KUJTOJMË POETIN, LASGUSH PORADECI

0
1616

Me rastin e përvjetorit të shkuarjes në amshim
(12 nëntor 1987- 12 nëntor 2016)

Shkruan prof. Zymer Mehani

Lasgush Poradeci (1899-1987)

Jeta dhe vepra:
Lasgush Poradeci u lind më 27 dhjetor 1899 në Pogradec, në një familje me tradita atdhetare. Në moshën 10-vjeçare prindërit e dërguan për të vazhduar studimet në Manastir dhe më vonë në Athinë, ku mbaroi liceun. Më 1921 ai shkoi në Rumani, për të ndjekur studimet e larta. Duke qenë pa bursë dhe pa asnjë ndihmë, ai u detyrua të punonte dhe njëkohësisht të studionte. Në Bukuresht ai u lidh me Lëvizjen Atdhetare të Kolonisë Shqiptare, u miqësua me Asdrenin e atdhetarë të tjerë shqiptarë dhe u zgjodh edhe sekretar i përgjithshëm i Kolonisë.

Në verën e vitit 1924 Qeveria e Fan Nolit i dha bursë dhe kështu arriti t’i përfundojë studimet e larta në Grac (Austri) në Fakultetin e Filologjisë Romano-Gjermane. Për dallim nga poetët e Rilindjes, që megjithë origjinalitetin e tyre kishin tipare të përbashkëta, poetët e shquar të periudhës së Pavarësisë Noli, Fishta, Poradeci, Migjeni, janë krejtësisht të ndryshëm nga njëri-tjetri si nga formimi, nga prirja e tyre, ashtu edhe nga interesat e synimet.

Lasgush Poradeci e jetoi Rilindjen ne periudhën e shpërthimit të kryengritjeve të mëdha për liri. Në veprën e këtij liriku të madh të letërsisë sonë jetoi shqetësimi atdhetar i mbrojtjes së kombit dhe të traditës së Rilindjes, ashtu sikurse edhe dëshira për triumfin e pikëpamjeve demokratike, shqetësimi për një emancipim të përgjithshëm kulturor e shpirtëror të shoqërisë shqiptare.

Ai është nga lirikët tanë më të mëdhenj, i cili u shqua për sensibilitetin dhe ëmbëlsinë poetike me të cilën i këndoi Shqipërisë dhe dashurisë.

Në vitin 1933, u botua vëllimi i tij i parë “Vallja e yjeve”, dhe më 1937 u botua vëllimi i dytë “Ylli i zemrës”.
Pas Luftës së Dytë Botërore Lasgush Poradeci e vazhdoi veprimtarinë krijuese, por u mor edhe me përkthime. Ai shkroi, veç të tjerash, poemat “Eksursioni teologjik i Sokratit”, “Mbi ta”, “Kamadeva”, baladat për Muharrem e Reshit Çollakun. Gjithashtu, përktheu disa nga kryeveprat e letërsisë botërore si “Eugjen Onjegin” të Pushkinit, lirikat e Lermontovit, të Bllokut, Poemat e Hajnes, të Majakovskit e Mickieviçit, lirikat e Gëtes dhe Hajnes, poezi të Lanaut, Brehtit; Hygos, Mysesë, Bajronit; Shellit, Bërnsit, të Emineskut etj.

Më 12 nëntor të vitit 1987, Lasgush Poradeci, vdiq, duke lënë pas një krijimtari të bukur, e cila kishte fituar zemrën e lexuesit dhe kishte tërhequr vëmendjen e disa studiuesve të shquar të kulturës sonë si Eqrem Çabej, Skënder Luarasi, Mitrush Kuteli, Sabri Hamiti, Ismail Kadare etj.

“Vallja e yjeve”
Tek vëllimi “Vallja e yjeve”, L. Poradeci i ka kënduar vashës së zemrës.
Poezia intime e Lasgushit është mjaft e ngrohtë, e drejtëperdrejtë.
Poezia e L. Poradecit ka arritur një shkallë të lartë artistike.

Vepra e L. Poradecit u përket atyre veprave të cilave koha nuk ua zbehu dhe humbi rëndësinë. Por vepra e tij është shumë jetëgjatë “poezia e Lasgush Poradecit është një univers i tretur në fjali”.

Botëkuptimi tij është idealist dhe kjo lë gjurme sado të vogla, atëherë kur ai i këndon me ëmbëlsi vashës dhe natyrës shqiptare. Shpeshherë L. Poradeci i largohet realitetit sepse kishte një pakënaqësi ndaj tij. Në poezitë e tij gjejmë thërrime nga rryma idealiste filozofike të ndryshme, skepticizëm, agnosticizëm, të cilat gërshetohen me njëra-tjetrën. Idetë e tij formaliste e shkëpusin nga tradita. Në poezitë e tij vihet re rutina në mendime formalizmi, vargëzimi dhe lodra e fjalëve.

Vdekja e Nositit

Me zjarr ju flas …me zjarr,
Në gjirin tim kam hapur varr..
Qi t’ijap shpresë{ edhe t’ja marr..}
Unë hik liqenit zemërak
fatlum dh’i pastër si zëmbak,
po zemra ime kullon gjak,
Se vijnë – urtuar zogjte – e mi,
dh’u jap ushqim me dashurinjë
dashuri për llahtari,
Po nis ah!gjirin ta godas..
Dh’e hap ah! Gjirin me një ças..
Dh’i ngij ah! Zogjtë-e vdes me gas!.,
Aherë-helmohet e buçet
Pas malit tim liqeni-i shkret,
e rrit tallazin posi det.
Ai e tund , ai e shkund,
ai e hap sa me të mund,
gjer mun në gjit, gjer mu në fund.
E shpirtin duke ma përcjellë
më thotë ah! shih sesa ësht i fellë
ky gjer i em që të pat pjellë…
…me zjarr ju flas, me zjarr.