KUJTOJMË NËNË TEREZËN ME RASTIN E PËRVJETORIT TË LINDJES

0
1417
Zymer Mehani, portret

(26 gusht 1910 – 5 shtator 1997)

Shkruan Prof. Zymer Mehani

Nënë Tereza (Gonxhe Bojanxhiu) është lindur më 27 gusht 1910 në Shkupin e Shqipërisë së atëhershme (sot kryeqytet i ish- Republikës Jugosllave të Maqedonisë), i cili ishte kryeqendra e Vilajetit të Kosovës. Prindëritë e saj, Nikollë dhe Dranafille Bojaxhiu, emigruan prej Shkodrës në Shkup para se të lind Gonxhja.

E ëma e saj, Dranafilla, ishte nga Novosella, fshat afër Gjakovës, kurse i ati Nikolla nga Prizreni. Që si fëmijë Gonxhja ishte me shëndet e dobët dhe nëna e saj druante për shëndetin dhe jetën e saj. Katër vjetët e parë të shkollës fetare i bëri shqip, ndërkaq shkollën fillore shtetërore dhe gjimnazin i mbaron në gjuhën serbe. Vëllai i saj, Lazri, thotë se motra ishte një vajzë e rëndomtë dhe e mbyllur… Që nga vitet e para të shkollës fillore mund të vërehej se ishte shumë e talentuar për mësim.

Ishte e para në klasë, gjithmonë e gatshme të ndihmojë të tjerët. “Kur i’a shfaqa nënës dëshirën time që virgjërinë t’ia fal Zotit, në fillim kundërshtonte, por më në fund më tha: Mirë, bija ime, shko, por kij kujdes të jesh vetëm e Zotit. Në moshën 12 deri më 18 vjet nuk kisha të dëshirë të bëhem misionare. Por në moshën 18 vjeçare vendosa ta braktis vendlindjen. Ishte kjo dëshira e Zotit”, fliste Nëna Terezë.

Lorenc Antoni, kompozitor i njohur nga Prizreni dhe shok fëmijërie i Gonxhes, pohonte se më 20 gusht 1928, me t’u kthyer nga Kisha Katolike e Letnicës, në Viti, Kosovë, Gonxhja i thotë : “Kam vendosur të bëhem misionare, t’i kushtohem e tëra Zotit për shpëtimin e shpirtrave.” Caku i saj ishte India. Një kohë kalon në Irlandë dhe pastaj shkon në Indi. Më 1930 Gonxhes i jepet emri Tereza, në përkujtim të Shën Terezas nga Avila, shenjtëreshë spanjolle e shekullit XVI.

Më 10 shtator 1946, ajo largohet nga shkolla St. Mary’s High School, ku punonte si arsimtare, dhe fillon t’u shërbejë të varfërve dhe të sëmurëve.

Më 1962 ajo fiton çmimin Pandra Shri për “shërbim të mrekullueshëm”. Ajo këto para i shfrytëzon për t’u ndihmuar nevojtarëve dhe për ndërtimin e spitaleve. Më 1979, ajo merr çmimin Nobel për Paqe. Ajo provon disa herë që ta vizitojë Shqipërinë, por regjimi diktatorial komunist nuk i jep vizë. Ajo e viziton atë pas rrëzimit të diktaturës komuniste. Vizita e saj e fundit në Shqipëri ishte më 1993. Kosovën ajo e vizitoi më 1980.

Njëmbëdhjetë shtëpi humanitare të saj punojnë në Shqipëri dhe dy në Kosovë. Shoqata më e madhe humanitare në Kosovë mban emrin e saj.

Zemra e Gonxhe Bojaxhiut – Nënë Terezës, e operuar katër herë, plot dashuri për më të vobektit, nuk duroi më. Më 5 shtator 1997, në ora 17, në Kalkutë, nëntë ditë pas ditëlindjes së saj të 87-të, vdiq nga pasojat e pikës në zemër.

Nëna Terezë (Gonxhe Bojaxhiu), e cila njëherësh ishte nënë e mbarë njerëzimit, edhe pas vdekjes, megjithatë, mbeti e gjallë në kujtimet tona, në zemrën e popullit tonë, por edhe në mbarë botën, sepse vepra e saj ishte flijim për të mirën e njerëzimit.
Vepra e saj i dëshmon botës se në mesin e tyre gjendet një popull i vjetër, me një kulturë të lashtë dhe veprimtari të madhe, një popull fisnik dhe besnik me traditë të lashtë dhe bujare, populli shqiptar. Dhe pikërisht nga ky popull e ka prejardhjen bija e tij, Nëna Terezë. Kjo figurë e ndritshme me fisnikërinë e shpirtit shqiptar i pushtoi zemrat e njerëzimit, pa dallim race, kombi apo feje.

Ishte simbol i amshuar i forcës hyjnore i dashurisë së njeriut për njeriun. Ajo njëherësh ishte edhe nënë e mbarë njerëzimit. Nëna Terezë paraqiste një vlerë për njerëzimin, kurse për ne shqiptarët ajo ishte diçka më shumë: ishte një vlerë frymë e trojeve tona, ishte nga zermra e dheut tonë, ishte bijë, ishte motër të parëve tanë. Me të drejtë mund të pohojmë se ndër personalitetet më të ndritura që pati njerëzimi gjatë dy mijë vjetëve, ndër ne shqiptarët, është figura e Gonxhe Bojxhiut- Nënë Terezës. Nëna Terezë dashurinë ndaj njerëzimit gjithmonë e ka shprehur me lutje pranë Atit të Gjithpushtetshëm, duke iu drejtuar me këto fjalë:

“Kudo të jetë urrejtja, unë të sjellë dashurinë.
Kudo të jetë padrejtësia, unë të sjell faljen.
Kudo të jetë ngatërresa, unë të sjell pajtimin.
Kudo të jetë gabimi, unë të sjell të vërtetën.
Kudo të jetë dyshimi, unë të sjellë besimin.
Kudo të jetë dëshprimi, unë të sjellë shpresën.
Kudo të jetë terri, unë të sjellë dritën.
Kudo të jetë pikëllimi, unë të sjellë gëzimin”.

Është i priveligjuar kombi ynë, që nga gjiri i vet nxori një figure kolosale për mbarë njerëzimin- Nënë Terezën.