Konica.al, 09.08.2021
‘Dua të arsimohesh, por veç kësaj dua të brumosesh me traditat suliote, të mbetesh përherë suliot, ashtu siç ka mbetur tata yt’… Kështu i shkruante të birit, që studionte në Ankona, në Itali.
Para betejës së Misologjit, Marko Boçari përshëndetet me gruan e i thotë: Në orën e lirisë, dua të jemi bashkë, por në orën e betejës dua të jem vetëm.
Ajo ishte ndarja e përjeteshme; Boçari u vra 9 gushtin e vitit 1823.
Ngehu, Marko trimëria
ngrehu të thërret Greqia
të vijë Marko Shqipëria.
Lindi në Sul të Janinës më 1790, në një familje të dëgjuar, prej nga lindën shumë burra trima, si: Kiço Boçari, Kosta Dhimitri Jorgji dhe kapedani i madh i Revolucionit të 1821-t, Noti Boçari. Babai i Markos, Kiço Gj. Boçari u martua tri herë dhe kishte 18 fëmijë. Pesë prej tyre vdiqën të vegjël. Nga martesa e parë me Krisulla Papazotin, kishte Janin, Lenën, Marian, Anastasin dhe Markon. Kiço Boëari u vra më 1813 në Artë, nga Gjoko Bakola. Në vitet e kryengritjes së 1821-it, Marko i dha dorën dhe u përqafua me Gjoko Bakolën, duke e falur gjakun e të atit.
Marko Boçari u shqua si kapiteni suliot i luftës guerrile dhe heroi i revolucionit grek, që kishte pjesëmarrje të madhe të shqiptarësh, të njohur edhe si arvanitë. Marko Boçari është një ndër figurat kombëtare më të nderuara për grekët dhe portretet e tij mbushin shpesh klasat, zyrat e administratës e të qeverisë dhe baraka ushtarake; pa llogaritur, se ai vinte nga fiset me gjak të pastër shqiptar, të Sulit të Çamërisë.
Gjyshi i tij, Jorgo Boçari u shpërngul me gjithë fisin, nga Suli në fshatin Vulgarel, që iu dha në dorëzim nga Ali Pashai i Janinës dhe Markoja, jetoi atje deri më 22 dhjetor 1803, kur fisi i Boçarëve dhe suliotëve të tjerë, që kishin gjetur strehë n’atë vend dhe arrinin gjithsej deri në 1,148 vetë, nga frika se mos i sulmonte ushtria e Ali Pashës, u vendosën në shkrepat e Selcës së Agrafëve.
Më 20 prill 1804, suliotët i bënë ballë sulmit që prisnin dhe pas një rrethimi tremujor patën fund të dhimbshëm. Pjesa më e madhe e suliotëve u vranë dhe u kapën rob. U zu rob i plagosur dhe Noti Boçari, vëllai i t’atit të Markos, të cilin, Aliu e mbylli në kështjellën e Këlcyrës dhe më vonë, kur e la të lirë, u strehua në Korfuz. Kësaj katastrofe i shpëtuan 52 vetë dhe dy prej tyre, ishin Marko, atëherë 14-vjeçar, me të atin, të cilët nepërmjet Pargës, u hodhën në Korfuz, bashkë me suliotë të tjerë që kishin gjetur strehë në Pargë, pas shkatërrimit të Sulit. Në Korfuz, Marko u martua me Krisulla Kallogjerin, me të cilën pati edhe 4 fëmijë.
Kur gjendej i internuar në Korfuz, Marko Boçari mësoi greqishten dhe bëri të famshmin “Fjalorin dygjuhësh të greqishtes popullore dhe shqipes së thjeshtë”, më 1809 që e shkruajti Markoja vetë, me ndihmën e të atit Kiço Boçari (1754-1813), xhaxhait Noti Boçari (1759-1841) dhe vjehrrit të tij, Kristaq Kallogjeri nga Preveza. Ky fjalor ishte përfundimi i nxitjes së konsullit francez Pukëvili, siç pretendonte francezi vetë, përpjekje të mësojnë suliotët shqiptarë greqisht dhe të merren vesh me grekët. Megjithatë, Marko Boçari është autori i fjalorit të thjeshtë të parë greko-shqip. Fjalori i Marko Boçarit lindi si pasojë dhe e ngjarjeve që po kalonte Greqia, ku mbas lënies së armëve arvanitët duhet t’i përshtateshin jetës civile shoqërore, që për ta ishte e vështirë. Në majin e 1819-ës, dorëshkrimi i Fjalorit të Markos u dorëzua në bibliotekën Kombëtare në Paris, nga Pukëvili.
Autor i librit të ribotuar “Fjalori i Marko Boçarit” është çami nga Preveza Niko Stylos. Bashkim Kuçuku, redaktori i këtij fjalori shprehet me këto fjalë: “Natyrisht me këtë fjalor Marko Boçarin nuk e lidh shkenca, por gjuha amtare, shenja e pashlyeshme e identitetit të parë dhe të përjetshëm. Fjalori i tij është dygjuhësh, greqisht- shqip. Greqishtja është gjuha e arsimimit, e kulturës dhe e të folurit jashtë trojeve shqiptare, ndërsa shqipja gjuha amtare, e fisit dhe e tërë bashkësisë së vet”.
Fjalori i një gjuhe të stërlashtë në të cilin luftëtari shqiptar nga Suli i Çamërisë, Marko Boçari tregon gjithë gjendjen e gjuhës së gjallë, të folur në fillim të shekullit të XIX, nxjerr në pah një cilësi të panjohur të heroit legjendar të luftës për çlirimin e Greqisë. Fjalori ka rëndësi të veçantë, se shpreh shumë elementë të gjuhës shqipe në dialektin e çamërishtes, si dhe shërbeu si mjet politik për të afruar shqiptarët me grekët.
Asokohe, tregtia në zona të gjera të Ballkanit bëhej në gjuhën greke. Kështu lindi nevoja e një fjalori dygjuhësh dhe arvanitasit, në një farë mënyre u detyruan të mësonin greqishten që po fitonte terren si gjuha e tregtisë në Ballkan. Vetë botuesi i fjalorit të Marko Boçarit, Vasil Guda, vëren se Boçari ishte i gjysmë-arsimuar siç dëshmohet në letërkëmbimet e tij, gjatë Kryengritjes Arvanitase të 1821-it. Markoja i jepte mësime greqishteje ushtarëve shqiptarë të regjimentit që kishin formuar francezët në Korfuz, me burra çamë dhe moraitë (nga Moreja).
Titulli origjinal i ketij fjalori ishte: “Fjalori dy gjuhësh Romaiko-Arbërorja e thjeshtë: që përbëhej nga 111 faqe, 1 494 fjalë shqip dhe 1 701 fjalë greke.
Origjinali i këtij fjalori gjendet sot në Muzeun Kombëtar të Parisit. Markoja ishte Komandant i Greqisë perëndimori dhe kur qeveria i dërgoi diplomën e komandantit të përgjithshëm, lindën xhelozitë e kapedaëeve të tjerë, por Markoja iu përgjigj me thjeshtësi: Kush është i zoti, merr nesër diplomë në betejë; Marko Boçari u vra duke luftuar kundër ushtrisë së Mustafa Bushatit shqiptar edhe ky, Pasha i Shkodrës.
Kënga që populli i këndoi trimit, Marko Bocari:
Moj kalaja ne Janine
mos qaj per vezir Aline
per pallen qe drithmen mori
Rumelia, vete Stambolli
Se doli Marko Bocari
trimi qe se qaste varri
qe sulej si vetetime
ne Kapnesh mbi osmanllinjte
Jepi Marko kapedani
se nuk do te dale xhani
pa tu thyer jatagani
shqiponje e ketij vatani
Laberia kur degjoi
se u vra Marko fajkoi
ra ne zi e ra ne goj
kenga i mbeti ne goje
Sheshi u mbush me dafina
kur ne sup dymbedhjet trima
mbanin Sulin, ngrinin malin
Kapedan Marko Boçarin.
Marko Boçari, ishte dhe do të mbetet strategu i lavdishëm, luftëtari heroik shqiptar i virtyteve të larta, po si paraardhësit e tij të lavdishëm: Pirro i Epirit dhe Gjergj Kastrioti Skënderbeu.