KUR NA FTON NË TAKIM, MIKU YNË PËRPARIM…

0
2040
Takim me Përparim Hysi

Skicë:

Nga: Murat Gecaj

1.
Kishte disa here, në këta 2-3 muajt e fundit, që kolegu e miku krijues e botues, Përparim Hysi (ose Papi, siç i themi shkurt, zakonisht), që më kishte marrë në telefon. Të shumtën e rasteve, interesohej të dinte për gjendjen shëndetësore, si timen e të bashkëshortes. Por dhe “e hante meraku”, që të takoheshim përsëri, ashtu si më parë, në lokalin “Migena”, i cili ndodhet në afërsi të Hotelit “Tirana”, të kryeqytetit…

U desh që të ikte ajo vapa përvëluese e verës së këtij viti, por dhe të isha pak më mirë nga shëndeti, që ta plotësonim këtë dëshirë tonën të përbashkët. Dhe ja, mbrëmë, përsëri ra zilja e telefonit, në banesën tonë, në afërsi të ish-stacionit të trenit. “Jam Papi, Babush…” – foli ai, sikur ta dëgjoja për herë të parë atë zë.

“Të njoh, o Papi”, – iu përgjigja atij, duke ia njohur jo vetëm timbrin e zërit të tij, por dhe atë epitetin, “Babush”, që nuk ma ndan asnjëherë, në një “kor” me mjaft mike të mia krijuese, poete e shkrimtare, si në Shqipëri dhe jashtë saj. ”Po, Papi, shëndodsh qofshim, deri nesër dhe patjetër do të takohemi, rreth orës 9.00, se na mori malli… Shihemi te lokali “Migena”, si përherë…”, – e mbyllëm bisedën e shkurtër, duke i uruar njëri-tjetrit, “natën e mire”, familjarisht.

2.
Sot në mengjes, u lidhëm me celularë, por shprehëm dëshirën e përbashkët që ta zgjeronim rrethin e takimit tonë, pra aty të ftonim dhe miqtë tanë, krijues të njohur, Viron Konën e Lida Lazajn. Dhe ashtu u bë. Mirëpo, ndodhi si në atë legjendën, që kemi ne në Veri… Thonë se kur, në pranverë, u nisën plakat të dilnin në bjeshkë dhe morën me vete të gjitha pajisjet, që u duheshin, gjatë rrugës, zu të bjerë borë e të bëjë të ftoftë?!

Diçka e ngjashme na ndodhi edhe ne sot(ha,ha). Pra, sapo dolëm nga shtëpitë tona, ia nisi një shi i rrëmbyer, si ta hidhje me kazana, sa as çadrat nuk të mbronin dot?! Bëmë, ç’bëmë dhe secili në drejtimin e tij, arritëm në vendin e parashikuar. Si gjithnjë, aty na priste Papi, buzagas e mbështetur në kolltuk, si një “aga” i dikurshëm (ha,ha).

U përshëndetëm me njëri-tjetrin dhe ia shtruam bisedës, “për shtatë palë qejfe”. Pimë kafe e çaj, shoqëruar dhe me pak raki nga faqorja ime, që e mbaj nganjëherë me vete, sidomos për ta qerasur Vironin. Por, në këtë pikë, nuk konkurroj dot me kolegun tjetër krijues, Bardhyl Xhamën. Se ai na jep, secilit, nga një shishkë me raki, pa harruar karramelet.

Pa humbur kohë, Përparimi na vuri përpara librin e tij më të ri, me poezi lirike, si ta kishte sajuar titullin, pikërisht edhe për ne, pensionistë,“Nuk ka moshë dashuria…”(Tiranë, 2017). Një lexues i vëmendshm ka parë shpesh, sidomos në rrjetet sociale, krijime të tillë, nga ky autor mjaft prodhimtar, i cili ka botuar deri tani, dhjetëra tituj librash.Në secilin libër të dhuruar për ne, ashtu si e ka praktikë të vetën, ai kishte bërë dhe nga një kushtim dashamirës. E falënderuam përzemërisht kolegun e mikun tonë, duke e uruar për kët botim të ri dhe për shëndet e mbarësi, gëzime e lumturi, për vetën dhe familjen e nderuar të tij.

3.
Në atë takim mbresëlënës, ne bisduam për familjet tona, për fëmjët, por dhe nipat e mbesat tona, “mjaltin e mjaltit”. Se në krijimet e librat tanë ata kanë zenë një vend të meriuar. Sidomos kur të rriten, ata do ta ndiejnë më mirë pulsin e zemrave tona, që ka rrahur gjithnjë për ata.

Si “pauzë” e këtij takimi të këndshëm ishin bisedat, që bëmë në celular, me mikun e përbashkët, publicistin e kahershëm dhe ish-drejtor në Gjimnazin e fshatit të bukur Zogaj, në Malësinë e Gjakovës (Tropojë), Ibrahim Hajdarmataj. Ai ka afër një javë, që është i shtruar në Spitalin Universitar “Nënë Tereza”, me një gjakderdhje të papritur nga stomaku, pa patur më parë asnjë shqetësim dhe pa u kuruar me ndonjë ilaç?!

Po, falë mbërritjes së shpejtë në spital, kujdesit mjekësor, serumeve dhe marrjes tri herë gjak, nga djemtë e tij, tani ai ndodhet shumë më mirë. Këtë gjë e pamë, nga afër dhe unë e miku tjetër arsimtar, publicist e studiues, Sejdo Harka, kur i shkuam, ay në spital, për ta parë. Siç i themi ne, shkurt, Braçja shprehu kënaqësinë e veçantë, që bisedoi me ne dhe na u lut të pinim diçka prej tij edhe pse nuk ishte i pranishëm. Me siguri, atij nuk do t’i zgjasë ajo gjendje dhe kafen e gotën e rakisë, shpejt do ta pimë së bashku.

4.
Si ta kishim porositur, kur dolëm nga dera e lokalit “Migena”, shiu kishte pushuar dhe çadrat u bënë “barrë” për ne. Përparimi e Vironi ecën bashkë, drejt Rrugës së Kavajës, ku i kanë shtëpitë. Ndërsa unë e Lida shkuam bashkë, deri te kioska pranë Bibliotekës Kombëtare, ku mora një kopje të numrin të ri 6, të Revistës Letrare të Tiranës, me ërmrin e bukur “Illz”, që ma len aty kryeredaktori i saj, miku Rexhep Shahu.

Pastaj, shkova në SHB “Edlora”, ku kam botuar pothuaj tërë librat e mi. Aty i lashë Edlira Kames, administratore dhe bijë e drejtorit, mikut të kahershëm Vladimir Kallupi, dorëshrimin e librit “Si ujëvarë bjeshke…”. Ky është i treti, në radhë, që botoj për krijueset tona të talentuara, me banm në Shqipëri e trojet tjera amtare, por dhe që jetojnë emigrante nëpër Europë, Amerikë e Kanada.

…Ja, kështu e mbyllëm takimin tonë të sotëm, të thjeshtë, por të bukur, mbushur plot mbresa dhe emocione të pashlyera. Për atë, ishte jo vetëm nismëtar, por dhe “sponsor”, kolegu e miku ynë i përbashkët, Përparim Hysi, të cilin e falënderojmë nga zemra!

Tiranë, 21 shtator 2017