(Me rastin e ditëlindjes – 10 tetor.)
DITË PRANVERORE ME DIELL
Shkruar nga shkrimtari, Fadil H. Curri
Dita e 14 prillit po agonte me rrezet e diellit mëngjesor, ku si zakonisht dhe fillimisht e shënjestronin Majën e Zezë të Qyqavicës mitike, e cila edhe në të kaluarën kishte qenë mburojë e shumë breznive të luftëtarëve për liri.
Këngën dhe melodinë magjepsëse të zogjve, në atë mëngjes të hershëm pranveror, e ndrydhte ofensiva e ndërmarrë e hordhive policore dhe paramilitare serbe. -Por ç’e do, ore lumë vëllai-, i kishte thënë Feridi të vëllait, Petritit, -tërë këtë bukuri natyrore, që bie ndesh me zemrat e thyera të popullit dhe të çlirimtarëve, por edhe njerëzore, që ishin fare të pashpresa?!
Sepse të gjitha ato zemra lëngonin dhe vuanin e rënkonin në tokën e djegur shkrumb.
Nga ajo bregore bleroshe e gjysmë e zhveshur në Gurshkabë, qëndronin në vijën e frontit dy të rinj, dy vëllezër, Feridi dhe Petriti, të veshur me uniformat e tyre laroshe. Sa bukur u rrinin emblemat e UÇK-së në ballë, e në krahë, mitralozi e automatikët! Në sytë e tyre, të futur thellë në rrashtë, shihje një qëndrim mjaft të matur.
Ishte afruar komandant Abedin Sogojeva- Dini, por, për çudi, askush nuk po fliste fare. Me dylbi të mëdha dhe të tejzgjatura, komandanti vrojtonte mbi shpatin e Grabocit, ku ishin të stacionuara forcat serbe.
-Ç’je fundosur aq thellë në mendime, o Komandant?- foli si zakonisht Feridi. Komandanti uli dylbitë poshtë duke i fshirë sytë e stërlodhur.
-Po si mos të thellohet, o Ferid?!- ia priti i vëllai, Petriti, pa e ndërruar pozicionin.
Pasi u mendua pakëz habitshëm, drodhi kokën dhe shtoi:
-Gjithë kjo popullatë civile e paarmatosur, që gjendet prapa shpinës sonë, e pambrojtur: gra, fëmijë e pleq, gjendet para një tragjedie shfarosëse.
Ndërhyri edhe zv. komandanti, Ali Sogojeva:
-Po pra, fati i tyre mbështetet në duart tona. E vështirë qenka kjo! Ata shpresojnë te ne e mundësitë i kemi të vogla për t’u dalë në krahë. Të mjerët, po ma brejnë shpirtin si sëmundja e kancerit! Jeta nën plumba qenka e rëndë dhe e tmerrshme!
Beteja kishte filluar e armiku sulmonte furishëm nga të gjitha anët e me të gjitha mjetet. Beteja sa vete e ashpërsohej. Luftohej edhe nga afër, fyt më fyt e dhëmbë më dhëmbë.
Dheu i tokës mëmë zuri të skuqej e bari i njomë u ujit nga gjaku rrëke i Feridit e i vëllait, Petritit. U plagosën edhe disa të tjerë.
Edhe pse me shumë të plagosur, 14 prilli 1999 ishte më i gëzueshmi për Feridin, Petritin dhe të gjithë bashkëluftëtarët e batalionit të Abedin Sogojevës- Komandant Dinit, sepse nuk u lejuan forcat serbe policore paramilitare të depërtonin te popullata civile.
-As vdekja nuk më frikon,- tha Feridi.
Kjo ishte e vërtetë, sepse djaloshi Ferid Esat Curri, ishte i mishëruar me fatin e hidhur pelim të popullit të vet liridashës.
Përreth bashkëluftëtarët e kishin mbuluar luftëtarin trim dhe bënin heroizëm të pashoq. Atij iu kishte plagosur edhe vëllai, Petriti në dorë, ku ca shokë e kishin mbuluar dhe po e ndihmonin.
Feridi në këtë botë erdhi më 10 tetor të vitit 1974 nga një familje dhe fis jo i kamur ekonomikisht, por me tradita burrërie e atdhetarie. Dhe fare paqësisht shpirti i tij i ndritur vajti në amshim. Atje e prisnin komandantët, Adem Jashari, Fehmi Lladrovci edhe qindra lulëkuqe të tjera të lirisë.
Dielli ende kishte për të bërë rrugëtim.
Më datën 15 prill 1999, dëshmori i kombit, Ferid Esat Curri ndërroi jetë.
Shokët bashkëluftëtarë Feridit i thurin disa vargje:
Pranë kodrinës së zhveshur
Maje një thepi në Gurshkabë
Poshoi së rrahuri zemra
E heroit kombëtar-Ferid Esat Currit
Porse vepra nuk i vdes…
Në çdo mëngjes, dielli i ngrohë martirët, dëshmorët dhe heronjtë. E tani në kryeqytet, në pjesën lindore të Prishtinës, në mesin e dëshmorëve, pushon i qetë edhe heroi i kombit, Ferid Esat Curri.