“Kur lideri i Xhemijetit, Nexhip Draga u sëmur, Pashiqi e dërgoi në spitalet e Vjenës”

3
180
Blerim Latifi

Shkruan: Blerim Latifi

Fuad Ramiqi e Shefqet Krasniqi janë pasardhës besnikë të Nexhip e Ferhat Dragës. Ramiqi e Krasniqi nuk mund të ulen më në ulëset e Parlamentit në Beograd, ngase Kosova është shtet i pavarur nga Serbia, por punën në terren e bëjnë njëjtë si dikur Xhemijeti, që përhapin sheriatin dhe t’i bindin shqiptarët se simbolet e nacionalizmit shqiptar, si ai i Skënderbeut, duhen braktisur.

Në analizat e shumta që sot bëhen mbi origjinën e radikalizmit islamik në Kosovë, rëndom theksohet ideja se kjo origjinë lidhet me vitet e pasluftës, kur në Kosovë vërshuan kushedi sa organizata arabe, të cilat, së bashku me ndihmat për një shoqëri të shkatërruar, sollën edhe ideologjitë e tyre, format dhe interpretimet radikale të islamit, të cilat më pas u përhapën përmes klerikëve të shkolluar në botën arabe. Kjo tezë është gjithsesi e saktë, por nuk shpjegon në tërësi problemin e islamit politik në Kosovë. Ekziston një burim tjetër prej nga e gjen frymëzimin ky lloj islami dhe ky burim lidhet me vetë historinë e Kosovës, të gjysmës së parë të shekullit të kaluar.

Që të kuptojmë këtë, është e nevojshme pak histori.

Në përfundim të Luftës së Parë Botërore, Kosova u ripushtua nga Serbia. Ideologët kosovarë të lëvizjes nacionale shqiptare të mbetur në Shqipëri, e të mbledhur në Komitetin për Mbrojtjen e Kosovës, vendosën të nisin një kryengritje të madhe për çlirimin e Kosovës. Në krye të saj u vendos Azem Bejta dhe zona ku duhej nisur kryengritja u vendos të jetë Drenica. Me të ardhur pranvera, krejt ky plan u vu në veprim. Diku rreth 10 mijë luftëtarë u përfshinë në kryengritjen, e cila për shkak të strategjive të dobëta dhe armatimit të keq shpejt u shua nga ushtria serbe. Kryengritja u shua, por prapa mbeti një fakt tronditës për qeverinë serbe: pakënaqësia e shqiptarëve ishte masive dhe në kushtet kur shteti serb i dalë nga lufta ishte pothuajse i rrënuar, një organizim më i mirë i kësaj pakënaqësie do të rrezikonte seriozisht humbjen e Kosovës.

Si duhej vepruar në këtë rast? Si mund të zbutej nacionalizmi shqiptar në Kosovë me metoda të tjera më pak të kushtueshme? Këto pyetje morën shpejt përgjigje duke u nisur nga parimi se kur nuk kryen punë forca – kryen ideologjia. Në këtë drejtim mënyra më e mirë për të zbehur nacionalizmin shqiptar në Kosovë ishte që të investohej në komponentin fetar të identitetit të popullatës shqiptare në Kosovë, në kuptimin që shteti të krijonte më shumë hapësirë legale dhe politike për afirmimin e këtij komponenti. Vetëm pak muaj pas kryengritjes së Drenicës, kjo ide mori formë konkrete. Në Shkup u formua partia e parë politike e shqiptarëve në Jugosllavi e ashtuquajtura Xhemijeti, e cila u regjistrua si “Shoqata islamike për Mbrojtje dhe Drejtësi”.

Që në emër ne e kuptojmë orientimin e saj ideologjik, që është një orientim turko-islamik, qëllimi themelor i të cilit është të afirmojë dhe mbrojë të drejtat e myslimanëve shqiptarë në Kosovë. Mes tjerash, njëra prej pikave programore të Xhemijetit ishte arritja e të drejtës që në popullatën shqiptare në Kosovë të përdorej sheriati në fushën e të drejtës civile, që do të thotë në fushën e marrëdhënieve pronësore dhe familjes. Vetëm realizimi i kësaj pike programore do të mjaftonte që komponenti fetar i identitetit të shqiptarëve në Kosovë të fitonte epërsi mbi komponentin nacional. Xhemijeti mori pjesë në zgjedhjet serbe, fitoi disa ulëse në parlament dhe hyri në koalicion me partinë radikale të Pashiqit, i cili si duket është inspiruesi dhe ideatori fillestar i islamit politik të Xhemijetit.

Kur lideri i Xhemijetit, Nexhip Draga u sëmur rëndë, vetë Pashiqi u përkujdes për dërgimin e tij në spitalet e Vjenës. Pas vdekjes së tij, postin e liderit të Xhemijetit e zuri vëllai i tij, Ferhat Draga. Me vrasjen e Azem Bejtës, dhe rikthimin e Ahmet Zogut në pushtet, në Shqipëri, ndërruan edhe rrethanat. Në Kosovë kishte marrë fund çdo vatër e rezistencës serioze dhe në Tiranë tanimë ishte në pushtet një anti-kosovar dhe për rrjedhojë nevoja e qeverisë serbe për Xhemijetin nuk ishte më emergjente. Në këtë kontekst, kjo qeveri nisi persekutimin e shumë eksponentëve të saj me dënime me burg dhe forma të tjera të ndjekjes në mënyrë që ata të shuanin edhe shkëndijën më të vogël të nacionalizmit, që mund të shfaqej në strukturat e Xhemijetit.

Sot, në kushtet e fillimeve të shekullit XXI, kur feja në rrafsh global është rikthyer fuqishëm në çështjet e politikës dhe identitetit të shoqërive, islami politik në Kosovë ka të njëjtin funksion që e kishte në vitet ’20 të shekullit të kaluar, të fuqizojë komponentin fetar të shqiptarëve të Kosovës, në dëm të atij nacional dhe sikurse atëherë, interesin më të madh në këtë drejtim e ka Serbia, ngase përmes kësaj, në plan afatgjatë, ajo rifiton pozicionin e ëndërruar për të qenë vendi, kufijtë e të cilit janë edhe kufijtë e Europës.

Kësisoj klerikët e sotëm kosovarë që kërkojnë futjen e sheriatit në të drejtën civile, futjen e dogmave fetare në sistemin e arsimit publik të Kosovës, partitë me orientim ideologjik islamik si Partia e Drejtësisë dhe Lëvizja Bashkohu, që për koincidencë kanë në emrat e tyre vetë emrin e Xhemijetit, janë në thelb ringjallje e këtij të fundit. Ato janë Xhemijeti i Ri.

Të tillë si Fuad Ramiqi e Shefqet Krasniqi janë pasardhës besnikë të Nexhip e Ferhat Dragës. Ramiqi e Krasniqi nuk mund të ulen më në ulëset e Parlamentit në Beograd, ngase Kosova është shtet i pavarur nga Serbia, por punën në terren e bëjnë njëjtë si dikur Xhemijeti, të përhapin sheriatin dhe t’i bindin shqiptarët se simbolet e nacionalizmit shqiptar, si ai i Skënderbeut, duhen braktisur. Dhe duhet pranuar se nuk janë pa gjë përpjekjet e tyre. Sot sheriati është duke prekur normat e të drejtës zakonore shqiptare dhe këtë më së miri e shohim në ndërmjetësimin e konflikteve civile.

Nëse dikur ndërmjetësuesit në këto konflikte ishin profesorët, të shkolluarit (kujtojmë pajtimin e madh të gjaqeve) sot këtë rol e kanë marrë hoxhallarët salafistë. Vendin e fushave dhe odave të pajtimit e kanë zënë xhamitë, ku derdhen paratë e dyshimta arabe. Në këto kushte Anton Çeta do të kishte dështuar krejtësisht po të donte të pajtonte dikë, aq më tepër se në gjuhën e Xhemijetit të Ri, ai do të ishte vetëm një profesor katolik”. /KDP

* Autori është mësimdhënës i filozofisë politike në Universitetin e Prishtinës

3 KOMENTE

  1. Ne kontekstin kohor dhe ne kontekstin e rrethanave te ndryshme nuk e kisha bere kete krahasim si meritor.

    Ne okupim shkavellik eshte e pritshme te kete organizime politike te llojit te Xhemijetit nga Shkavellia.

    Por sot ne LIRI fantastike e kemi jo Shefqet Krasniqin, jo Fuad Ramiqin… por absolutisht secilin Musliman te Kosoves, duke filluar nga Naim Trrnava deri te Xhabir Hamiti, apo Idriz Bilalli me Musli Osmanin, te cilet me tere fuqine e tyre Islamike e luftojne KOMBIN SHQIPTAR… dhe jane pakrahasimisht me anti-SHQIPTAR SE XHEMIJETET E OKUPIMIT SHKAVELLIK.

    OSE JE SHQIPTAR ose Musliman

  2. I nderuar zoti Bytyçi, asnjëherë nuk e kam bërë punën e avokatit e as që mendoj ta bëj.
    Nga të apostrofuarit e njoh vetëm Idriz Selim Bilallin, me të cilin kam pasur nderin të jemi në aktivitet.
    Idrizi detyrë parësore çdo herë e kishte Atdheun dhe mbrojtjen e tij nga armiku.

    Ai në çdo ligjëratë përsëritet thënien lapidare të axhës së tij hoxhë. Ramë Govori “Pa gjuhë e atdhe të lirë feja është vetëm mallkim”.
    I ushqyer me këshillat e axhës së tij Ramë Govori, i cili bëri burg të gjatë në Nish, vetëm pse doli në mbrojtje të Shqipërisë Natyrale, të njëjtën rrugë e trasuan edhe nipat e tij.

    Idriz Billalli në ditët më kritike xhaminë “Met Podieva” ku e kryente detyrën e imamit e ktheu në shoqatë humanitare, vend tribunash e debatesh mbi historinë tonë kombëtare,zyrë ofiçarie, ku bëheshin regjistrimet e të porsalindurve dhe kurorzimet e çifteve.
    Ofiçaritë e fshatrave i pati bartur Serbia pushtuese në komuna.
    Aty nëpunësit ishin vendosur dhunshëm dhe ishin serbë.

    Çdo shërbim ata e kushtëzonin me njohjen e shtetit të tyre.
    Për t’u evituar ky poshtërim yni imami Bilalli e ndërmori këtë veprim. Evropa Perëndimore duke njohur gjendjen faktike të shqiptarëve nënokupimin serbë të gjitha këto dokumente i njohu si valide.

    Ai shumë herë edhe u mor në stacionin e policisë, ku edhe u keqtrajtua. Diçka jo shumë e shpeshtë tek të tjerët imamë.
    Të tre vëllezërit e tij ishin ushtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

    Ata nuk qëndruan vetëm në Llap, por shkuan aty ku i kërkoj nevoja si në, Drenicë e Koshare.
    Këtë të vërtetë mund ta pohojnë edhe bashkëluftëtarët e tyre. Sikur të ishin të nivelit të Idriz Bilallit edhe imamët e tjerë do të ndodhte mrekullia!

  3. Ejup,

    Serbia qellimisht e ka lejue Idrizin apo Idrizat tjere me e lujt rolin e “komunes islamike” duke ua “lejuar” kinse ofiqrine apo lidhjen e kunores ne faltoret arabike Idrizike.

    Serbia terroriste nuk e ka mbylle asnje xhami sepse ato nuk jane, nuk kane qene, dhe nuk do te jene SHQIPTARE… por Arabike. Serbia e mbylli secilen shkolle SHQIP dhe Institutin Albanologjik, por Serbia nuk e mbylli asnje medrese as fakultetin e studimeve islame(edhe pse planprogrami i fakultetit te studimeve Islame ishte me plan program te Arabise Saudite e jo te Kosoves).

    Serbia nuk e mbylli asnje xhami, sepse ato nuk jane Shqiptare. Serbia i ka luftue Shqiptart, ndersa Arabt sikur Idriz Bilalli edhe Xhabir Hamiti i ka lejuar te jene arab tyrqeli, musliman por nuk na ka leju neve SHQIPTARVE te jemi SHQIPTAR, dhe per neve e kishte vetem nje planprogram GJENOCIDIN.

    Prandaj mos me shit pallavra per Idrizat qe demek paskan krye sherbime islamike per te lindurit dhe per te martuarit, per te cilen ne qertifikatat e tyre i ka shkruar me shkronja te ckrrajave e ndoshta edhe ndonje shkronje Shqip, por te gjithe keta duhet te deklaroheshin se jane Musliman dhe se ka lind apo u martu nje musliman e jo nje SHQIPTAR.

    Nese ka lind nje katolik a i ka dhane Idriz Abu Bilalli qertifikate se ka lind nje Katolik? Jo.

    OSE JE SHQIPTAR OSE MUSLIMAN

    Tjeter ska, ska pase dhe nuk do te kete kurrrr.

    Respekt per tentim per ty Abu Ejup Arifi…

    P.S. sa i perket europes perendimore e cila i paska pranuar keto dokumente islamike …pune e madhe… sepse europa perendimore na urren neve SHQIPTARVE ma shum se Serbia… ajo na don vetem si musliman, refugjat, haajna, drog dillera… e kursesi nuk nan don si TURISTA, BIZNISMENA, STUDENTA… dhe per kete aresye nuk na jepe VIZA LIBERALIZIMIN… ne vitin 2921… e ti po fol per vitet 1990-117.

Komentet janë mbyllur.