Fejton
Krye kreu i qeverisë sonë u pa të fluturojë nga Tirana në Athinë si në atë meselenë e vjetër “Telegramet shkojnë e vijnë nga Tirana në Athinë”.
U takua me krye kreun e qeverisë greke, Mitsotakis.
U tha se folën për patentat.
Mori premtimin përsëritur 100 herë se do ta kalojë në parlament.
U tha se folën edhe për “Ligjin e luftës”.
Mori premtimin e përsëritur 100 herë se do ta kalojnë në parlament.
Folën edhe për detin e për motrën e tij Bakojanis…
Premtuan se do të ngrenë komision…
Thonë se kishte ndërmend që t\i kërkonte Kreut të kreut të qeverisë greke njohjen e pensioneve të mërgimtarëve shqiptarë.
Nuk e tha…
Fluturoi hava…
E tha në Itali…
Ia tha Kreut të kreut të qeverisë italiane…
“Ashtu sikundër meriton të çmohet dhe të futet në rrugën e zgjidhjes çështja e sigurimeve shoqërore të kësaj mase të madhe kontributorësh në shtetin italian. Më vjen shumë mirë që bashkëpunimi i nisur në këtë drejtim është konfirmuar nga Kryeministri dhe ne do të vazhdojmë dhe do të përshpejtojmë përpjekjet për ta përmbyllur këtë marrëveshje, që ka një rëndësi të madhe për ekonominë e këtyre familjeve, për dinjitetin e këtyre njerëzve, por edhe për miqësinë tradicionale mes dy popujve tanë”…
Gazetat e ditës së parë të nëntorit e përcollën me germa kapitale si sukses të madh…
Mërgimtarët shqiptarë në Greqi shihen në hava, fluturim në lartësi, mes reve e mbi re…
Prapa krahëve…
Prapa liste…
Prapa mendje…
Para remitancash njëmiliardëshe…
Abdurahim Ashiku
Vjeshtë e tretë
Athinë 2019