëmarrjes në një diskutim mbi mundësitë për Ballkanin Perëndimor.

Ky diskutim u zhvillua në margjina të Forumit Ndërkombëtar të Sigurisë, i cili nisi punimet të premten në Mynih, me pjesëmarrjen e rreth 35 udhëheqësve të shteteve dhe qeverive.

I pyetur të komentojë debatin me dyer të mbyllura, për të cilin Vuçiç tha se ishte “i ashpër”, Kurti tha se nuk dëshiron të japë detaje, duke u thirrur në rregullat e organizatorit të panelit, që nuk lejojnë të bëhen publike pikëpamjet e pjesëmarrësve (Chatam House Rules).

Megjithatë, Kurti pranoi se ka pasur tensione në tryezën e rrumbullakët.

“Ai (Vuçiq) ndjeu shumë presion për shkak të asaj që thashë. Pastaj pasoi reagimi i tij me nervozizëm”, tha Kurti për Radion Evropa e Lirë.

Më herët, Vuçiç tha se është takuar me Kurtin në Mynih dhe se takimi ka qenë “i ashpër”. Duke folur për Radio-Televizionin e Serbisë, Vuçiç tha se ka luftuar për interesat e Serbisë.

Ai tha se nuk guxon të nxjerrë detaje nga debati i mbyllur, por deklaroi se “ka folur të vërtetën” dhe se ka mbrojtur popullin serb “në mënyrën më të mirë të mundshme”.

Vuçiç tha se e konsideron të rëndësishme të shikohen marrëdhëniet midis Kosovës dhe Shqipërisë, por edhe marrëdhëniet “brenda Prishtinës”.

Ai tha se i njeh mirë “politikanët nga Prishtina”, madje “edhe atë që ka qenë i panjohur për të”, duke aluduar në kryeministrin e Kosovës.

Diskutimi për Ballkanin Perëndimor në Mynih të Gjermanisë shënoi herën e parë të pjesëmarrjes së Kurtit dhe të Vuçiçit në të njëjtën tryezë. Kurti ka marrë detyrën e kryeministrit para dhjetë ditësh.

Për të, kjo ka qenë edhe paraqitja e parë në skenën ndërkombëtare në rolin e kryeministrit.

Të premten në Mynih, presidentët e Kosovës dhe Serbisë, Hashim Thaçi dhe Aleksandar Vuçiç, morën pjesën në ceremoninë e nënshkrimit të marrëveshjes për hekurudhat dhe autostradat, e cila u arrit me ndërmjetësimin e të dërguarit të Shtëpisë së Bardhë për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell.

Kjo marrëveshje më pas u kontestua nga Kurti, i cili përmes një postimi në Facebook tha se ajo është nënshkruar nga persona të paautorizuar. /Burimi: REL

1 KOMENT

  1. A nuk e shihni ne video se si shkruhet mbiemri i presidentit te Serbise, jo Vuçiç por Vuçiq (pra germa e fundit eshte q e jo ç)

    Shënim: Nuk e dinë të gjithë këtë detaj. /AÇ

Komentet janë mbyllur.