KURORA ENGJËLLORE

0
887
Angel Wreath

Forma e Kurorës Engjëllore

Kurora që përdoret për të lutur “Kurorëzën Engjëllore” formohet nga nëntë pjesë, secila prej tri rruazash për “Të Falemi Mari˗të”, të paraprira nga një rruazë për “Ati ynë”. Katër rruazat që paraprijnë Medaljen me figurën e Shën Mikaelit Kryeengjëll, kujtojnë se pas thirrjes së nëntë Koreve engjëllore duhet të lusim akoma katër “Ati ynë” në nder të Shenjtërve Kryeengjëj Mikaelit, Gabrielit e Rafaelit dhe të Shenjtit Engjëll rojtar.

Zanafilla e Kurorës Engjëllore

Ky ushtrim i përshpirtshëm i qe zbuluar nga vetë Kryeengjëlli Mikael shërbëtores së Hyjit Antonia de Astonak në Portugali.

Princi i Engjëjve, duke iu shfaqur shërbëtores së Hyjit, i tha se dëshironte të nderohej me nëntë lutje në kujtim të nëntë Koreve të Engjëjve.

Çdo lutje duhej të përfshinte kujtimin e një Kori engjëllor dhe lutjen e një “Ati ynë” dhe tri “Të Falemi Mari”.

Kurora Engjëllore duhej të mbyllej me lutjen e katër “Ati ynë”: i pari në nder të tij, tre të tjerët në nder të Shën Gabrielit, Shën Rafaelit dhe të Engjëjve rojtarë.

Kryeengjëlli premtoi akoma se ai që do ta kishte nderuar me lutjen e kësaj kurorëze përpara Kungimit, do të ishte shoqëruar në Darkën e Shenjtë nga një Engjëll i secilit prej nëntë Koreve. Atij që do ta lusë çdo ditë i premtonte ndihmën e tij të veçantë dhe të të gjithë Engjëjve të shenjtë gjatë jetës e në Purgator pas vdekjes. Megjithëse këto zbulime nuk janë të njohura zyrtarisht nga Kisha, një praktikë e tillë u përhap mes të devotshmëve të Kryeengjëllit Mikael dhe të Engjëjve shenjtër.

Shpresa për të marrë hiret e premtuara është ushqyer e mbështetur nga fakti se Papa Pio IX e pasuroi me ndjesa të shumta këtë ushtrim të përshpirtshëm e të shëndetshëm.

Në Emër të Atit e të Birit e të Shpirtit Shenjt. Amen!

O Hyj, më eja në ndihmë!
O Zot, shpejto të më ndihmosh!

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt!
Si ka qenë në fillim, ashtu tash e përgjithmonë e jetës! Amen!

“O Shën Mikael Kryeengjëll, na mbro në luftë, që të jemi të shpëtuar në gjyqin e fundit!”.

Lutja e parë
Me ndërmjetësinë e Shën Mikaelit dhe të Korit qiellor të Serafinëve, na bëftë Zoti të denjë për flakën e dashurisë së përsosur!
Një “Ati ynë” dhe tri “Të Falemi Mari” kushtuar Korit të parë Engjëllor.

Lutja e dytë
Me ndërmjetësinë e Shën Mikaelit Kryeengjëll dhe të Korit qiellor të Kerubinëve, dashtë Zoti që të na jape hirin që të braktisim jetën e mëkatit dhe të vrapojmë në atë të përsosurisë së krishterë!

Një “Ati ynë” dhe tri “Të Falemi Mari” kushtuar Korit të dytë Engjëllor.

Lutja e tretë
Me ndërmjetësinë e Shën Mikaelit Kryeengjëll dhe të Korit të Shenjtë të Froneve, le të fusë Zoti në zemrat tona shpirtin e përvujtërisë së vërtetë dhe të sinqertë!
Një “Ati ynë” dhe tri “Të Falemi Mari” kushtuar Korit të tretë Engjëllor.

Lutja e katërt
Me ndërmjetësinë e Shën Mikaelit dhe të Korit qiellor të Zotërimeve, na dhashtë hir Zoti që të zotërojmë shqisat tona e të ndreqim epshet e prishura!
Një “Ati ynë” dhe tri “Të Falemi Mari” kushtuar Korit të katërt Engjëllor.

Lutja e pestë
Me ndërmjetësinë e Shën Mikaelit dhe të Korit qiellor të Fuqive, u denjoftë Zoti që të mbrojmë shpirtrat tanë nga sulmet dhe tundimet e djallit!
Një “Ati ynë” dhe tri “Të Falemi Mari” kushtuar Korit të pestë Engjëllor.

Lutja e gjashtë
Me ndërmjetësinë e Shën Mikaelit dhe të Korit të Virtyteve të admirueshme qiellore, mos lejoftë Zoti që të biem në tundime, porn a liroftë nga e keqja!
Një “Ati ynë” dhe tri “Të Falemi Mari” kushtuar Korit të gjashtë Engjëllor.

Lutja e shtatë
Me ndërmjetësinë e Shën Mikaelit dhe të Korit qiellor të Principatave, i mbushtë Hyji shpirtrat tanë me shpirtin e dëgjesës së vërtetë dhe të sinqertë!
Një “Ati ynë” dhe tri “Të Falemi Mari” kushtuar Korit të shtatë Engjëllor.

Lutja e tetë
Me ndërmjetësinë e Shën Mikaelit dhe të Korit qiellor të Kryeengjëjve, na dhashtë Zoti dhuratën e qëndrueshmërisë në besim dhe në vepra të mira!
Një “Ati ynë” dhe tri “Të Falemi Mari” kushtuar Korit të tetë Engjëllor.

Lutja e nëntë
Me ndërmjetësinë e Shën Mikaelit dhe të Korit qiellor të të gjithë Engjëjve, u denjoftë Zoti që të na japë mbrojtjen e tyre në jetën e tanishme që pastaj të futemi në lavdinë e qiejve!
Një “Ati ynë” dhe tri “Të Falemi Mari” kushtuar Korit të nëntë Engjëllor.

Një “Ati ynë” kushtuar Shën Mikaelit.
Një “Ati ynë” kushtuar Shën Gabrielit.
Një “Ati ynë” kushtuar Shën Rafaelit.
Një “Ati ynë” kushtuar Engjëllit Rojtar.

Të lutemi!

O Hyj i gjithëpushtetshëm dhe i amshuar, që me mrekullinë e mirësisë dhe të mëshirës, për shpëtimin e njerëzve, ke zgjedhur si Princ të Kishës sate Shën Mikaelin e lavdishëm, bëj që, nëpërmjet mbrojtjes së tij mirëbërëse, të lirohemi prej të gjithë armiqve tanë shpirtërorë! Në çastin e vdekjes sonë të mos na shqetësojë kundërshtari i vjetër, por le të jetë Kryeengjëlli yt Mikael që të na shoqërojë në praninë e Madhërisë sate!

Amen!

Përgatiti: Nikolin Sh. Lëmezhi
Për nder të Zojës së Papërlyer, Mbretëreshë e Engjëjve.
Shkodër, më 08.12.2019


10 frazat e Jezusit që e kanë shndërruar njerëzimin

Është e vështirë të llogaritet impakti që këto fraza të Jezusit të Nazaretit kanë pasur në rrjedhën e historisë, dhe akoma më e vështirë është t’u mohohet ndikimi. Porse, nganjëherë, madje është më e ndërlikuar të veprohet në mënyrë të tillë që këto fraza të depërtojnë në zemrën tonë dhe ta shndërrojnë.

Ja frazat:

“Po ju jap një urdhër të ri:
Duajeni njëri tjetrin!
Sikurse unë ju desha ju,
duajeni edhe ju njëri tjetrin!”. (Gjoni 13, 34)

“Kush është prej jush pa mëkat, le ta gjuajë i pari gurin në të!”. (Gjoni 8, 7)

“Fali, o Atë, se nuk dinë ç’bëjnë!”. (Luka 23, 34)

“… e vërteta do t’ju bëjë njerëz të lirë”. (Gjoni 8, 32)

“Lum të mëshirshmit
sepse do të gjejnë mëshirë!” (Mateu 5, 7)

“… Hyji mund të bëjë gjithçka!”. (Mateu 19, 26)

“… ai që prej jush do të bëhet i madh, le të bëhet shërbëtori juaj…! (Mateu 20, 26)

“Kur të fillojnë të ndodhin këto, drejtohuni dhe çojeni kokën lart dhe dijeni se është afër çlirimi juaj!”. (Luka 21, 28)

“Eja pas meje!”. (Gjoni 1, 43)

“Kush beson në Birin
ka jetën e pasosur…”. (Gjoni 3, 36)

Janë pikërisht këto 10 fjali që kanë prekur zemrat e shumë e shumë besimtarëve, kanë ndezur sa e sa të tjerë për t’iu kushtuar rrënjësisht Zotit dhe Mbretërisë së Tij. Janë fjalë që kanë sjellë liri shpirtërore, kanë copëtuar zinxhirë që mbanin skllevër bijtë e Hyjit dhe papritmas ata që ua kanë hapur zemrën këtyre fjalëve kanë vënë re se janë të lumtur. Përse të mos jesh i lumtur edhe ti? Zoti të ka krijuar pikërisht që të jesh i lumtur, të kesh gëzimin e plotë.

A dëshiron edhe ti të jesh i lumtur? Ja ku e ke një mundësi absolute. 10 fjalë jete për ty! Eja të lutesh me ne e të bësh përvojë të dashurisë së gjallë të Hyjit! Zoti të do, është i çmendur për ty! Eja e mos u huto!

Nikolin Sh. Lëmezhi