KUR POPUJT JANË NË FESTË

0
1054

Ndue Lazri

Nga Festa e popujve në Fermignano, Urbino

Është diçka e bukur kur shikon shoqatat shqiptare që bëjnë pjesë në Federatën FNAI, të cilat shpesh bëhen promotore të organizimit të festës së popujve që përfshin të gjitha komunitetet e emigrantëve që jetojnë në një zonë apo në një tjetër. Një organizim i tillë që është shprehje e integrimit, bashkëjetesës, tolerancës dhe shkëmbimit të vlerave e ka burimin në bashkëpunimin e afërt edhe me autoritetet lokale italiane, të cilat i mirëpresin dhe mbështesin iniciativa të tilla.

E kemi vënë re bashkëpunimin e komunitetit shqiptar në Fermignano-Urbino me autoritetet lokale si vitin e kaluar në hapjen e shkollës shqipe, ashtu edhe këtë vit me rastin e festës së popujve.

Në sheshin “Giuseppe Garibaldi” në Fermignano, dy mbrëmje radhazi në fundjavën e kaluar kishte një atmosferë feste të vërtetë. Anash sheshit përfaqësuesit e të gjitha etnive të emigrantëve që jetojnë në këtë zonë kanë hapur stendat me prodhimet karakteristike të artizanatit popullor e të kuzhinës tradicionale të secilit vend. Amvisat kanë punuar me talent e me pasion për të përgatitur ato specialitete që përfaqësojnë më mirë vendin e tyre. Ndërsa grupet popullore e folklorike ekspozojnë kostumet, këngët e vallet e tyre të bukura. Stendat e emigrantëve nga Shqipëria e Maqedonia, Rumania e Moldavia, Maroku e Tunizia, Nigeria e Irani, Mali e Benini, tërheqin vëmendjen e qytetarëve pjesëmarrës në festë, të cilët shprehin edhe dëshirën e kënaqësinë t’i shijojnë. Aktivistët e palodhur pranë stendës shqiptare na tregojnë se prodhimet e amvisave shqiptare janë ndër më të preferuarat dhe kërkohen nga publiku.

Ndoqëm edhe manifestimin kulturor të grupit shqiptar. Ai filloi me një program të shkurtër me këngë e recitime nga nxënësit e shkollës shqipe që mbyllnin vitin shkollor. Mësuesja Ana Bullari, një intelektuale e vërtetë dhe e palodhur ka bërë një punë shumë të mirë me nxënësit gjatë vitit shkollor dhe ata recitojnë e këndojnë bukur në gjuhën shqipe, ndonëse kanë lindur që të gjithë në Itali. Ana bën çdo fundjavë 40 kilometra rrugë vajtje-ardhje, poërveç përgatitjes sistematike si mësuese, për të zhvilluar mësimin me nxënësit e saj. Ajo ka përgatitur edhe dëftesat, që u shpërndahen nxënësve në këtë ditë të bukur feste.

Pastaj fillon koncerti i grupit shqiptar në skenën e përgatitur posaçërisht për këtë manifestim. I palodhuri Erion Verori, qëndron në pultin e komandimit, nga ku drejton pjesën muzikore dhe ecurinë e spektaklit. Madje ai qëndron në atë pult edhe në ndihmë të grupeve të etnive të tjera. Brunilda Ndini, organizatore e talentuar, është gjithnjë në lëvizje, pasi dçshiron që gjithçka të shkojë sa më mirë e spektakli të ketë ritmin dhe cilësinë e kërkuar. Në ndihmë të saj kanë ardhur edhe Drita Gega me grupin e saj të valleve nga Lecco dhe Cristina Xhakolli e Renzo Bonafini që kanë sjellë pajisjet tradicionale të odës shqiptare dhe kostume popullore, që tërheqin vëmendjen me bukurinë dhe harmoninë e ngjyrave, larminë e motiveve dhe qëndisjeve të bëra me mjeshtëri. Të kudogjendur edhe Dritan e Altin Koçi që ndihmojnë në organizimin dhe mbarëvajtjen e festës.

Bashkë me drejtuesit e shoqatës “Nënë Tereza” në Pesaro Fitim Kajo e Dashi Zguro, të cilët kanë qenë vazhdimisht prezentë e në ndihmë të grupit organizator shqiptar, si dhe me mikun e kolegun tim Klodian Cami, që ka ardhur posaçërisht nga Reggio Emilia, ndjekim me kënaqësi programin artistik. Publiku i etnive të ndryshme dhe ai italian që ndjekin shfaqjen, duartokasin vallet e bukura e dinamike, të cilat ftojnë për vallëzim dhe sheshi fiton një lëvizje e gjallëri të paparë. Valltarja më e re e grupit Stela Çokaj fiton shpejt simpatinë e publikut, kur i prin aq bukur valles.

Kryetari i bashkisë së Fermignanos, Emanuele Feduzi, në një moment ngjitet në skenë e falënderon grupin shqiptar dhe grupet e tjera pjesëmarrëse në këtë manifestim, flet për angazhimin e komunës e të kolegëve të tij për ta bërë këtë festë një eveniment të rëndësishëm që do të kthehet në traditë në vitet në vazhdim.

Pas grupit shqiptar ngjitet në skenë grupi përfaqësues i emigrantëve të Rumanisë e pastaj me radhë. Festa me muzikën tradicionale të popujve vazhdon deri vonë. Është diçka e bukur të ndjekësh e përjetosh këtë atmosferë, në një kohë kur nga vende të ndryshme vijnë lajme tronditëse për aktet terroriste që duan të prishin pikërisht atmosferën e jetesës së popujve në qetësi e harmoni. Festa të tilla përcjellin mesazhin që kultura dhe dëshira për bashkëjetesë e shkëmbim vlerash ngrihen mbi mjegullat e errëta që duan të përhapin ata që u vret sytë një atmosferë e tillë.

Dërgoi për publikim, Gjin Musa, gazetar