KUR THRRET ATDHEU, ISH PRESIDENTËT PËRGJIGJEN SË BASHKU

0
333

Frank Shkreli Nga Frank Shkreli

Kryetari i Qendrave Amerikane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve me akronimin CDC, paralajmëroi vendin se për tre muajt e ardhëshëm, Shtetet e Bashkuara mund të përballen me krizën më të madhe shëndetësore që kemi parë deri tani. Drejtori i CDC, Dr. Robert Redfield u bëri thrirje amerikanëve që të dyfishojnë masat e kujdesit duke vendosur maskën, që të praktikojnë higjienën duke larë duartë dhe duke ruajtur distancën me njëri tjetrin. “Realiteti është se Dhjetori, Janari dhe Shkurti do të jenë të vështirë”, duke shtuar se, “në të vërtetë kjo periudhë mund të jetë koha më e vështirë në historinë e shëndetit në këtë vend”, paralajmëroi Kryemjeku amerikan.

Këshilltarët e entit qeveritar amerikan, US Food and Drug Administreation (FDA) do të takohen me 10 Dhjetor për të diskutuar nëse do të rekomandojnë përdorimin e vaksinës anti-Covid-19 të prodhuar tanimë nga kompania Pfizer e që thuhet se është 95 % efektive në parandalimin dhe trajtimin e virusit të përhapur anë e mbanë botës.

Problemi është se megjithë përparimin në prodhimin e vaksinës nga Pfizer dhe kompani të tjera, si dhe megjithë provat e bëra deri tani se vaksina është 95% efektshëme, ka shënja se madje edhe përball rreziqeve që paraqet virusi Covid-19 për amerikanët dhe për botën, një përqindje e konsiderueshme njerëzish – të cilët kanë frikë nga efektet negative anësore që mund të ketë vaksina — janë shprehur se do të hesitojnë ose do të kundërshtojnë të marrin vaksinat kundër Covid -19.

Të shqetësuar nga ky reagim nga një përqindje e amerikanëve ndaj vaksinës anti-Covid-19, tre ish-presidentët amerikanë, Bill Klinton, Xhorxh Bush dhe Barak Obama njoftuan se për të bindur amerikanët se vaksina anti-virus është e sigurt dhe se lufton virusin, kanë vendosur të marrin vaksinën “live” në televizion, menjëherë pasi të jetë aprovuar, për tu përdorur, nga entet përkatëse të Qeverisë Federale të Shteteteve të Bashkuara, me qëllim për të inkurajuar ata që dyshojnë në përfitimet që vijnë nga vaksina kundër virusit Covid-19.

Familja Bush, historikisht, ka qenë gjithmonë e para për fushata të tilla për të promovuar kauza me rëndësi humanitare dhe shëndetësore, në raste fatkeqësishë në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar. Në të kaluarën, përpjekjeve të familjes Bush u janë bashkanagajitur edhe ish-presidentët e tjerë, përfshir Klintonin dhe Obamën. Siç ishte rasti, 3-vjetë më parë, kur 5 ish-presidentët e Shteteve të Bashkuara, republikanët Xhorxh H. W. Bush i vjetër, Xhorxh W. Bush i ri dhe demokratët Xhimi Karter, Bill Klinton dhe Barak Obama, u bashkuan për të themeluar, “Apeli i Një Amerike”, me qëllim mbledhjen e fondeve urgjente për viktimat e uraganit Harvi në shtetin Teksas dhe të uraganit Irma, në shtetin Florida.

Apeli i “Një Amerike” ishte një thirrje e përbashkët nga pesë ish-presidentët amerikanë me qëllim për të inkurajuar bashkqytetarët e vet që të mbështesin përpjekjet për rimbkëmbjen e viktimave të uraganit Harvi në Teksas dhe uraganit Irma në Florida, si pasojë e fatkeqësive natyrore, që patën shkaktuar vërshime të mëdha shkatërruese, para tre viteve, në pjesën jugore dhe jug-perëndimore të Amerikës.

Përhapja e virusit Covid-19 këtë vit është një fatkeqësi shëndetësore e përmasave historike, jo vetëm këtu në Shtetet e Bashkuara, por edhe anë e mbanë botës. Është vërtetë një situatë emergjente kombëtare që kërkon mirëkuptim due bashkpunimin e të gjithë elementëve të shoqërisë, sidomos të enteve qeveritare vendimarrëse, por edhe të politikës dhe të figurave kombëtare, siç janë ish-presidentët amerikanë.

Nuk është se këta politikanë të lartë amerikanë – në rolin e tyre dikur si presidentë dhe tani si ish-presidentë – të mos kenë gjithnjë ndryshimet politike dhe partiake midis tyre — por është traditë në këtë vend, që në raste emergjente kombëtare, siç është përhapja e Covid-19, pikpamjet dhe qëndrimet politike lihen mënjanë, duke u bashkuar për të përballur, si është më mirë, sfida të tilla që prekin të gjithë shtetasit e këtij vendi, pa dallim, status shoqëror ose politik.

Një bashkpunim si ky midis zotërinjve Obama, Bush e Klinton për të ndërgjegjësuar shoqërinë amerikane të marrë vaksinën kundër Covid-19 kur të aprovohet, përfundimisht, nga entet përkatëse amerikane për të treguar publikisht se është e sigurt për tu marrë kundër virusit i ka rrënjët në historinë e herëshme të republikës amerikane. Kjo nismë nga ish-presidentët amerikanë, është tipike e politikës amerikane – që tregon se për këto figura të politikës amerikane – qoftë në detyrë, qoftë në pension — interesat e kombit dhe nevojat e popullit përball një fatkqësie shëndetësore dhe sfidash siç paraqet Covid-19 për botën dhe për Amerikën, janë gjithmonë mbi interesat personale, ekonomike, politike dhe partiake.

Ish-presidentët amerikanë, Bush i riu, Obama e Klinton po bëjnë detyrën e tyre humane dhe patriotike për të ndërgjegjësuar bashkatdhetarët e vet ndaj seriozitetit që paraqet kjo pandemi, nga e cila deri më tani, fatkeqësisht, në Shtetet e Bashkuara kanë gjetur vdekjen mbi 250.000 veta.