“Rilindja për fëmijë” 16. Kallnor 1968
Nga: Fahri Xharra
17 janari 1968, 500 vjetori i vdekjes së Skënderbeut. Një jubile që e kanë rastin vetëm fatbardhët të kremtojnë vetëm ata që qëllojnë në atë kohë. Në Kosovë, Maqedoni dhe Malin e Zi shqiptarët filluan të frymonin lirshëm shqiptarisht ; ishte koha e ri zgjimit të madh shqiptar. Si me qenë nga natyra e porositur: zgjimi kombëtar në një pjesë të kombit që ishte i ndrydhur me shekuj mu në 500 vjetorin e rikujtimit të madh e shuarjes së Skënderbeut të Madh, por edhe fillimi i degradimit të unit shqiptar. E kishim turkun mbi krye mbi 500 vjet, e kishim serbin mbi krye gati 100 vjet.
Por edhe koha, edhe erërat çlirimtare të shpirtit të robëruar por edhe fryma e ngritur nga një udhëheqje shqiptare e këtyre anëve qe e mundësonte shijimin e të vërtetës sonë. Dikush u viktimizua, ashtu e paska natyra ligjin e saj, nuk ka fitore pa sakrifica.
Ishte koha kur u ngrit flamuri kombëtar në këto anë të tokave shqiptare; ishte koha e burgosjeve të atdhetarëve; ishte koha e sundimit të RSFJ-së; por ne prapë ia arritëm të kemi një dritë në ardhmërinë tonë, ishte koha kur shqiptarët mendoni pas ca e ca shekujsh, vetëm shqip.
Ishte koha kur edhe fetarët e feve të shqiptarëve mendonin vetëm shqip. U rralluan disa gjëra të mbrapshta, disa vizita të panevojshme, disa lutje që nuk përshkonin me aspiratat tona; ishte koha e shqipes, e shqiptarisë në tokat ende të pushtuara të cilat luftoni për një autonomi në arsim, në politikë, në zhvillimin industrial. Ishte koha: Shqip !
Jubileu I Skënderbeut e zgjoi krenarinë shqiptare; librat e rinj për shkollarët e rinj fliteshin për Skënderbeun. Një ëndërr e pa paraparë; një ngritje morali në caqet e saja, një shpresë për diçka më të madhe.
Edhe unë si 16 vjeçar që isha në kohën e rikujtimit të epokës së Skënderbeut, i dola krah me mundësit e mia që ma lejonte mosha dhe të la një gjurmë në gazetat e kohës; për Skënderbeun dhe Shpatën e tij.
Po sot, po flas prapë për ato toka të 1968-ës, për Kosovën si shtet i pavarur, për Maqedoninë me “Marrëveshjen e pa zbatuar të Ohrit“, për Malin e zi që për ditë qenja shqiptare po zvogëlohet.
Kush e kishte menduar që me 17 janar 2016, do ta kemi Kosovën shtet të pavarur me të gjitha atributet e një shteti të njohur ndërkombëtarisht?
Kush e kishte menduar që do ta harrojmë Skënderbeun, do të mundohen t`iu falim serbëve me arsyetimin “shkencor“ ai nuk “ishte shqiptar”?
Kush e kishte menduar që më me guxim flisnim si të robëruar pas vitit 1968, se sa sot në Kosovën e lirë.
Kush e kishte menduar që edhe më 17 Janar 2016 mundohemi ta ri sjellim të kaluarën e largët prapë në mendjen tonë të lire, të pa varur dhe t’ashtuquajturën mendje sovrane?
Zot, të kërkojmë ndjesë, se edhe ti po e sheh se nuk jemi ata të kohës së 500 vjetorit të vdekjes së Skënderbeut.
Fahri Xharra, 10.11.21
Gjakovë