Kurorë sonetesh – poezi nga Nexhat Halimi

0
845
Nexhat Halimi - pikturë

Nexhat Halimi

kujtime për dean

ky gjakshkrim është vetëtimë besimi
dritë loje me zamare ritëm zë e varg
udhëtim i gjatë shpirtit afër e kaq larg
në ecje fatit për gurë magjikë zgjimi

ëndrra shfaqet e shpërndarë ndër yje
e lidhet stuhi e dhemb zemra e ngrirë
jallisë rrjedh lumi i turbullt e i fryrë
milingonat një e një ecin varg për hije

ec dhe unë lë gjurmë vetëm në borë
stuhi a diçka e paparë trokon në orë
e zamarja i lidh tingujt qiellit të ndarë

kujtimi në unaza zinxhiri stërzgjatet
kot bëj përpjekje ta prek mollën e çarë
ura mes brigjesh i ndanë e lidh fatet

II vetëtima

ura mes brigjesh i ndanë e lidh fatet
natën ndër pëlcitje lulesh çel vetëtima
brenda syrit pik gjak dridh bubullima
e ylberi ëndrrës krua më krua luhatet

kuajt ikin për kallinj të grurit në lëmë
këputet prej meje hija vërvitet bukës
zot ja ende më pikas syri plak i ukës
zamarja e shelgut lidh tingujt në gjëmë

tashmë çdo gjë ikur kot mendoj në lot
pafund bie fushës nën pikëza të vesës
në dorë me disa letra shkruar kujtesës

në këtë mënyrë fëmijëria zë kolovatet
unë harroj udhën e kthimit dhe eci kot
jeta ndërmjet çasti pikëllimit rizgjatet

III tatuazhi i zemrës

jeta ndërmjet çasti pikëllimit rizgjatet
në studion e skulptorit zgjohet fluror
e ky gjak pik pamje peizazhit shpirtëror
ti plagën e gërget e zjarri i krijon aktet

ky peizazh rrjedh gjithësi nga figurat
unë lë gjurmë i vetëm udhës me borë
është stuhi më dhemb zemra në dorë
hijet pikojnë kaq gjak nga miniaturat

e kujtimet me njëra tjetrën në zinxhirë
krah më krah terrin e robëron zgjimi
e mes lodrash shëtit ende ai ariu i mirë

e radhis ndonjë kujtim për ty në letër
e fluturat ti e fusha e lojës tashmë fjetur
tatuazhit të zemrës nis pikë udhëtimi

IV pikë udhëtimi

tatuazhit të zemrës nis pikë udhëtimi
ik rreth botës sillet përsëri kthehet aty
iluzioni për të përjetshmen ndrit në sy
e në degë mimoze mbi det çel fillimi

`i herë ndodh rënia e gjethit në stuhi
ai gjeth që ndez bukuri qiellit e ujit
i shkund mollës së kuqe dritë të mujit
e ik të merr udhë për faqe në gjithësi

tashmë e ndiejmë me hije mbi dritare
të gjelbër të zverdhur e të tharë fare
e i prekim vragat e kohës nëpër fytyrë

ndiej ndjenjë kujtimi dhe ec i mpirë
arrij te vetja përsëri te ëndrra e ngrirë
inkognito vij e ti më prek në pasqyrë

V inkognito

inkognito vij e ti më prek në pasqyrë
trokim zemrës i ndien dhe avull frymës
lëvizje të egra në dritare ndizen bimës
e flatër ylberi më përplaset për fytyrë

me ëndrra të mbytura në njërën dorë
zbres kodrën e kishës dal në kalanica
krejt nga fillon e përfundon dumnica
kaloj për `i trok kali udhës me dëborë

ty natyrisht të zgjon magji ky rrëfim
kurrë nuk ke qenë aty ku era e sjell lisin
aty ku mali as pikvere nuk e heq plisin

kufirit me vrasësit vdekja pret kurorë
ja pse s` të marr dot ty në këtë udhëtim
me ëndrra të mbytura në njërën dorë

VI fluturimi nga pjeshka

me ëndrra të mbytura në njërën dorë
e tërheq kaun për kapistër mes alesë
qiellin flatron zogu me krahë në shpresë
e më kapin ëndrra me vrull shpirtëror

shfaqen dobësi me përzierje e të vjella
e përtypë copëz kashte pështyj në yll
me etje fluturon nga pjeshka `i bilbil
e rrënja e njërit besim del nga shpella

rrugës në të djathtë dea më ndjek hije
udha me pluhur në të dy anët me kavak
e trëndafilit të bardhë i pik gjethi gjak

në pullaz të hirtë lëviz siluetë kumrie
mendja më ik në flamur qiellit në vlorë
e zjarri e rikthen gjithësinë në kurorë

VII hije e mujit

e zjarri e rikthen gjithësinë në kurorë
ndër asfodela kaloj mes pafundësisë
xhuxhi me mjekër e gjarpër zbret urtisë
unë provoj t`i ndërlidh qostekët në orë

xhuxhi e pagëzon dritë vetëtimën në hi
a unë e besoj gjarprin e mitit të vjetër
e gjarpri është gjarpër s` ik gurit tjetër
gjarpri i shtëpisë është veç gjak në gji`

xhuxhi me mjekër kalon matanë lumi
djeg duhan kaçak pastaj e kotë gjumi
e varka lidhur për shelgu pret të ik ujit

lakrën dhinë ujkun t`i bart ca pa gdhirë
ka vjet pret të shfaqet siluetë e dikujt
prapë lë gjurmë vetëm në udhë ngrirë

VIII shkuarje ardhje

prapë lë gjurmë vetëm në udhë ngrirë
veç me kujtime me ëndrra dhe aromë
me përplasje në shkrime vetë në dhomë
për guri e muri në udhëtim të vështirë

afërsia vjen brenda meje e rindez sanë
largësia ngel mes rrjedhash ndër gurë
prek me shuplakat gjithë gjak në mur
e qeni më shikon ngul dhe leh në hënë

e pikas nën sy ndezur i rrëshqasin lot
nuk beson as në ikje e as në ardhje kot
e brenda zemrës i rrjedh `i tis vetmie

kurrë më s`do ta shoh e do të ndiej mall
diku në ndonjë shkronjë etja më kall
është stuhi plaga pik dhembje në hije

IX xham i ngrirë

është stuhi plaga pik dhembje në hije
ja befas përmbi dritare shfaqet `i siluetë
xhamit të ngrirë bie gjak zogu i nxehtë
dëgjohet pak dhe zë i vajshëm kumrie

është thëllëzë a ndoshta bilbil i verdhë
pak përmbi dritare në gjak bie i shtrirë
e pikas dhembja e robëron kaq mpirë
shtang dora e pena varg më nuk derdh

çfarë të shkruaj për etjen në mua vallë
çfarë të shkruaj për plagën dhe ty në lot
çfarë për gjakun e zogut e zemrën kallë

tash ikin kaq vjet e bie vetmi e kot zot
ka ngelur veç kujtimi të ndrijë në gjëmë
rënie e rëndë e vigu thyhet ndër këmbë

X dumnica e fjetur

rënie e rëndë e vigu thyhet ndër këmbë
a do të arrij matanë pa i rënë këput uj`t
ja në gur të zi vërehen gjurmë të dikujt
kali gjok sillet rreth mullarit në lëmë

larg tashmë ka ngelur dumnica e fjetur
veç unë e kam afër në pikëzat e gjakut
ja as gjyshja s`është më të lëviz sokakut
ka mbetur vetëm kujtimi e asgjë tjetër

a e heton dea gjyshja s`na pret aty dot
veç drita vetëtin flakëz në varre të gjata
ylli kurrë s` shuhet te ti e unë me mot

fryn era brezit kufitar e bie shtrëngata
të moshuar gra fëmijë mbesin pa mëmë
damar i kosovës pingëron nën gjëmë

XI orë xhepi

damar i kosovës pingëron nën gjëmë
kaq vjet është këputur trëndafili pa çelë
gjoku i zgjon ëndrrat me rrufe në jelë
e zogu nën varrë është vrarë mbrëmë

molla e kuqe në toplicë ngel pa vjelë
guri i kuq i malësisë së madhe i çarë
e të tre gurtë e zinj në prevezë të ndarë
e kulla e balshajt në tis mjegulle riçel

ja dea çastet e kanë copëtuar dardaninë
ti e ke në zemër unë në shpirt vetminë
tashmë pëlcet dhe qielli nën bubullima

kaq kot ëndërroj ngjitje zbritje rumisë
gurin më të madh bart zvarrë gjithësisë
etja e dashurisë dridhet mbi vetëtima

XII sahat kulla

etja e dashurisë dridhet mbi vetëtima
t`i hyjë zjarri shpirtit e të bie sixhim shi
të projektohen figura fatit me magji
e hënës ia vë putrën ujku ndër ulërima

peizazhet e zymta ende s`më ikin koke
dalim të shihemi me profën e bie borë
ti ec sy yll me librin harry potter në dorë
te sahat kulla më bie ballit hije toke

mbase i këput rripat e dheut xixëllima
a e rizgjon tokën e vjetër shkundullima
te sulltani heziton për pastë a akullore

nuk ndodh të mos blejmë dhe ca fletore
ikim trokut të zemrës të vizatuar iLirie
afsh i brendshëm me vrull vjen dhe bie

XIII peizazh

afsh i brendshëm me vrull vjen dhe bie
të jetë i gdhendur secili detaj ca mbi gji
të varen kujtesë datat çastet ngjarjet aty
dal nëpër borë me ty në orë dashurie

jeta i ka bërrylat ecjes ligjet e kornizat
ndërmjet hyjnë tregime rrëfime novela
ka jetëshkrime e peizazhe me asfodela
mes uji e zjarri frymës thyhen shtizat

ja pse zemrat ndizen e ndodh ndahen
pse ndërmjet zjarrit e përpjekjes çahen
pse kaq pikëllohet secili e kaq i dhemb

e lulëzon behari e molla piqet në rremb
kurorëzohen ëndrra rrjedhin psherëtima
në degë të njërit rrap zgjohet ulërima

XIV valë të gjalla

në degë të njërit rrap zgjohet ulërima
te sahat kulla veç e vjetra përtypet esa
zemra e njëjtë trokon e çel ca kujtesa
veshët mbushur zëra bien fishkëllima

e ti ja ndërmjet ëndrrës vetëtimës fle
e përgjërimet e vajet mbetur kujtime
e koha rrjedh e muron fjalë e rizgjime
e dëgjohen valë të gjalla larg në liqe`

shëtis me dean udhët e vjetra të qytetit
ja xhamitë hamami e muzeu e tjetër
pjesa më e madhe nuk shihet ka fjetur

s`është maksi është veç dritë e poetit
në orë xhepi për qostekë zbret trokimi
ky gjakshkrim është vetëtimë besimi

magjistrali

ky gjakshkrim është vetëtimë besimi
ura mes brigjesh i ndanë e lidh fatet
jeta ndërmjet çasti pikëllimit rizgjatet
tatuazhit të zemrës nis pikë udhëtimi

inkognito vij dhe ti më prek në pasqyrë
me ëndrra të mbytura në njërën dorë
e zjarri e rikthen gjithësinë në kurorë
prapë lë gjurmë vetëm në udhë ngrirë

është stuhi plaga pik dhembje në hije
rënie e rëndë vigu thyhet nën këmbë
damar i kosovës pingëron nën gjëmë

etja e dashurisë dridhet mbi vetëtima
afsh i brendshëm me vrull vjen dhe bie
në degë të njërit rrap zgjohet ulërima