Kur organizata turke TIKA ta ndërsen gazetarin shqipfolës

1
1303
Gani Mehmetaj

Gani MEHMETAJ
Drejtor i Kosovafilmit

Organizata turke TIKA ma ndërseu gazetarin shqipfolës pak javë pasi e shpërndava lajmin e një arsimtari shqiptar për skandalin e organizatës turke, e cila në shkollën fillore “Elena Gjika” të Prishtinës, hoqi fotografinë e Gjergj Kastriotit, duke e vënë flamurin turk.

Hakmarrja ishte e ulët, primitive dhe e ndotë, në nivelin e frymës islamike-orientale. Në shkrimin plotë shpifje të sponsorizuar nga TIKA, gazetari i ndërsyer shpif pa fije turpi. Shpifjet e tilla i hedh më përbuzje, madje as që do të merrja mundin t’u përgjigjesha, mirëpo për hir të opinionit po i bëj disa sqarime, që të mos hutohen nga shpifjet e shkollës serbe: ”shpif sa të mundësh, sepse diçka do të mbetet”.

Shpifja e parë e gazetarit shqipfolës nuk qëndron, sepse asnjërin nga anëtarët e familjes sime nuk i ka rehatuar ministri Kujtim Shala, as që ka pasur nevojë t’i ndihmojë, meqë ishin në vendet e punës në ministri ose jashtë ministrisë së paku dhjetë vjet më parë, ndërkaq, Shala erdhi në krye të MKRS para dy vjetësh.

Ministri Shala nuk me ktheu në punë në krye të Kosovafilmit, ku isha që nga maji i vitit 2003, por më riktheu sekretari i Ministrisë së Kulturës, pasi që u bind se akuzat ndaj meje ishin shpifje. Mund të shihet vendimi. Ndërkaq, Gjykata Themelore e Prishtinës, po për herë të dytë, më shpalli të pafajshëm, duke më liruar nga të gjitha shpifjet. Pra, nuk kisha bërë asnjë shkelje ligjore as shkelje të detyrave të punës, ndërsa do të mi paguajnë të gjitha rrogat e prapambetura dhe kompensimin moral. Fatkeqësisht gazetat e televizionet që e ndoqën më zhurmë pezullimin tim, duke më akuzuar për gjëra që as në mend nuk më shkonin, nuk e dhanë asnjë lajm për pafajësinë time.

Shpifja e dytë: vëllai im Haxhi Mehmetaj nuk punon në Institutin Arkeologjik qe kur erdhi ministri Shala, por ai punon arkeolog që nga viti 1981, meqë ka mbaruar Fakultetin e Arkeologjisë në Zarë të Kroacisë, madje edhe specializime të tjera në Zagreb. Më parë Haxhi Mehmetaj ishte drejtori i Institutit Rajonal të Prishtinës nga viti 1999 deri me 2014. Prapë me vendimin e sekretarit të MKRS-së është emëruar arkeolog i Institutit Arkeologjik, pasi i kaloi mandati i drejtorit. Ministri Shala e gjeti në vendin e arkeologut, sipas meritave e profesionit. Kot që i bie në qafë gazetari shpifës vëllait tim e ministrit.

E treta, gruaja e Haxhi Mehmetajt, kunata ime, Fatime Mehmetaj është përgjegjëse në Bibliotekën e Prishtinës “Hivzi Sulejmani”, në vartësi të Komunës së Prishtinës, pra s’ka të bëja fare më MKRS-në, as me ministrin Shala. Ajo punon në këtë bibliotekë që nga viti 2004. Ku është këtu ndihma e ministrit Shala?

E katërta, nuk e kam ndihmuar nipin tim, Kastriotin në konkursin e shpallur nga Ministria e Kulturës, është komisioni e përgjegjësit, që ia kanë dhënë një mundësi të tillë, sipas aftësive e meritave.

E pesta, Ilir Gjocajn, kineast e dramaturg, e ka pranuar në Kosovafilm (2004) një komision i veçantë, ndërsa është një regjisor filmi, ish përgjegjës i Kosovafilmit, ai i cili atëbotë ka këmbëngulur të pranohet në punë Iliri për shkak të aftësive që i ka vërejturi profesori i tij, meqë e kishte student katër vjet. Pranimin e tij as nuk e kam nënshkruar, as nuk e kam vendosur. Ministria e Kulturës e ka pranuar dhe Ministria e Kulturës ma solli në Kosovafilm në përcjellje të një zyrtari.

Pres që organizata rrënuese TIKA të ma ndërsejë edhe ndonjë gazetar tjetër, nuk më bëhet vonë, por ju portali Arbëreshi.com më këtë emër kumbues pse bëheni instrument i turqve rrënimtarë.

Komentet janë mbyllur.