KUJTIME QË DO TË JENË UDHËRRËFYESE PËR GJENERATAT E ARDHSHME

0
2367
Milazim Kadriu

Libri “Kujtimet flasin – Sfida jete” i autorit Dr. Ymer Mustafa, botoi SHB ”Ulpi” Prishtinë 2016

Milazim F. KADRIU

Ditë më parë doli nga shtypi libri “Kujtimet flasin-Sfida jete” i autorit Dr. Ymer Mustafa. Edhe nga vetë titulli i librit shohim se kemi të bëjmë me kujtime dhe sfida të jetës në për të cilat ka kaluar autori dhe jo vetëm ai. Ndonëse autori në moshë të shtyrë (86 vjeç) suksesshëm para lexuesit vjen me librin e tij me kujtime nga jeta e tij që pasqyrojnë kujtimet nga koha e autorit e që pasqyron atë kohë ku shumë njerëz e gjejnë veten aty dhe kanë kaluar nëpër sfida dhe ngjarje përafërsisht të ngjashme të asaj kohe e sidomos në Trevën e Llapi. Libri është ndarë në disa kapituj si : Kujtime, Ditar nga koha e luftës 1999, Këngë nga koha e rinisë, Ditar nga vizita në Gjermani dhe Kujtime për Pakashticën.

Në kapitullin Kujtime, Mustafa sjell kujtimet e tij që nga koha e hershme kur ka filluar të shkoj në shkollë e që ishte nxënës i gjeneratës së parë të mësimit shqip në shkollën “Azem Bejta” në Kërpimeh. Pastaj vazhdon në mënyrë kronologjike të përshkruaj ngjarjet në jetën e tij,si nxënës në Gjimnazin “Sami Frashëri”në Prishtinë dhe për tu rikthyer pastaj si mësues në shkollën ku mori mësimet e para ku një kohë ishte edhe drejtor shkolle. Më pas ishte edhe Kryetar i arsimit për Rrethin e Llapit, kohë kjo kur qarqe të ndryshme tentonin të mbyllnin shkollat shqipe ciklet e larta por që Mustafa këmbënguli dhe gjeti edhe përkrahjen edhe nga disa udhëheqës të kohës dhe nuk lejuan mbylljen e shkollave në gjuhën shqipe.

Pas kësaj kohe ai nuk shikohej me sy të mirë nga ish regjimi në atë kohë dhe për këtë ai vazhdoi studimet në fakultetin e Mjekësisë në Beograd. Pas kryerjes së studimeve kthehet si mjek në komunën e Podujevës ku kontributin e tij e dha në shëndetësi deri me rastin e pensionimit në vitin 2008. Gjatë kohës sa punonte si mjek kreu edhe specializimin për pediatër në Nish, dhe për dy mandate ishte edhe drejtor i Shtëpisë së shëndetit në Podujevë.

Në pjesën e dytë të librit Mustafa sjell ditarin e mbajtur gjatë kohës së luftës së fundit duke filluar nga 24 mars deri më 22 qershor 1999.

Pas dëbimit me dhunë nga shtëpia e tij në Prishtinë autori i këtij ditari bashkë me familjen e tij gjatë kësaj kohe ka qëndruar në Maqedoni përkatësisht në Reçicë të Vogël të Tetovës. Në detaje në ditarin e tij Mustafa e përshkruan jetën si refugjatë, mikpritjen e vëllezërve shqiptar nga trojet shqiptare në Maqedoni, ndihmat e ofruara nga vendasit dhe organizatat ndërkombëtare .Po ashtu ai përmes mjeteve të informimit përcjell gjendjen në Kosovë, e gëzojnë sukseset e UÇK-së në betejat që zhvilloheshin anekënd Kosovës si dhe bombardimet e NATO-s mbi caqet serbe.

Ditën e kthimit për në Kosovë e pret me shumë gëzim dhe i duket e gjatë rruga derisa arrin në Kosovë, ndonëse e bërë shkrumb e hi nga barbaria serbe, por e çliruar dhe tash nëpër rrugët e vendit të tij nuk sheh më ushtar, polic e paramilitar serb por aty tash sheh ushtarët e UÇK-së dhe NATO-së që e çliruan vendin nga okupatori shekullor.

Në pjesën e tretë të librit të tij Dr. Ymer Mustafa na sjell shumë këngë që këndoheshin në rininë e tij në mënyrë që ato ti dinë gjeneratat e tashme dhe të mos harrohen edhe për gjeneratat e ardhshme.

Pas daljes në pension autori i librit shkon për një vizitë në Gjermani tek vajza e tij dhe ditarin e tij për këtë vizitë ai na e sjell në pjesën e katërt të librit. Gjatë qëndrimit në Gjermani ai u takua edhe me shumë bashkatdhetar që jetojnë dhe veprojnë në këtë shtet mik të Kosovës dhe bisedat e zhvilluara atje ai na i sjell në ditar. Ndër tjera ai njihet edhe me kontributin që bashkatdhetarët e kanë dhënë gjatë kohës së luftës duke ndihmuar materialisht luftën e UÇK-së dhe më pas edhe shtetin e pavarur të Kosovës.

Në pjesën Kujtime për Pakashticën, autori sjell shumë kujtime për vendlindjen e tij që nga rinia e tij edhe kur ishte bari, punonte pune të fushës dhe për lojërat me shokë të rinisë e shumë kujtime tjera. Ndonëse ai e viziton shpesh fshatin e lindjes siç shihet në kujtimet e tij, ai ndjen mall për kohën e rinisë në fshatin e lindjes, për shokët e fëmijërisë dhe familjarët e tij. Po ashtu ai flet edhe për toponimet e fshatit, si për ara, fusha, male etj. Në fund të librit sjell trungun familjar të familjes së gjerë të tij nga Pakashtica e Poshtme e Podujevës.

Libri është i ilustruar edhe me shumë fotografi, dokumente shkollore, mirënjohje për punën e autorit si mjek, po ashtu ka edhe fotografi tjera të fshatit (natyrë), ndërtesa të vjetra, foto familjare etj.