KULTURA E GJUHËS SI TIPAR THEMELOR I KOMBIT

0
3874
Zymer Mehani, portret

Shkruan Prof. Zymer Mehani

Kultura e gjuhës është një prej degëve të gjuhësisë, që merret me studimin dhe përcaktimin e normës letrare në të gjitha rrafshet e sistemit të gjuhës, me zbulimin e prirjeve të zhvillimit të gjuhës letrare për të ndikuar mbi të në pajtim me këto prirje, si dhe me rrugët për përvetësimin e zbatimin e normës letrare.

Kultura e gjuhës kuptohet, gjithashtu, si kujdesi për të shkruar e për të folur gjuhën letrare sipas rregullave përkatëse e sipas modeleve më të mira të pranuara nga shoqëria në një periudhë të caktuar.

Dihet tashmë se, qysh në periudhën e Rilindjes e më pas, në shtypin shqiptar janë zhvilluar diskutime dhe janë diskutuar probleme të ndryshme të kulturës së gjuhës. Synimi i tyre ka qenë qysh në krye të herës zgjimi i vetëdijes shoqërore ndaj gjuhës, dëshira për ta bërë problem kombëtar e atdhetar ruajtjen e shqipes dhe, natyrisht, për të mprehur konceptimin e gjuhës si tipar themelor i kombit dhe i njësisë kombëtare të shqiptarëve.

Në mënyrë të veçantë mbas Luftës se Dytë Botërore, gjatë periudhës së njohur si epoka mbas Çlirimit, kujdesi për gjuhën letrare shqipe u bë edhe problem i përgjithshëm kulturor e shoqëror. Duhet të përmendet sidomos krijimi i Institutit të Shkencave dhe i sektorëve shkencorë përkatës për mbledhjen, njohjen dhe botimin e leksikut popullor e të vjelë nga botimet e shkruara, duke shpënë më tej atë veprimtari që kishin nisur me vullnet të mirë Kostandin Kristoforidhi dhe nxënësi i tij besnik Aleksandër Xhuvani dhe një plejadë mësuesish e dashamirësh të shqipes.

Në vitet 1952, 1953 u bënë diskutime dhe u organizuan konferenca shkencore për probleme të kulturës së gjuhës, sidomos për ortografinë (drejtshkrimin) dhe pastërtinë e gjuhës. Me rëndësi të dorës së parë qe më 1956 botimi i librit “Për pastërtinë e gjuhës shqipe” nga Aleksandër Xhuvani, i cili do të mbetej si gur themeli në ngrehinën e gjuhës shqipe.

Në vitin 1967 në Institutin e Historisë së Gjuhësisë u formua edhe një grup pune a sektor i kulturës së gjuhës, që kishte për detyrë kryesore organizimin e punës paraprake për “Rregullat e drejtshkrimit të gjuhës shqipe”. Dhe në fakt, në 1967, mbas një pune të gjatë e të kujdesshme u botua dhe “Projekti i rregullave të drejtshkrimit” , i cili i parapriu dhe vendimit e sanksionimit të tyre, së pari, më 1968 me Konsultën Gjuhësore të Prishtinës dhe, 4 vjet më pas, me Kongresin e Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe (1972).

Kongresi i Drejtshkrimit përbën një nga aksionet më të mëdha mbarëkombëtare në fushën e kulturës së gjuhës shqipe. Në pajtim me mendimet dhe udhëzimet e shprehura në Rezolutën e Kongresit u hartuan pa humbur kohë, dy veprat kryesore normative :
“Rregullat e drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe” (1973) dhe “Fjalori drejtshkrimor” (1976), që, me të drejtë, vlerësohen si botimet më të rëndësishme në këtë fushë. Ato u ndoqën, ndërkaq, edhe nga botimet “Gjuha letrare për të gjithë”
(1976), “Norma letrare kombëtare dhe kultura e gjuhës” (1973).

Theksojmë, gjithashtu, botimin më 1981 të “Rregullat e pikësimit të shqipes”, si projekt. Të gjitha këto vepra normative patën ndikim të dukshëm në përmirësimin e kulturës së gjuhës shqipe brenda dhe jashtë trojeve të Republikës së Shqipërisë.
Mbështetje të fuqishme për rritjen e nivelit të kulturës së gjuhës kanë pasur, gjithashtu, botimi i veprave madhore të gjuhësisë shqiptare: “Fjalori i gjuhës së sotme shqipe” (1980, 2000, 2006 ) dhe “Gramatika e gjuhës shqipe” (1978).

Veprimtaria në lëmin e kulturës së gjuhës dhe sidomos puna për pastërinë e gjuhës shqipe, prej vitesh, është bërë problem i mprehtë i cili vijon edhe në ditët tona. Për t‟u përmendur janë faqet e revistës “Gjuha jonë” kushtuar zëvendësimit të fjalëve të huaja me përgjegjëset e tyre përkatëse të shqipes dhe libri “Fjalor për pastërtinë e gjuhës shqipe” (1998).

Problemet teorike e praktike të kulturës së gjuhës kanë zënë vend të gjerë dhe në disa prej konferencave shkencore kombëtare, si: “Gjuha letrare kombëtare shqiptare sot” (Tiranë, 1992), “Shqipja standarde dhe shoqëria shqiptare sot” (Tiranë, 2002) si dhe Konferencat shkencore me rastin e përvjetorit të Kongresit të Drejtshkrimit (Tiranë, 1982. Tiranë, 1997, Korçë, 2012).

Interesimi për problemet e kulturës së gjuhës ka qenë në qendër të vëmendjes edhe në Kosovë. Në Institutin Albanologjik të Prishtinës është krijuar sektori shkencor i kulturës së gjuhës dhe janë botuar përmbledhjet “Çështje të normës letrare” (1980) dhe revista gjuhësore “Gjuha shqipe” (Prishtinë 1982), që i kushtohet dukurive të kulturës së gjuhës, normës letrare dhe kulturës së gjuhës sot. Aty ka artikuj problemorë, studime dhe diskutime, si dhe shkrime kritike e bibliografi, materiale e prurje nga gjuha e sotme, si dhe kronika shkencore. Numri parë i revistës “Gjuha shqipe”, doli më 1982.

Qysh atëherë e deri në vitin 1990 dilte tri herë në vit, kurse mbas atij viti, për shkak të vështirësive objektive të krijuar nga shtypja serbe, revista qe ndërprerë. Rifilloi të dalë më 1997 me dy numra në vit, por përsëri qe ndërprerë më 1999 në kohën e Luftës së Kosovës. Më vitin 2000 rifilloi të dalë dhe botimi i saj vazhdon.

Në kuadër dhe në mbështetje të punës shtetërore e institucionale për kulturën e gjuhës, në vitet ‟70 të shekullit XX filloi edhe një veprimtari mësimore dhe studimore kushtuar gjuhës së skenës dhe ekranit. Përmendim në këtë lëmë punën prej pioneri të kryer nga Gjovalin Shkurtaj, së pari, me ideimin e realizimin e një lënde me titullin “Kultura e gjuhës në skenë dhe ekran”, në Institutin e Lartë të Arteve (më vonë Universiteti i Arteve), duke hartuar e botuar së pari, librin maket me titullin “Kultura e gjuhës në skenë dhe ekran”, Tiranë, 1983, 232 faqe, miratuar nga Instituti i Lartë i Arteve, Dega e Artit Dramatik, dhe, në vijim tekstin më të gjerë “Kultura e gjuhës në skenë dhe ekran”, botim i Shtëpisë botuese të Librit Shkollor, Tiranë, 1988, 300 faqe. Më 2003, Gjovalin Shkurtaj, botoi librin “Kahe dhe dukuri të kulturës së gjuhës shqipe”, Shtëpia botuese “KristalinaKH”, 246 faqe, tekst mësimor për studentët e degës së gazetarisë, të dramës e të regjisë, si dhe për aktorët, regjisorët, punonjësit e mediave të shkruara e të folura. Në 2006 doli botimi i përpunuar i këtij libri me titullin “Kultura e gjuhës” botuar nga SHBLU, Tiranë, 2006, 306 faqe.

Këto tekste kanë qenë në duart e shumë studentëve të degës së dramës e të regjisë, si dhe të degëve të tjera që kanë nevojë të formohen me dije të qëndrueshme për kulturën e gjuhës në teatër, në kinema dhe në mediat e shkruara e të folura. Lënda e tyre, sigurisht, na ka shërbyer edhe neve në përzgjedhjen e pikave nyjë të trajtimit në doktoraturën tonë. Revista “Gjuha jonë”, me karakter shkencor e popullarizues, organ i Institutit të Gjuhësisë dhe Letërsisë, trajton çështje të gjuhës letrare kombëtare, dukuri të normës gjuhësore e të kulturës së gjuhës dhe pastrimit e pasurimit të gjuhës shqipe në të gjitha fushat e veprimtarisë shoqërore me fjalën e shkruar e të folur. Përveç artikujve, “Gjuha jonë” boton edhe shkrime kritike e bibliografi, fjalë të rralla, diskutime, përgjigje të pyetjeve, materiale dhe vlerësime nga puna në shkollë për gjuhën dhe jeta shkencore në vend dhe në diasporat shqiptare.

Nga hapësirat e shqipes në Kosovë e në Maqedoni janë për t‟u përmendur, gjithashtu, botimet e disa studimeve, kryesisht punonjës shkencorë të Institutit Albanologjik të Prishtinës, prej të cilave janë me interes librat : “Gjuha, ligjërimi dhe fjala” (2004) nga Shefkije Islamaj, “Gjuha e gazetave” nga Bardh Rugova, Prishtinë 2009 etj.