KUR DHE SI NISI MARSHUTA E PAJTIMIT TË GJAQEVE

0
381
Anton Çetta - pajtim gjaqesh

Nga Sinan GASHI

Profesor Anton Cetta (3 janar 1920 – 2 nëntor 1995) ishte një personalitet me merita të mëdha intelektuale e njerëzore. Ai kishte dëshmuar gjatë gjithë jetës një butësi njerëzore komunikative, një pozitivitet në çdo rast e mes, por edhe përkushtimi i tij profesional kishte lënë gjurmë të përhershme te brezat.

Prof. Anton Çetta
(1920-1995)

Pra, ishte profesor fakulteti, mbledhës në terren si dhe studiues i folklorit, pastaj ishte ndër shkrimtarët e parë për fëmijë dhe së fundi edhe udhëheqësi për disa vite i Aksionit për Pajtimin e Gjaqeve dhe Ngatërresave.

Këto vlera nuk mund të përkufizohen as edhe më një vepër të tërë, por kësaj radhe do ta ndriçojmë nismën e Aksioni të Pajtimit të Gjaqeve.

1.

Në fillet e saja Lidhja Demokratike e Kosovës kishte synime që, veç tjerash, të gjendej sa më afër njeriut të nëpërkëmbur, të varfër ekonomikisht dhe të ndrydhur politikisht. Nisur nga kjo, degët e saj që në të vërtetë ishin në shtrirje komunale, vepronin sipas mundësive me disa specifika në komunat e ndryshme.

Edhe dega e LDK-së së Drenasit (Gllogovcit) aso kohe zhvilloi një aktivitet të paparë, sa për disa muaj gjithë banorët e saj ia kthyen shpinën pushtetit zyrtar, duke e pranuar si pushtet moral e në disa segmente edhe real, LDK-në dhe udhëheqësit e saj. Nisur nga kjo gjendje, kryesia e kësaj dege nxori edhe një plan aktivitetesh, me të cilin mendonte se do ishte më afër kërkesave të popullit, por edhe të afronte sa më shumë njerëzit mes vete, duke kryer punë vullnetare tepër të rëndësishme.

Me këtë angazhim kishin filluar dhe ishin ndërtuar disa lokale për shkolla fillore në Tërdevc, në lagjen Bytyq të Arllatit, në lagjen Gjergjaj të Arllatit, në Godanc, një shtesë objekti në Llapushnik, ishin ndërtuar dy kroje publike, katër ura fshati si dhe ishin rregulluar varrezat në shumicën e fshatrave, madje edhe duke u thurur me rrjetë teli e shtylla betoni, e tjerë.
Në një mbledhje të kësaj dege u përmend mundësia që të bëhej diçka edhe për pajtimin e njerëzve me hasmëri, qoftë për ngatërresa qoftë edhe për pajtimin e gjaqeve, kjo e keqe që kishte pllakosur popullin tonë ndër vite dhe, çka është më e keqja, i shkonte përshtati pushtetit pushtues serb.

E gjithë kryesia e aprovoi këtë nismë dhe u nis në aksion. Ishte muaji shkurt i vitit 1990 kur u bë një punë e madhe për këtë aksion, pra për pajtimin e dy familjeve: Shala nga Kroikova dhe Krasniqi nga Carralluka e Malishevës, një vrasje e rëndë që ishte bërë në oborrin e Ferronikelit. Pasi u arrit marrëveshja për falje, u hartua edhe një program që bënte thirrje që kjo nismë të përhapej në gjithë Kosovën, për t’ia lehtësuar sado pak barrën shpirtërore shqiptarit të robëruar.

Kryesia vendosi që këtë program modest ta lexonte Mehdi Bradhi, kryetar i LDK-ë. Në atë mbledhje u dha një propozim nga sekretari i degës së LDK-së, Sinan Gashi që, për ta bërë sa më madhështor tubimin, të ftohet edhe ndonjë personalitet autoritativ dhe me peshë i Kosovës. Kështu, sekretari e dha propozimin që të ftohet prof. Anton Çetta, i cili ishte shumë i respektuar nga drenicakët, ngase me vite kishte bredhur odë më odë për të mbledhur folklor, që ishte kurorëzuar ekspedita me botimin e dy vëllimeve, me titullin “Tregime popullore nga Drenica”.

Ngase nuk dinim se me çka ta sillnim dhe se ku e kishte adresën, propozuan të marrin Islam Gashi, mësues veteran nga Arllati, i cili edhe kishte miqësi por edhe e kishte shoqëruar profesorin në ekspeditat e tij në terren, dhe Gani Elshani, tash dëshmor i Kosovës, e kreu shërbimin me veturën personale, duke e sjell profesorin nga Prishtina.

2.

Ishte data 23 shkurt 1990, kur u realizua nisma e bardhë që nga fshati Kroikovë e Drenasit dhe u përhap gradualisht në tërë Kosovën, duke iu bashkangjitur pas e gjithë rinia shkollore, fshatarësia si dhe intelektualët e sakrificës, e cila siç dihet, rezultoi me qindra pajtime.

Në një odë të fshatit Kroikovë ishin tubuar shumë njerëz nga anë e anës, si nga Drenasi prirë nga udhëheqësit e LDK-së, pastaj ata të kryesisë së degës së LDK-së nga Malisheva, nga Klina, Skënderaj e Fushë Kosova dhe dhjetëra studentë të Universitetit të Kosovës dhe të Fakultetit të Xehetari-Metalurgjisë së Mitrovicës.

Profesori u ngazëllye, në veçanti kur e pa numrin e lakmueshëm të vajzave studente, të cilat ishin në ballë të odës tradicionale. “Këtu qenkan bërë shumë Shote Galica!”, qe shprehur ai.

Manifestimi dhe akti i faljes së gjaqeve u bë në një fushë mes fshatit, aty ku nisnin edhe varrezat e tyre.

Pamje nga manifestimi i parë i pajtimit të gjaqeve në
mënyrë të organizuar në Kosovë, më 22 shkurt 1990.
Përballë masës prof. Anton Çetta dhe mësuesi veteran Islam Gashi.

Pas leximit të një programi të aksionit, fjala ju dha profesorit gojëmbël, i cili radhiti të mirat që po bëheshin atë ditë dhe të këqijat që sillnin këto ngatërresa, qoftë për familjarët e gjithsesi edhe për shoqërinë shqiptare në përgjithësi. Ai shpjegoi gjerë e gjatë se ku e kishte burimin kjo e keqe, kjo plagë shoqërore si dhe kush e ujiste, që të lulëzonte sa më shumë.

Pas këtyre fjalëve emocionuese, të cilat u përjetuan thellë emocionalisht edhe nga të pranishmit, ngase askush deri atëherë nuk kishte qëndruar mes tyre, duke shpjeguar realisht ashtu, nisi ceremonia e marrjen në gryk, kur hasmëria asgjësohej dhe me lot në sy, njëri nga dhimbja e tjetri nga gëzimi, përqafoheshin fort e ngrohtësisht. Pas kësaj ata e ndjenin veten më të lehtësuar shpirtërisht, sepse gjithçka aty bëhej duke iu falënderuar të gjithë atyre që kishin rënë për atdhe dhe të ardhmes së ndritshme të rinisë së Kosovës.

U pajtuan familja Shala e Kroikovës dhe Krasniqi e Carrllukës së Malishevës. Po ashtu, me këtë rast, dora e pajtimit u shtri në mes familjes Podrimçaku të Kroikovës e Thaqi të Llapushnikut. (shih artikullin “Në BL të Krajkovës së Gllogovcit u shtri dora e pajtimit” e autorit Z.(eqir) B.(Bekolli), “Rilindja”, Prishtinë, 23 shkurt 1990, f. 18).

Për këtë nismë ka shkruar edhe aktivisti i mëvonshëm i Aksionit, dr. Muhate Pirraku: “Në këtë tubim popullor të Akcionit për Faljen e Gjaqeve, të Plagëve dhe të Ngatërresave, në Kraikovë të Drenicës do të ftohen për t’i vënë në ballë: Islam Gashi, mësues veteran nga Arllati i Drenicës, prof. Anton Çetta, mbledhës i prozës popullore të Drenicës dhe dr. Muhamet Pirraku, ish i përndjekur politikisht…;”, i cili nuk mori pjesë. (shih Dr. Muhamet Pirraku: “Lëvizja gjithëpopullore shqiptare për faljen e gjaqeve, 1990 – 1992”, Prishtinë 1998, f. 41)

P.s.
Pra, nisma e pajtimit të gjaqeve kishte fillin historik të datës 23 shkurt 1990, kur u realizua nisma e bardhë që nga fshati Kroikovë e Drenasit, në mënyrë të organizuar me pjesëmarrjen rreth 1000 qytetarëve e studentëve si dhe udhëheqësve politikë të katër komunave të Kosovës.