KUR DITËLINDJA E LDK-së I KUSHTOHET VËLLAIT HERO I DEMOKRACISË

0
1530
Shefqet Dibrani

(Ky shkrim u lexua në mbrëmjen e Premierës së filmit dokumentar “FLAKADANI I DEMOKRACISË”, kushtuar Hasan Zemajt, që u mbajt në Kreuzlingen të Zvicrës, më 23 dhjetor 2017)

– Film dokumentar: “FLKADANI I DEMOKRACISË”, kushtuar Hasan Zemajt, ish kryetar i FR të LDK-së në Deçan, që u vra në një atentat bashkë me Kolonel Tahir Zemajn, më 04 janar 2003
– Regjisor dhe skenarin Nimon Muçaj, realizuar në Pejë nga Xhemë Fetaj, në studion “OPEN MUSIC”
– Organizator Nëndega e LDK-së në Konstanz të Gjermanisë, kryetar Shpend Shala
– Nikoqir Tomë Berisha, drejtues i SHKISH në Kreuzlingen (TG) të Zvicrës

Shkruan: Shefqet DIBRANI

Hyrje:

Vitin 1989 e ka karakterizuar një tension i lartë politik i cili është manifestuar me protesta e kundërshtime të shumta. Kriza ekonomike e sociale në Federatën Jugosllave ishte shtrirë në të gjitha republikat e saj, jo vetëm kaq, por kriza e kishte kapluar tërë Paktin e Varshavës.
Tensionet ndëretnike kishin arritur pikën e shpërthimit, prandaj po lëkundeshin edhe themelet e Jugosllavisë së AVNOJ-it. Në anën tjetër, unitarizmi serb po radikalizohej, dhuna dhe burgosjet me motive politike s’kishin të ndalur.

Në këto rrethana të tensioneve politike u themelua Lidhja Demokratik e Kosovës. Kryetar i saj u zgjodh dr. Ibrahim Rugova, atëbotë kryetar i Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës, kritik letrar që kishte bërë emër në çarqet intelektuale të kohës, ndërsa në opinion ishte bërë i njohur me deklarata publike kundër dhunës serbe që ushtrohej në Kosovë.

Pikërisht, Ibrahim Rugova, Fehmi Agani, Mark Krasniqi, Anton Çetta, Dervish Rozhaja, (të gjithë punonjës të lartë shkencor), bashkë me elitën intelektuale të asaj kohe, i bartën mbi supet e tyre të gjitha përgjegjësitë historike për ta nxjerr vendin nga kriza dhe për ta drejtuar Kosovën drejt procesit të pavarësimit. Kjo gjeneratë e intelektualëve arriti për ta shpëtuar substancën njerëzore, kurse Kosovën diti me orientuar drejt Eurpës, në shtratin e saj kulturor, aty ku e ka falë Zoti!

Sot i përkujtojmë me pietet të gjithë dëshmorët dhe heronjtë të cilët kanë dhanë jetën për liri, pavarësi e demokraci të Kosovës. Qofshin ata të vdekur nga vdekja natyrore, qofshin të vrarë e likuiduar para luftës, qoftë të rënë në beteja e fronte të luftës, e qofshin ata të vrarë me atentate, sidomos në vitet e para të pasluftës, duke u ushtrua dhunë e paparë, kundër personaliteteve të caktuara shqiptare, e viktimë e asaj ideologjie ishte edhe Heroi i mbrëmjes së sotme Hasan Zemaj.

Sot LDK-ja e ka ditëlindjen e saj!

Pikërisht para 28 vjetësh burrat e dheut e bënë LDK-në, partinë e parë antikomuniste në tërë kampin e vendeve socialiste. Kosova kalonte nëpër ditë të vështira kurse ajo elitë intelektuale që shkatërroi Lidhjen Komuniste të Jugosllavisë dhe vet shtetin Jugosllav, do ta paguaj me jetë angazhimin e vet ose do të përjetojë eliminim dhe izolim të pashembullt, nga ata të cilat në çdo kohë ishin kundër LDK-së.

Sot është krijuar dilema, kah po shkon Kosova jonë, për të cilënu angazhuam e sakrifikuam aq shumë?! Kjo dilemë do përgjigje të gjatë, prandaj nuk po lëshohemi në analiza politike e gjeostrategjike, sepse sonte në ditëlindjen e LDK-së, jemi bashkuar për ta kujtuar ditëlindjen e një vepre artistike që i kushtohet Heroit të Demokracisë Hasan Zemaj.

– Film dokumentar: “FLKADANI I DEMOKRACISË”, kushtuar Hasan Zemajt, ish kryetar i FR të LDK-së në Deçan, i cili u vra në një atentat bashkë me Kolonel Tahir Zemajn, më 04 janar 2003.
– Regjisor dhe skenarin e ka bërë Nimon Muçaj
– Filmi u realizua nga Xhemë Fetaj, në studion “OPEN MUSIC” në Pejë.
– Organizator i këtij evenimenti: Nëndega e LDK-së në Konstanz të Gjermanisë, me kryetar Shpend Shala,
– Nikoqir i mbrëmjes: Tomë Berisha, drejtues i SHKISH në Kreuzlingen (TG) të Zvicrës

Sot LDK-ja ka ditëlindjen e saj, e në aspektin metaforik ditëlindje ka edhe Heroi Ynë, Hasan Zemaj, i cili ra për idealet e tij që kishte për Kosovën, ra për LDK-në, e vepra artistike për këtë Hero edhe sonte na ka bashkuar.
A nuk është ky një mesazh Hyjnor, se LDK-ja nuk ka mbaruar, LDK-ja nuk do të zhbëhet kollaj, edhe pse ka rënë shumë poshtë, aq poshtë se veç armiqtë e Kosovës kanë dashtë me e pa dhe me sjell në këtë derexhe?!

Këta armiq, kanë punuar aq shumë për ta vrarë LDK-në, pasi dëshironin për t’ia vrarë Lirinë Kosovës. E duke pushkatuar, kanë bërë përpjekje për t’na vrarë edhe moralin tonë, sepse kështu kanë menduar, ma fort e ma mirë po e bëjnë vrasjen tonë kolektive.
Sikur duket se harresa na është bërë mani, për një çast sikur i harruam Heronjtë e dëshmorët që na e dhuruan Lirinë tonë?!

Por ja që në mesin tonë kemi një njeri të zakonshëm, i cili po ashtu me plagë në trupin e tij nga copëzat e granatave, po e rikujton vëllain e vet, ai na bënë thirrje neve që të mos hamendemi, të mos dëshpërohemi, të mos humbim moralin, se gjithçka në këtë vend nuk ka mbaruar.
E ky Hero i gjallë, ka emër e mbiemër, po ne pak e njohim, për të mos thënë hiq fare. Nuk e njohim sepse asgjë s’ka përftuar nga Kosova, por ka fituar plagët në mbrojtje të demokracisë! Sot ai ka dhembje nga mungesa e vëllait, të cilin e paska kthyer në celuloid dhe sonte do të na rishfaq të gjallë, ashtu siç rikthen në jetë shenjtët e vet po qëndron në këmbë si burrë Dukagjini.

Heroi i gjallë paska arritur ta kurorëzoj një vepër monumentale për vëllain e tij Hero, duke u shndërruar edhe vet në Hero i gjallë, ndihmtarët e këtij projekti Engjëj më vete!

Ky njeri që na thërret të mos ligështohemi, të mos dorëzohemi, se as LDK-ja dhe as Kosova nuk ka mbaruar, është vëllai i Hasan Zemajt, Brahim Zemaj, i cili më 04 gusht 2002, do t’i shpëtoj një atentati që ishte kurdisur kundër kolonel Tahir Zemajt?!
Brahimi, është detyruar t’i shërojë plagët, ndërsa në shoqërim dhe mbrojtje të Kolonelit e ka lënë vëllai Hasan Zemaj, i cili nuk do t’i shpëtojë një atentati tjetër, ku bashkë me Kolonelin dhe Enisin janë vrarë, më 04 janar 2003. Sipas kalendarëve biblik dhe kalendarit kinez, shihet se data 04, paska ndjell e paska sjell kob në familjen Zemaj.

Gjithsesi ky mesazh kaq i lartë, moral e human, i z. Brahim Zemaj, duhet përshëndetur sepse të gjithëve na forcon moralisht, andaj edhe vepra artistike që po shpaloset sonte, pikërisht në ditën e sotme, kur LDK-ja është keq, dhe njëkohësisht ka ditëlindjen e saj, na bënë të besojmë se dita e bardhë dhe e mbarë për LDK-në do të vjen, ndonëse LDK-ja sot, është shumë ma keq se sa në vitin 2000.

Dikush prej nesh, jemi dëshmitar!

Dikush prej nesh, jemi dëshmitar kur Kolonel Tahir Zemaj, jo larg nga këtu, në Weifelden, në një tubim madhështor që mbante Nëndega e LDK-së në Thurgau, që përkonte me natën e heshtjes zgjedhore të Zgjedhjeve Lokale të 28 tetorit 2000, saktësisht i bie ditë e shtunë si sonte, një natë para zgjedhjeve.

Në fjalimin e tij madhështor, Koloneli tha se nesër LDK-ja do të triumfoj! Ai na inkurajoj të mos dorëzohemi se duhet ta bëjmë “Lirinë” e cila i ka sfidat e saj. Me tri herë “fitore, fitore, fitore”, kolonel Zemaj do të mbahet mend për mesazhin pozitiv që përqoi atë mbrëmje për LDK-në dhe Kosovën!

Edhe sonte ekipi realizues i “FLAKADANI I DEMOKRACISË”, po veçmas Brahim Zemaj, po na jep një mesazh të tillë, i cili mund të parafrazohet vetëm përmes një kënge epike, të cilën e ka kënduar Dërvish Shaqa i Llukës së Deçanit, ku do të shprehej: “Oj Kosovë mos thuaj se mbarova”, ndërsa Brahim Zemaj sikur po na thërret “Oj LDK mos thuaj se mbarova”?!

Më lart e theksuam se Heroi ynë Hasan Zemaj e ka ditëlindjen artistike, kisha parasysh se vepra artistike që i kushtohet Hasan Zemajt, e realizuar nga regjisori Nimon Muçaj, me siguri do t’u rezistoj kohërave, ashtu siç mbeten në këmbë Kullat në Dukagjin Tuaj, të cilat iu kanë rezistuar shekujve me radhë.

Brahim Zemaj, po të drejtohem ty he burrë i Strellcit: Me këtë vepër kushtuar vëllait tënd Hasanit, e ke nderuar vetën dhe vëllain, e ke nderuar LDK-në, me të cilën dhe për të cilën ishte mishëruar Hasan Zemaj, kryetar i FR të LDK-së në Deçan!

Po ma shumë se këto vlera, Ju e keni nderuar Kosovën, andaj ty dhe familjen tënde Zoti e bekoftë! Gjithashtu edhe ekipin që ishte me juve në kompletimin e këtij filmi dokumentar!

Kreuzlingen, 23 dhjetor 2017