KUR KTHEHEN GJËRAT ME KOKË POSHTË…

0
405
Arben Çokaj - pikturë

Arben Çokaj

Ndodh në Shqipëri, kur një zyrtar bën një shkelje a hajni, don me e kuptua, don me të ba bashkëpunëtor…

Nëse ti nuk pajtohesh me abuzimin e bërë, dhe mundesh e shkruan diku ndonjë kundërshti, del ti i keqi – ai abuzuesi preket fort, si e ke ba këtë punë? – thotë. “Unë nuk e kisha ba këtë kundër teje?!”

Kështu më ndodhi sot me një shok të vjetër, i cili u përfshi në historinë e shtëpisë së Prenk Calit… Ai mendonte se duhej lejuar që kulla e Prenk Calít të ndërtohej pa leje, “se ashtu po ndërtojnë të gjithë…”

Kjo është ndërgjegjia jo-shtetformuese e shqiptarëve të sotëm, dhe të kërkojnë edhe llogari, kur synon me ba diçka, që synon respektimin e ligjeve dhe rregullave… Del budalla para tyre… Por shoqëria nuk ndërtohet kështu more shyptrarë… Përditë po e hani, e mend nuk po zini!

E keqja është, se unë nuk pajtohem me rrenën, me abuzimin, me të keqen, edhe nëse hesht, kjo nuk dmth. se kam dhënë miratim…

Me një shok që rri përditë, kam shpesh probleme, se ai për një fjalë goje e ndan Kosovën, pa asnjë kokërr leku përfitim, e shet nga një copë të Shqipërisë dhe kjo gjë i duket normale… Por nuk është normale… As zyrtarët lokalë e qendrorë shqiptarë, mund të mos e kenë problem, që vjedhin e abuzojnë, por mos të presin se unë do u them ndonjë herë “bravo”, por gjithmonë do u them: “faqja e zezë!”

Unë ndoshta nuk mund të bëj shumë, e di, nuk pretendoj, por kurrë nuk do i jap konsent (miratim) të keqes e ligësisë. Si shoqëri kështu duhet të ndërgjegjësohemi, të mos shtyhemi në burrni, por ta refuzojmë të keqen, ndryshe miq, do vuajmë shumë, si deri tani, nga parregullsitë…