KUR POEZIA NDEZ GRIGLIATËN

0
1182

Ndue Lazri, gazetar dhe poet.

Në grigliatën e dytë poetike të artistëve shqiptarë në Verona

Karvani i gjatë i makinave nuk reshtëte së ardhuri drejt asaj vile disi të mënjanuar në rrugën “Mantovana” në qytetin e Veronës. Janë makina që “lumi” i gjatë i autostradës i ka sjellë nga tërë anët e Italisë për t’i bërë pastaj të rreshtohen në atë rrugën e gjatë që shpie tek vila. Duke qene e diel paradite të duket sikur ke të bësh me një karvan me makina dasmorësh. Po të hyjmë në gjuhën e poetëve, në fakt kjo është një lloj dasme, ku nuse është poezia.

Poetë e shkrimtarë, por edhe dashamirës e lexues të pasionuar të letërsisë vijnë në Verona, në qytetin e të dashuruarve të përjetshëm Romeo e Xhuljeta, ku vargjet poetike janë gdhendur gurëve e sokakëve të kalldrëmtë, brigjeve të lumit që e përshkon mespërmes, urave që lidhin brigje e zemra, ballkoneve ku ka gjithnjë nga një Xhuljetë që pret mbrëmjeve Romeon e saj.
Edhe pranvera e lagësht e këtij viti ka nxjerrë nga gjiri i saj një nga ditët e rralla të diellta, për t’ ia bërë si kurorë lulesh nuses-poezi e për ta ngrohur më shumë atmosferën romantike që shkrimtarët dhe artistët dinë ta improvizojnë kudo.

Grigliata poetike, e cila tashmë është bërë një traditë në aktivitetet e shoqatës së Lidhjes së Shkrimtarëve e Artistëve Shqiptarë në Itali, gjithnjë në gjysmën e dytë të maijit, organizuar nga kryetari i saj, nga poeti Tonin Nikolli, këtë vit ka sjellë këtu në parkun pranë vilës së zotit Sergio Prati dyfishin e pjesëmarrësve në krahasim me atë të vitit të kaluar. Madje zoti Sergio, që vitin e kaluar mbeti i befasuar nga ajo atmosferë e bukur që dinë të sjellin krijuesit shqiptarë, këtë vit ka marrë masa që parku të bëhet edhe më i bukur e më i pajisur me mjetet e nevojshme si tavolina, tenda, stola, frigoriferi i madh e furra spektakolare me disa griglie për pjekjen e prodhimeve të mishit. Bisedojmë me të dhe i sugjeroj që një tavolinë e madhe e rrumbullakët në qendër të sheshit, e cila mbetet e zbuluar nga hijet e pemëve dhe e zë dielli tëtë kohën, të mbulohet nga një tendë më e gjerë nga ajo e improvizuara që ka aktualisht. Ai e pranon dhe thotë që vitin e ardhshëm do ta gjejmë të gatshme. E tërheq kjo atmosferë, ngrohtësia, muzika shqiptare, komunikimi i pjesëmarrësve.

Ka plot nga ata që vijnë për herë të parë, sepse kanë dëgjuar nga pjesëmarrësit e vitit të kaluar dhe nuk duan ta humbasin rastin. Anila Alhasa, e cila ka një shtëpi botuese në Genova, ka ardhur me bashkëshortin që nga bregdeti i Ligureve. Edi Xhuheri, Ermira Zhuri, Florim Zeqo, Miradije Avdullahi e Beqir Çikaçi, që vijnë nga Treviso, kanë sjellë me vete edhe një grup të vogël por të pasionuar vallesh popullore. E nuk mund të mungonte edhe pasionarja e valleve Drita Gega nga Lecco, e cila ka ardhur me bashkëshotrin Ndue Çokaj pasi kanë mbaruar një festë familjare në qytetin e bregliqenit të bukur. Madje rrugës në Brescia janë bashkuar edhe me poeten Irma Kurti e cila nuk donte ta humbiste këtë festë të bukur të artit poetik.

Kryetari i shoqatës “Besëlidhja” në Rovereto, Miltiadh Ziu, Gjovalin Gjergji e grupi që ka zbritur me ta entuziazmohen nga ambienti dhe i bëjnë përgëzimet Toninit dhe bashkëshortes së saj Margaritës, e cila edhe me një numër kaq të madh mysafirësh di të jetë një zonjë shtëpie perfekte. Nga Trentino kanë zbritur edhe Sokol Abazi dhe bashkëshortja e tij, balerina e palodhur Gentiana, nga shoqata “Varta” e Ales, i palodhuri Erio Korani me grupin e shoqatës “Rinia” në Riva del Garda. Erio është i angazhuar duke u marrë edhe me mjeshtërinë e Dj për të krijuar atmosferë e ambient për vallëzim me muzikën.

Cristina Xhakolli, duke qenë përkohësisht me paterica për shkak të një ndërhyrjeje kirurgjikale, ka marrë rrugën që nga Rovereto për të qenë mes krijuesish dhe në fakt është gjithnjë e rrethuar prej tyre, si Lume Plaku e shumë të tjerë që i rrinë pranë e përkujdesen që të ndihet sa më mirë. Më tej shikoj Fitim Kajon e Dashi Zgurin me familjet e tyre dhe grupin që ka ardhur nga shoqata “Nënë Tereza” e Pesaros.Mes tyre është edhe krijuesja Angjelina Verori, që merr pjesë për herë të parë në një aktivitet të tillë. Grupi i Reggio Emilias, me kryetarin e shoqatës “Shqiponja” Haki Maze është më i madhi në numër. Klodiani, Blerta, e bashkëshorti i saj Saimiri, Liljana,Anila, Bardhi, Brunilda, shkrimtari Robert Shkurti me bashkëshorten, bashkojnë tavolinat me grupin e Roveretos dhe me Anila Kajën, Edin, Dean e Kristinën, që kanë ardhur nga Mantova. E janë ndër më aktivët për të vallëzuar.

Ndërsa mjeshtri i grigliatës, Ardit Aliaj, djersit pranë furrës pa hequr dorë nga pasioni i gastronomit edhe tani që është zgjedhur kryetar i shoqatës “Interaction” të Brescias, amvisat vendosin mbi një tavolinë të madhe krijimet e tyre në fushën e kuzhinës, të cilat kanë në vetvete poezinë e duarve të arta të këtyre grave që kanë vënë në lëvizje fantazinë që të konkurojnë me krijuesit e vargjeve. E në fakt një juri e përbërë nga Hamit Çorrogjafi, Ermira Zhuri e Shpëtim Muça që kalon provën e degustimit të byreqeve nga më të ndryshmet, tortave, gurabijave, bakllavave, do të bëjë vlerësimet derisa shpalli edhe fituesen e sezonit të këtij viti të grigliatës. Aktivisti Xhemal Hyzoti ftohet t’ i dorëzojë në mënyrë simbolike grembiulen e fitueses, amvisës Mirela Shele.

Ndërsa vazhdojnë këto vlerësime, mikrofonin e ka marrë në dorë këngëtari Bahri Rustja, pjesëmarrës i 8 festivaleve të këngës në Radiotelevizionin shqiptar. Ai sjell një mozaik këngësh të ndryshme, duke treguar se e ruan potencialin e tij zanor e interpretativ dhe i nxit pjesëmarrësit të mbushin pistën e vallëzimit. Madje vallëzimi shtrihet edhe tej pistës, mbi qilimin e blertë të parkut. Poetja bjonde Mimoza Gruda, që ka ardhur me mamanë e saj e me bashkëshortin italian, kërcen me dinamikë të veçantë jo veç kur këndohen këngë shkodrane apo te veriut, por edhe vallet e jugut e të Shqipërise së mesme.

Kërkoj të bëj ndonjë foto, por heq dorë shpejt kur shikoj impenjimin profesional të mjeshtrit të objektivit, Llesh Prendi, i cili duket sikur ka shumë sy dhe di të kapë momentet më domethënëse e më të natyrshme për t’ i fokusuar. Asgjë nuk i shpëton vëmendjes së tij artistike që di të zgjedhë momentin dhe detajin e duhur.

Prezantuesja Lori Duka ka punë se duhet të ftojë herë pas here krijues, t’ i prezantojë ata e pastaj tu lerë mikrofonin për të recituar krijimet e tyre. Vargjet e poezive abinohem mirë me gotat e verës dhe prodhimet e grigliatës, me tingujt e muzikës e ngjyrat e kostumeve popullore e edhe me ato të flamurit kombëtar që nuk mungon kurrë në aktivitetet tona.

Edhe për krijuesit është caktuar një juri spontane e kryesuar nga Ndue Shabaku. Me çmimin e publikut u vlerësuan krijimet e Xhevahir Gjonajt dhe Angjelin Lazrit. Kurse çmimin e parë nga juria e meritoi poezia “Shekull politikan “ e autorit Avni Muça.
Në një moment improvizohet poet edhe zëvendëspresidenti i Federatës, Hamit Çorrogjafi. Ai ftohet të recitojë një krijim. Por meqenëse nga natyra është i ndrojtur si talent i ri, ftohen tri nga bukuroshet e federatës, Lori, Anisa e Anila për ta inkurajuar me një puthje në faqe.

-Meqenëse jemi në grigliatë poetike dhe në raste të tilla të tërë bëhen poetë, po recitoj edhe unë një poezi që e kam bërë kaherë, por nuk ja kam treguar as gruas, -thotë Hamiti dhe reciton një poezi dashurie me një notë të lehtë humori e çapkënllëku. Çmimin ja jep bashkëshortja Rodela, e cila e mbulon me të puthura si një sfidë për bukuroshet dhe sipërmarrjen e tyre inkurajuese.

Festa poetike vazhdoi deri në afrimin e mbrëmjes, kur makinat me pjesëmarrësit “dasmorë” u larguan një nga një dhe nusja-poezi i shtriu hiret e bukurisë së saj parkut të blertë në pritje të grigliatës së vitit të ardhshëm.