KUR FJALËT DALIN NGA SHPIRTI

0
856
Ndue Lazri - Mantova

Ndue Lazri

Edicioni i dytë i konkursit artistik “Fjalët e Shpirtit”

E tha bukur poetja Vangjelia Verori ndërsa po e merrte fjalën të recitonte: “Po shikoj që fëmijët po mundohen të sillen si të rritur për të fshehur e përballuar emocionet, ndërsa ne të rriturit po emocionohemi si fëmijë”… Ajo shprehu ashtu në mënyrë krejt spontane atë çka kishim parë tek recituesit para saj e atë çka ajo vetë po përjetonte përpara mikrofonit dhe përpara një publiku të gjerë të ardhur nga shumë anë të Italisë në atë sallë të bukur të qytetit monumental Mantova.

Dea, më e vogla e sallës, përmes emocionesh sapo kishte recituar dy poezi të shkurtra për mamin dhe për babin. Jemi kështu në edicionin e dytë të konkursit të fjalës artistike “Fjalët e shpirtit”, organizuar nga Shoqata e Lidhjes së Shkrimtarëve e Artistëve Shqiptarë në Itali me pjesëmarrje të gjerë të përfaqësuesve e konkurentëve nga shumë shoqata përbërëse të Federatës FNAI.

Është një konkurs, i cili, që në edicionin e parë tërhoqi vëmendjen dhe pati një pjesëmarrje të gjerë, sepse artikulohej në skenë fjala artistike, u jepej jetë krijimeve të zgjedhura poetike të autorëve shqiptarë rë Rilindjes Kombëtare, atyre aktualë e sidomos autorëve që punojnë, jetojnë e krijojnë në mërgim. Në Itali janë mbi 40 të tillë, pjesa më e madhe e të cilëve kanë publikuar disa libra me krijime në poezi e në prozë. Ndaj në edicionin e këtij viti pjesëmarrja ishte më e gjerë, qoftë e përfaqësuesve të shoqatave, por edhe e konkuruesve që kishin bërë qindra kilometra rrugë për të ardhur në Mantova që nga Pesaro e Piemonte, Treviso e Pordenone, Riva del Garda e Lecco, Bergamo e Brescia, Bologna e Modena, Reggio Emilia e Parma, si dhe nga Mantova si mikpritëse e aktivitetit.

Drejtori i shkollës shqipe “Scanderbeg” në Parma bashkë me Forum Donne Indipendenti kanë sjellë me vete një “ushtri” të vogël fëmijësh për të marrë pjesë në këtë eveniment. Vetëm nga kjo shkollë janë 9 recitues.

E pas tyre ansambli i artistëve të vegjël “Mille stelle”, me ata valltarë të talentuar, që sjellin aq hare e atmosferë kur vallëzojnë të veshur me kostumet e bukura kombëtare shqiptare. Ato vajzat më të vogla ngjajnë si zogj të bukur pushverdhë që rrëshqasin si pa u ndjerë nëpër sallë duke hedhur vallet e bukura shqiptare. I shikon e mendon me vete: Si ka mundur mësuesja e tyre, koreografja Loretta Shahini Metolli,të krijojë këtë ansambël aq harmonik kur mosha e fëmijëve varion nga 5-12 vjeç? Fëmijët i kanë përvetësuar aq mirë lëvizjet koreografike dhe vallëzojnë aq lehtësisht nën tingujt muzikorë të valleve të njohura të krahinave të ndryshme të Shqipërisë.

Drejtuesja e talentuar dhe e shkathët Lori Duka shkrihet midis tyre, u drejton mikrofonin e sjell mbresat e tyre, siç e bën natyrshëm edhe me recituesit pjesëmarrës në konkurs.

Janë mbi 30 konkurues, të cilët interpretojnë secili nga dy poezi, në gjuhën shqipe e atë italiane. Për recituesit fëmijë kjo është një sprovëz e vërtetë për nivelin e përvetësimit të gjuhës shqipe, sepse këtu duhet ta interpretojnë atë artistikisht, me emocionet që jep fjala poetike. E mund të them që pjesa më e madhe e tyre arritën t’i përcillnin ato emocione në sallën e mbushur plot e përplot me pjesëmarrës.

Në të vërtetë ata ishin të gjithë fitues, pavarësisht nga çmimet që do të jepte juria e përbërë nga autorë të afirmuar e me kërkesa profesionale e artistike si Irma Kurti, Valbona Jakova e Robert Shkurti, që nderuan ata që recituan më bukur. Fitues sepse ditën të tregonin shijet e tyre në zgjedhjen e poezive për interpretim, sepse triumfuan mbi emocionet e moshës dhe të skenës e merituan duartrokitjet e publikut.

Emocione solli edhe krijuesja në moshë, Lumturije Fortuzi, e cila, edhe pse me ndonjë problem shëndetësor, ka marrë rrugën nga Pordenone e ka zbritur deri në Mantova. Ajo shpreh kënaqësinë që i jepet mundësia të takohet e të njihet nga afër me aq shumë krijues e interpretues shqiptarë, bisedon me autorë të ndryshëm, blen librat e disa prej tyre. Sytë i qeshin dhe i shprehin një lumturi e mirënjohje të brendshme për këtë aktivitet që i jep gjallëri dhe e bën të jetojë një ditë mes mbresave të vërteta artistike. Ajo krijon në gjininë e poezisë e të pikturës.

Madje ka arritur të tërheqë jo pa vështirësi pas vetes edhe një pikturë të madhe e të bukur që ka në qendër të motivit të saj shqiponjën e cunguar nga prerja e padrejtë historike e kufijve të Shqipërisë. Këtë punim të saj ajo ia dhuron me kënaqësi shoqatës organizuese të konkursit.

Po bisedonim pas mbarimit të aktivitetit me kryetarin e shoqatës Lidhja e Shkrimtarëve dhe Artistëve Shqiptarë në Itali, poetin Skënder Lazaj. Pasi u ndalëm në vlerat që solli edicioni i dytë e që ishin të dukshme në të gjithë komponentët, ai më thotë që do fillohet që tani për edicionin e vitit të ardhshëm, për të patur risi’ qoftë në formën e organizimit, në seleksionimin cilësor të autorëve dhe krijimeve, si dhe të recituesve që do të konkurojnë.

Kësisoj tradita e mirë e krijuar me dy edicionet e para, pasurohet me elementë të rinj, që e bëjnë edhe më tërheqës këtë aktivitet dhe e shton motivin e konkurencës midis protagonistëve pjesëmarrës në konkurs.