KULTURA GJITHNJË PA QASJE MBARËKOMBËTARE

0
593
Dr. Nail Draga

Diskursi kulturor

Nënshkrimi i kalendarit kulturor Shqipëri-Kosovë për vitin 2018 për të pestën herë, paraqet vazhdimësi të bashkëpunimit të dy vendeve tona në fushën e kulturës me synimin e avancimit dhe promovimit të kulturës kombëtare brenda hapësirës shqiptare. Organizmi i veprimtarive të tilla kulturore mundëson prezantimin, njohjen dhe vetënjohjen shqiptare, qe paraqet nderim ndaj veprimtarisë kulturore kombëtare në përgjithësi. Por, edhe ky kalendar si ato të mëparshmit ka defekte, sepse janë anashkaluar shqiptarët në Mal të Zi, Maqedoni, Luginë të Preshevës e diasporë që nuk është në favor të integrimit kulturor mbarëkombëtarë që është synim i kauzës sonë kombëtare.

Dr. Nail Draga

Ditë më parë mediat elektronike dhe të shkruara njoftuan se Kosova dhe Shqipëria do të kenë një kalendar të përbashkët kulturor për vitin 2018. Kështu në Prizren në ambientet e Lidhjës Shqiptare të Prizrenit, Ministri i Kulturës Rinisë dhe Sportit i Republikës së Kosovës, Kujtim Gashi dhe Ministrja e Kulturës e Republikës së Shqipërisë, Mirela Kumbaro – Furxhi, nënshkruan Protokollin e Bashkëpunimit për Kalendarin e Përbashkët Kulturor Vjetor, të pestin vit radhazi.

Përmes këtij akti, dy vendet janë pajtuar për përfshirjen e aktivitete, i cili është i bazuar në “Deklaraten e përbashkët për bashkëpunim dhe partneritet strategjik ndermjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Kosovës” nënshkruar në Prizren më datë 11 janar 2014…

Bëhët më dijes se në sajë të kalendarit të përbashkët kulturor do të realizohën aktivitete në fushën e trashëgimisë, që kanë të bëjnë me digjitalizimin e trashëgimisë dhe trajnime dhe edukim në fushën e restaurimit dhe konservimit, ekspozita në fushën e arkeologjisë dhe të muzeve, në fushën e teatrove do të mbahët festivali mbarëkombëtar i teatrit dhe do të realizohen shfaqje teatrale si në Kosovë ashtu edhe në Shqipëri, në fushën e filmit do te jepen premierat e pesë filmave.Në fushën e artit pamor do të realizohet një ekspozitë në Shqipëri.Këto aktivitete do t’i bartin institucionet kombëtare përkatëse të kulturës.

Nënshkrimi i Protokollit paraqet një vazhdimësi të bashkëpunimit të dy vendeve tona në fushën e kulturës me synimin e avancimit dhe promovimit të kulturës kombëtare brenda hapësirës shqiptare duke e konsideruar si nxitje për veprimtari të tjera në nivel mbarëkombëtarë, ku kultura duhet të jetë model për të tashmën dhe të ardhmen. Organizmi i veprimtarive të tilla kulturore mundëson prezantimin, njohjen dhe vetënjohjen shqiptare, qe paraqet nderim ndaj veprimtarisë kulturore kombëtare në përgjithësi. Andaj, një akt i tillë është për t’u përshëndetur, sepse është në favor të bashkëpunimit ndërshtetëror në përgjithësi dhe integrimit kulturor mabarëkombëtar në veçanti.

Anashkalimi i shqiptarëve në Mal të Zi

Por, me të drejt bëhët pyetja ku janë shqiptarët në Mal të Zi,Luginë të Preshevës e Maqedoni, dhe pse ata nuk janë pjesë e kësaj marrëveshjeje? Mungesa e qasjes së tillë edhe për keto mjedise shqiptare, del qartë se kjo marrëveshje është e mangët dhe nuk mund të gezojë epitetin e sintagmës mbarëkombëtare. Por, pse ka munguar një qasje e tillë nga ministritë përkatëse nga Tirana e Prishtina, përgjigja duhet të jepet pikërisht nga këta dy adresa.

Mendoj se është dashur në mënyrë taksative të shënohen obligimet në kalendarin kulturor, në rastin konkret edhe për shqiptarët në Mal të Zi. Kështu shfaqje të ndryshme nga teatri, ansamblet muzikore, apo ekspozitat e ndryshme artistike do të ishin të obligueshme të paraqiten para shqiptarëve në Mal të Zi.

Në Ulqin si kryeqendra e shqiptarëve në Mal të Zi, gjatë verës organizohen veprimtari të ndryshme kulturore në mes tjerash siç janë: “Panairi i librit”, Festivali “Skena verore” dhe “Kalimera poetike”, ku të ftuar vazhdimisht kanë marrë pjesë trupa teatrale nga Shqipëria e Kosova, por edhe piktor dhe grupe të ndryshme muzikore, kryesisht në sajë të takimeve individuale apo të subjektëve të ndryshme kulturore por jo me institucionet qeveritare.

Duket ndoshta paradoksale por me sa jam i informuar deri me tash nuk ka ekzistuar ndonjë interesim nga institucionët përkatëse për ndonjë takim për çështje të tilla as nga Prishtina apo Tirana, nga del se shqiptarët në Mal të Zi thënë më së buti janë anashkaluar vazhdimisht. Duhet thënë së takimet për çështje të tilla ishin kryesisht individuale jashtë institucioneve apo ministrive përkatëse, pra me subjektet e ndryshme kulturore apo nga shoqëria civile, që kanë treguar interesim dhe gadishmëri për pjesëmarrje ne veprimtaritë kulturore në Ulqin.

Qasje jo serioze apo mungesë e vullnetit politik

Duke marrë parasysh se në të kaluarën në sajë të rrethanave shoqërore të kohës, ka qenë e pamundur një angazhim konkret në ketë drejtim, tash në pluralizëm, pesha bie mbi institucionet përkatëse ne lidhje me bashkëpunimin ne ketë drejtim.

Andaj, mendoj se ka ardhur koha për angazhim konkret ne ketë aspekt, sepse intergrimin kulturor nuk do të na bëjnë të tjerët. Inicues të kësaj çështjeje duhet të jetë Ministria e Kulturës e Republikës së Shqipërisë, sepse një veprim i tillë është obligim profesional dhe kombëtar sepse është i mbeshtetur edhe në nenin 8 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë.

Anashkalimi nga kalendari kulturor i shqiptarëve në Mal të Zi, Maqedoni dhe në Luginë të Preshevës dhe ato në diasporë, ndoshta nuk është bërë me qellim, por mungesa e kësaj hapësire kulturore ne kalendarin kulturor të publikuar me 18 qershor
2018 nuk arsyetohet më asgjë.

Andaj ka ardhur koha për një reflektim tjetër e ate fillimisht në institucionet përkatëse si në Tiranë dhe në Prishtinë, sepse nëse nuk angazhohemi vet në ketë drejtim punët tona nuk do të na i kryejnë të tjerët. Ndërsa qasja formale në këtë drejtim thënë më së buti dëshmon joseriozitet profesional të titullarëve në institucionet përkatëse. Sepse, integrimi kulturor mbarëkombëtarë duhet të jetë mision parësor për ministritë përkatëse dhe institucionet shtetërore, ku me një koordinim të veprimeve nuk do të mungojnë as rezultatet konkrete, por fillimisht duhet të ndryshojë qasja dhe mentaliteti i personave përgjegjës në institucionet përkatëse.

Ndërsa deklarata e ministrave se kalendari është i hapur dhe do të përfshihen te gjitha vendet ku ka shqiptarë, e vlerësojmë si deklaratë te rastit e asgjë më shumë, sepse po të kishte ekzistuar qasje serioze dhe vullneti politik i pushtetëve, çështja e integrimit kulturor mbarëkombëtar do të kishte përmasa tjera.

Drejtoria e veprimtarive kulturore mbarëkombëtare kërkesë e kohës

Në lidhje më integrimin kulturor mbarëkombëtar vite më parë kam propozuar që në favor të avancimit të integrimit kulturor është i nevojshëm të themelohet një subjekt i veçantë në kuadër të Ministrisë së Kulturës së Shqipërisë. Mendoj se subjekti duhet të emërtohej Drejtoria e veprimtarive kulturore mbarëkombëtare, që do të ishte përgjegjëse për veprimtaritë kulturore me karakter mbarëkombëtar.

Subjekti i tillë do të përfaqësohej nga individë kompetentë, që janë dëshmuar me punën e tyre profesionale. Nuk do të thotë se një subjekt i tillë të mos ekzistojë edhe në Prishtinë në kuadër të Ministrisë së Kulturës pranë Qeverisë së Kosovës, por Shqipëria duhet të jetë model për të tjerët, sepse ajo është atdheu i të gjithë shqiptarëve.

Një subjekt i tillë nuk duhet të jetë sa për formë, sepse të tillë ekzistojnë mjaft, por të jetë i veçantë dhe të dallohet me projekte të realizuara në mënyrë praktike.

Vetëm në këtë formë të impenjimit do të bëhet ndarja nga e kaluara, e cila në këtë aspekt ka qenë jo e favorshme dhe në kundërshtim flagrant të identitetit kulturor mbarëkombëtar.
Drejtoria përkatëse do të bashkëpunonte me subjektët kulturore nga hapësira mbarëkombëtare nga Mali i Zi, Maqedonia dhe Lugina e Preshevës e në diasporë, duke përgatitur program pune nga profesionistë të fushave të ndryshme.

Vetëm në këtë formë të organizimit dhe me mbeshtetje financiare nga Qeveritë e të dy vendeve tona mund të realizohet në praktikë integrimi kulturor mbarëkombëtar, që është synim i kauzës sonë kombëtare.

(Korrik, 2018)