Gjatë viteve të ’70-ta dhe fundit të viteve të ’80-ta, në Kumanovë jetonte një djalë antikonformist, rrebel, kokëfortë, origjinal, i revoltuar dhe posaçërisht trim. Për figurën e tij ka shumë opinione dhe nuk le asnjeri indiferent.
Nexhmedin Hyseni-Neçki, ishte një histori në vehte, një histori që nuk përsëritet më, një sfidues i pushtetit të atëhershëm jugosllav, UDB-ës së atëhershme famëkeqe, e cila Kumanovën e quante: “Crveno e Kumanovo, i crvena ke bide“, duke bërë aluzion në ndëshkimin e “kuq” për mosnënshtrimin e shqiptarëve dhe rezistencës së tyre permanente.
Ishte i çuditshëm guximi i tij, i cili karakterizohej me ndëshkimin dhe “disiplinimin” ndaj spiunëve sllavë dhe shqiptarë në Kumanovë. Padrejtësia dhe dhuna që ushtrohej në qytet dhe rrethinë, kryesisht gjatë viteve të ’80, ishte lajtmotiv i përditshëm i tij. Nuk ishte dakord gati me asgjë, urrente nënshtrimin, nuk ishte intelektual dhe në atë kohë as që duhej, sepse kishte të tillë, natyrisht, por duhej një trim, një sfidues, një Zoro i kohërave moderne, e ai ishte Nexhmedini i Kumanovës. Aty ku ishte e ndaluar për shqiptarët, atje e gjeje, aty ku nuk guxonte njeri të këndojë shqip, ai këndonte.
Në ato vite ishte koha kur një “milic” i vetëm mund të rrahte një katund të tërë!! Neçki me një forcë dhe mental të jashtëzakonshëm shkaktonte frikë te policët dhe instancat tjera jugosllave të Kumanovës, të cilat ishin kryekëput anti-shqiptare.
Akuzohej për pjesëmarrje në Lëvizjen Popullore të Kosovës në diasporë, si instruktor në përgaditje fizike, e cila është e vërteta mbi këtë çështje, realisht askush nuk e di.
Me urdhër të Beogradit, më 05 gusht (e premte) 1988, UDB-a në Kumanovë organizoi likuidimin e tij, përmes vëllezërve Romeo e Dragan Zhiviq, dhe Nebojsha Geleviq të fshatit Mateç në Kumanovë. Jo vetëm këta të fundit ishin të implikuar direkt, por edhe një numër i madh policësh civilë, të cilët kishin siguruar perimetrin e ardhshëm të krimit, para spitalit të Kumanovës.
Pikërisht duke dalur nga kafeneja “Esnaf“, përballë spitalit, Nexhmedinin e ndalon një polic, gjoja për një pyetje banale dhe derisa ai i përgjigjet, tre kriminelët me preçedencë penale të paskaj, e godasin mbrapa shpine 36 herë me thika dhe me shkopinj metalikë, në sy të kalimtarëve të traumatizuar me skenën, që u ishte ofruar. Me lëndime të paimagjinuara arrinë me forcat e tij deri te oborri i spitalit, ku edhe vdes pas pesë minutave.
Kumanova ishte thellësisht e tronditur, lajmi kishte marrë dhenë gjithkah. Me nderime të mëdha e me pjesëmarrje masive përcollën te varrezat e qytetit djaloshin trim, rebelin e dashur, kumanovarin Nexhmedin Hyseni-Neçki.
Për krimin e kryer kurrë nuk u dënua askush, përkundrazi, thuhet se u shpërblyen që të tre. Në 2001, Romeo ishte i zënë rob nga UÇK-ja jonë dhe praktikisht ushtarët e UÇK-së me këtë hap, kishin penguar formimin e paramilitarëve në Maqedoni, sepse ky kriminel kishte lidhje të ngushta me kriminelin serb Arkan. Më vonë u lirua, por e hëngri kokën e vet prej Jane Pavllovski-Tica, për hesape kriminale.
Nexhmedini i takonte padyshim botës së guximtarëve, drejtësisë, dhe si i tillë do të mbahet mend.
Kujdes! Teksti ynë i kopjuar dhe publikuar pa përmbajtur burimin e tij, që është “Kumanova Maqedonia Ndryshe” përbën shkelje e të drejtave autoriale dhe si i tillë do të denoncohet. Keni të drejtë të publikoni artikullin tonë, por vetëm duke e shpërndarë në formën origjinale.
Marrë nga profili në FB i Nehat Zumberit