Kur boomerangu godet pronarin

0
402

Nga Pirro PRIFTI

Postuar: 24/02/2019

Në radhën e përpjekjeve për të justifikuar veprimet e paarsyeshme dhe alogjike të ish kryetarit të opozitës, nën ndikimin e fortë të rrezikut të përballjes me Drejtësinë e re pas realizimit të Vettingut, pupeti i tij është përpjekur disa herë të krijojë një furtunë dhe destabilizim në Shqipëri, por në fakt ka krijuar një furtunë në një gotë uji.

Populli, madje dhe populli opozitar po shohin se çfarë mostrash kanë bllokuar partinë më të madhe të opozitës, të cilët duke kaluar humbje pas humbjesh vazhdojnë të vjellin vrer , të shajnë e të mallkojnë jo vetëm mazhorancën, por më e keqja është se po nxijnë padrejtësisht vendin e tyre, vendin tonë-Shqipërinë. Djallëzia e fundit e ish kryetarit të PD, ishte detyrimi që u bëri deputetëve të vet, që të djegin mandatet dhe të hidhen në protesta, dhe i gjithë ky akt i pashembullt marrëzie politike në një vend demokratik si Shqipëria, megjithë problemet e veta që ka në këtë qeverisje, është duke dhënë dy rezultate negative për vendin, por edhe një rezultat të papritur që mund ta quajmë edhe si një fenomen anësor, por si të thuash pozitiv. Kush janë këto rezultate negative?

Së pari, rezultati negativ është përpjekja nga ana e opozitës për ta paraqitur në sytë e ndërkombëtarëve Shqipërinë si një vend pa ligje dhe i destabilizuar, me ngjyra bardhë e zi.

Së dyti, brenda vendit janë përpjekjet për ta destabilizuar vendin me çdo kusht duke krijuar precedentë nga më haluçinativët, si mungesa totali e bashkëpunimit me qeverisjen në dobi të hapjes së negociatave, mungesa totale e bashkëpunimit midis bashkive ku ka fituar opozita me qeverisjen qendrore, sulmet e pareshtura ofenduese, krijimi i zhurmave mediatike për të shtrembëruar realitetin në Shqipëri, përdorimin e këtij të ashtuquajturi `pushtet i katërt`, duke patur nën patronazh shumicën e kanaleve tv private shqiptare dhe gazetave, dhe më negativja është përdorimi i sulmeve personale ndaj parlamentarëve të mazhorancës, derdhja e gjithë atij mllefi, inati, sharjesh, shpifje e gënjeshtrash dhe akuzash kundër qeverisë, qeverisjes, personave të veçantë, gjë që nuk ka prodhuar gjë tjetër përveçse neveri dhe zhgënjim në popull, duke pakësuar përditë e më tepër përqindjen e njerëzve që përkrahin opozitën.

Përdorimi i fjalorit banal dhe shprehjeve si: `Do t’i japim plumb ballit,… do të djegim Kryeministrinë,…do ta varim me shall… do të marrim armët…, etj., të gjitha këto vetëm e vetëm për të shkaktuar destabilizim të vendit- ka shkaktuar reagim nga popullata, dhe ky reagim shihet tek numri i pakët i njerëzve që po dalin në protestat e stisura dhe pa asnjë ide apo program për të mirën e popullit, por vetëm me qëllimin dashakeq të destruktivitetit.

Idea djallëzore e të dy përpjekjeve për të krijuar pseudo-rezultate negative përpara ndërkombëtarëve dhe për të nxirë qeverisjen e vendin tonë, dihet se e kanë qëllimin për të shmangur përballjen me ligjin të ish kreut të PD, dhe disa krerëve të tjerë të opozitës së sotme, duke u përpjekur të zhvendoset vëmendja e popullit dhe e ndërkombëtarëve nga halli i tyre por për të vënë në qendër të vëmendjes kryeministrin dhe qeverisjen, e cila në fakt po punon dhe ka arritur rezultate të mira me gjithë të metat…

Objektivi është që kjo opozitë, në vend që të luajë rolin e saj brenda institucioneve përpiqet të krijojë një gënjeshtër sa më të madhe për ta bërë atë të besueshme dhe këtë po përpiqet ta realizojë nëpërmjet disa mediave dhe gazetave të paguara, të cilat kanë disa vite që shtrembërojnë realitetin me lajme jo reale e shpifje ndaj drejtuesve të qeverisjes. Ashtu sikundër thonë amerikanët: `Ëant to Make a Lie Seem True? Say it Again. And Again. And Again~ (doni që një gënjeshtër të duket e vërtetë? Përsëriteni vazhdimisht atë, përsëri dhe përsëri). Pra, aspak e habitshme strategjia që ka zgjedhur opozita shqiptare. Në vend që të luajë rolin konstruktiv si opozitë e vendit, ka zgjedhur mashtrimin dhe gënjeshtrën të cilën e përsërit çdo ditë e cdo orë nëpër tv e gazetat e tyre duke përdorur fajet e tyre dhe gabimet e tyre sikur i ka bërë qeverisja e sotme, e cila konfirmohet edhe nëpërmjet fjalës së urtë shqiptare: `Hajduti thërret kapeni hajdutin.Përse perceptohet tek një pjesë e popullit si të vërteta – shpifjet e opozitës?

Sepse ka një element fiziologjik në trurin e njeriut: në shumë rastet faktet nuk ka rëndësi nëse janë të vërteta ose jo. Nëse njerëzit përsëritin faktet e servirura kaq shpesh sa që pastaj i besojnë si fakte të vërteta. Ky efekt quhet veprim `iluzor` ose `iluzion`. Politikanët, tregtarët janë mjeshtra për të manipuluar këtë prirje cognitive (njohëse) të veçantë të trurit të njeriut- me të cilën ata bëhen edhe shumë familjarë me të.(nga Emily Dreyfuss- https://www.wired.com/…/dont-believe-lies-just-people-repe…/).Rasti i fundit, djegia e mandateve ishte veprimi i fundit djallëzor i ish kryeministrit për t’u mbushur mendjen shqiptarëve dhe të huajve që qeverisja është keq, shteti është keq, populli është keq, kryeministri aktual është i keq, etj., dhe e gjitha i ngjan këngës së Adriano Çelentos të para disa viteve `La Situacione politico non e buona`.

Ç`po ndodh me mandatet e djegura? Mesa duket, shkopi i boomerangut që hodhi Klani i ish -kryeministrit (dhe sigurisht ishte ide e tij), në pamundësi që të derdhur gjak dhe plumba mbi popullatën, do të kthehet shumë shpejt në dëm të tij dhe do të godasë vetë pronarin sepse pronari nuk e ka parashikuar flurudhën e budallallëkut që bëri. Pse? Sepse pa dashje, ashtu sikundër thonë që “gjuha vete ku dhëmb dhëmbi”, edhe largimi në formë proteste me `djegie mandatesh` të opozitarëve, të këtyre opozitarëve kukulla (që ne i quajmë sahanlëpirës dhe që bëjnë çfarë do pronari), është një mundësi e mirë që të shpëtojë populli dhe parlamenti nga këta zullumqarë e prishësh të ardhmërisë së vendit me veprimet e tyre rrugaçërore. Është për të ardhur keq që akoma disa njerëz opozitarë, madje edhe popull, nuk e kuptojnë se çfarë njerëzish paskan zgjedhur për t’i përfaqësuar, por është e qartë se vendi po shpëton njëherë e mirë nga këta palaço që po e nxijnë dhe tradhtojnë vendin e tyre me sharjet, mllefet, pisllëqet e derdhura ditë për ditë në parlament, por edhe nëpërmjet `të paekspozuarve`, `360 gradë` etj., vetëm e vetëm që të shpëtojnë lëkurën e padronëve të tyre që i paguajnë. Me sa duket, pronari dhe pronarët nuk kanë analizuar se flurudha e boomerangut është e paparashikueshme.