Nga Frank Shkreli
Fund muajin që kaloi, Prania e Organizatës për Siguri dhe Bashkpunim në Evropë (OSBE-së) organizoi një seminar rreth proceseve të lustracionit në Shqipëri, thuhet në një njoftim në portalin e Zyrës së kësaj organizate ndërkombëtare në Tiranë.
Sipas njoftimit, seminari online u mbajt për të diskutuar politikat dhe proceset e lustracionit në Shqipëri që nga rënia e regjimit diktatorial komunist, 30 vjet më parë. Thuhet mëtej se, veprimtaria me titullin “Lustracioni në Shqipëri: E kaluara dhe e ardhmja”, e zhvilluar si pjesë e veprimtarisë së Prezencës në fushën e drejtësisë transitore, mblodhi bashkë institucione kombëtare dhe ndërkombëtare, ekspertë dhe profesionistë, si dhe pedagogë e studentë të Universitetit të Tiranës dhe të universiteteve private të vendit. Pjesëmarrësit diskutuan rreth gjetjeve të studimit me të njëjtin emër si më lartë, i cili u porosit nga Zyra e OSBE-së në Tiranë për të trajtuar proceset e lustracionit në Shqipëri që nga zgjedhjet e para pluraliste të vitit 1991 deri më sot.
Bëhet fjalë për studimin e posa botuar me titullin, “Lustracioni në Shqipëri, e shkuara dhe e ardhmja”, me autor, Z. Ilir Kalemaj, mbështetur nga Zyra e OSBE-së. Në njoftimin e OSBE-së thuhet se ky studim i autorit Kalemaj u mbështet me qëllim për të pasuruar literaturën në fushën e drejtësisë tranzitore dhe zhvillimin e një debati shkencor në lidhje me këtë subjekt tepër të rëndësishëm.
Në një intervistë për Zërin e Amerikës, autori i këtij studimi, Z. Kalemaj tha se lustracioni në Shqipëri ka dështuar megjith përpjekjet që janë bërë në vitin 1995, 1998 dhe në vitin 2008. Studiuesi Kalemaj u shpreh për VOA-n-shqip se gjatë këtyre 30-viteve post-komunizëm në Shqipëri nuk ka pasur një vullnet të sinqert politik për ta çuar deri në fund procesin e lustracionit. Studimi: “Lustracioni në Shqipëri”, nevoja urgjente për t’u ndarë nga diktatura dhe nga Sigurimi i Shtetit (zeriamerikes.com) “Këtu ka munguar vullneti politik, pra nuk ka patur asnjëherë një vullnet të mirëfilltë politik për ta kryer këtë proces nga fillimi deri në fund, as një dakordësi politike dhe as një vullnet të sinqertë. Nuk bëhet fjalë për një ligj të thjeshtë lustracioni, as për një paketë ligjore që të kryejë lustracionin, por bëhet për të patur vullnetin politik për t’u ndarë nga e kaluara, për të dënuar moralisht krimet e komunizmit dhe sistemin totalitar, dhe për të mbyllur tranzicionin në mënyrë të plotë. Mungesa e vullnetit politik është thembra e Akilit në rastin shqiptar” – është shprehur Z. Kalemaj, për Zërin e Amerikës.
Siç njoftohet, Seminari i OSBE-së u zhvillua në kuadrin e “Ditëve të Kujtesës”, një veprimtari e përvitshme kjo rreth përballjes me të kaluarën komuniste, organizuar nga Instituti Shqiptar për Demokraci, Media dhe Kulturë (IDMC) me mbështetjen e Fondacionit Konrad Adenauer. Duke folur në hapjen e Ditëve të Kujtesës, më 19 Shkurt 2021 në Tiranë, Kryetari i Prezencës së OSBE-së, ambasadori Vincenzo Del Monaco ka thënë se, “E kaluara mund të kuptohet përmes një dialogu racional, të matur dhe të gjithëpranuar, përfshirë edhe përmes hulumtimeve të hollësishme rreth asaj kohe, në mënyrë që mësimet e nxjerra të integrohen në shoqërinë e tanishme, për të mos rënë në grackën e harrimit të së kaluarës”.
Unë them, shyqyr që kemi organizata ndërkombëtare, si OSBE-ja, Ambasada e Gjermanisë dhe Fondacioni Adenauer në Tiranë, që përpiqen, nepërmjet seminareve të tilla due organizimeve të tjera, të hedhin sado pak dritë mbi krimet e regjimit komunist në Shqipëri dhe me forume si ky të ndihmojnë në sensibilizimin e politikës dhe shoqërisë shqiptare mbi nevojën për t’u përballur me të kaluarën e hidhët komuniste të saj.
Dua të jem i sinqert, se të merresh me lustracionin ose pastrimin e figurave politike dhe juridiko-gjyqësore në një shoqëri post-komuniste si ajo shqiptare nuk është lehtë, por as e pamundur nuk është siç tregon edhe përvoja e disa vendeve ish-komuniste të Evropes Lindore dhe Qendrore, përfshir rastin e Gjermanisë, që janë marrë seriozisht me këtë problem. Gjermania nuk do të ishte transformuar në shtetin e gjithfuqishëm fuqishëm që është sot, po të mos ishte përballur me të kaluarën naziste dhe komuniste dhe me përgjegjësinë individuale të njerëzve. Nuk mund të ketë demokraci as një ekonomi të lirë, nëqoftse nuk ekziston përgjegjësia personale. Vet fakti se shumë ish-zyrtarë të regjimit komunist të Enver Hoxhës i janë shmangur përgjegjësisë për ato që kanë bërë gjatë atij regjimi, i ka bindur shumë prej tyre, se ata mund të ushtrojnë të njëjtën papërgjegjësi edhe në detyrat e larta që mbajnë në sistemin e sotëm post-komunist.
Unë e kam thenë shpeshëherë se këta ish-zyrtarë janë një prej faktorëve kryesor për problemet me të cilat përballet shoqëria shqiptare post-komuniste, përfshir korrupsionin, krimet e ndryshme, politikën në përgjithësi dhe reformën në drejtësi, në veçanti. Shoqëria shqiptare nuk do të bëjë kurrë përparim, në asnjë prej këtyre fushave, nëqoftse nuk vendoset se cilat ishin krimet dhe kush ishin përgjegjësit për ato krime. Pa një lustracion të vërtetë, Shqipëria do të mbetet një shtet gjysëm i lirë, ashtu siç është cilësuar për 30-vjet postkomunizëm nga entet ndërkombëtare që merren me të drejtat e njeriut, përfshir Departmentin Amerikan të Shtetit – larg dhe në mospërputhje me të gjitha standardet ndërkombëtare për të drejtat e njeriut. Unë nuk besoj në hakmarrje por e them këtë me dëshirën dhe shpresën që Shqipëria dhe shqiptarët, në përgjithësi, të përballen sinqerisht me të kaluarën komuniste, duke adaptuar një proces lustracioni në përputhje me rrethanat e Shqipërisë, me përvojat dhe standardet e përdorura në shtetet e tjera ish-komuniste.
Sepse siç citohet nga VOA shqip, studimi i lartë përmendur i autorit Ilir Kalemaj, “Lustracioni në Shqipëri: E kaluara dhe e ardhmja”, botimi i të cilit është mbështetur nga OSBE-ja në Tiranë, “Pa një proces lustracioni nga postet drejtuese të shtetit shqiptar, të atyre që janë përlyer me krime gjatë diktaturës, që kanë hartuar e zbatuar platformat sekrete të Sigurimit të Shtetit, që janë marrë me hetimin e dënimin për ‘krime të opinionit e mendimeve’, dhe me dëshmi të rrema — nuk mund të flitet në Shqipëri për demokraci të vërtetë.” E duam Shqipërinë vërtetë demokratike, sepse siç u shpreh edhe Sekretari Amerikan i Shtetit, Z. Antoni Blinkey në një fjalim me tre mars në Departamentin e Shtetit, ku preku vazhdimisht temën e demokracisë: “Demokracitë e forta janë më të qëndrueshme, më të hapura, partnerë më të mirë për ne, më të përkushtuar ndaj të drejtave të njeriut, më pak të prirur për konflikt dhe tregje më të besueshme për mallrat dhe shërbimet tona”.
Është vështirë të gjesh sot në Shqipëri ish-zyrtarë të komunizmit e që sot gëzojnë detyra të larta administrative të shtetit dhe të qeverisë — të cilit do nivel dhe cilës do fushë qofshin, përfshir drejtësinë — e që në një mënyrë ose një tjetër, të jenë distancuar gjatë këtyre 30-viteve, nga e kaluara e tyre komuniste.
Për 50-vjet vija e partisë ishte: Partia mbi të gjitha! Partia nuk gabon kurrë, ishin indidvidët që gabonin. Sot na ofrohet një argument tjetër i kundërt: na thonë se ish-komunistët si individ nuk janë përgjegjës për krimet e regjimit komunist, përgjegjës ishte sistemi. Një shtrembërim ky i vlerave njerëzore, juridike dhe politike që, fatkeqësisht, duket se pranohet edhe nga disa përfaqësues ndërkombëtarë në Tiranë.
Një fjalë e vjetër popullore thotë se për çdo gjë mund të vonohesh në jetë. “Me u koritë nuk është vonë kurrë”, thotë populli, “por kurrë nuk është vonë gjithashtu për të bërë gjënë e duhur”. Kurrë nuk është vonë as për lustracion!