LIS BUKUROCA, 22 shtator 2016 – BletaShqiptare.com
U bë një kryengritje në Maqedoni, u shkrua një marrëveshje, që nuk zbatohet, por gjuha shqipe është zyrtare, vetëm ku ka më shumë se njëzet për qind shqiptarë. Ku jetojnë nëntëmbëdhjetë për qind, gjuha shqipe është e ndaluar dhe nuk ka integritetin e gjuhës maqedonase, të krijuar pas LDB. Merreni tani me mend këtë: Maqedonia duhet të ketë diku dyzetë për qind shqiptarë dhe nuk ka autonomi dhe merreni me mend tani Bashkësinë serbe të krijuar nga nëntë fshatra dhe disa lagje qyteti! Njëqindmijë banorë të shpërndarë nëpër disa katunde kanë një subjekt administrativ shtetëror me një Kuvend. A mund të shpallë shkëputjen Kuvendi? Pa asnjë dyshim. E pat bërë para lufte edhe Kuvendi i Krahinës Autonome Socialiste të Kosovës.
Se mund dhe do ta bëjë këtë një ditë, tregon burimi nga financohet. Kosova ka bërë mirë që të gjithë gjuhët ka shpallur zyrtare, edhe kur nuk bëjnë një për qind të popullsisë. Nuk është mirë popujve t’u shpallet gjuha e pavlerë për ndërkomunikim administrativ, sepse është një tregues mosdurimi nacional, tregues inferioriteti dhe është qëndrim fashist: simptomë e arrogancës, epërsisë dhe hegjemonisë. E bëjnë maqedonasit që qindra mijëra kanë pasaporta bullgare. Dhe, të gjithë politikanët, të brendshëm dhe të jashtëm, mendojnë se kemi merituar një diskriminim të tillë në Maqedoni, të sanksionuar edhe me Kushtetutë. Edhe atë, në Europën e barazisë dhe humanizmit.
Mendoni pak edhe këtu ju lutem: Lugina bëri një kryengritje. Gjysma e popullsisë është dëbuar apo arratisur. Kompetencat e komunave shqiptare u reduktuan, madje më shumë se në kohën e Jugosllavisë. Kjo u pranua në heshtje si hakmarrje e merituar serbe. Sot edhe për patentë, duhet shkuar në Vranjë. Në një qytet serb. Lugina nuk ka spital, por për mjekime duhet të shkojnë në qytete serbe, Vranjë dhe Nish. Para luftës, gjatë luftës dhe pas saj. Në një libër të Sami Frashërit thuhej se Presheva kishte 30.000 banorë, sa kishte edhe Kumanova në mbarim të shekullit XIX. Kumanova me rrethinë ka sot mbi njëqindmijë. Sot Presheva ka diku 34.900 banorë, pas më shumë se 100 viteve dhe, ka papunësinë më të madhe në Serbi. Dhe, të gjithë politikanët, të brendshëm dhe të jashtëm, mendojnë se kemi merituar një diskriminim të sanksionuar edhe me Kushtetutë. Edhe atë, në Europën e barazisë dhe humanizmit.
Reflektoni pak edhe këtu: Serbet krijuan shtet në Bosnje si rezultat i një gjenocidi. U garantua me marrëveshje shumëpalëshe. Pra aty ku nuk kishte pasur kurrë autonomi, u ndërtua një republikë. Perëndimi synonte një barazi dhe ekuilibër. Serbet fituan një republikë fal një gjenocidi, shqiptarët e Maqedonisë pa gjenocid nuk fituan asgjë, pos të drejtës për të braktisur vendin, çfarë ëndërron edhe Isa Hashimi.
Merreni me mend tani nëntë katunde serbe dhe një copë Mitrovice. Katundet shpallen komuna me kompetenca më të mëdha se sa Presheva që ka dhjetë herë më shumë banorë se sa një komunë serbe në Kosovë. Serbet kanë spitalin e tyre. Serbet mund ta qeverisin veten me direktiva të Beogradit dhe me financimin e tyre. Serbia pra gjendet zyrtarisht brenda Krahinës Autonome të Kosovë dhe Metohisë. Qeveria shqiptare heshti për aktin e Luginës. Qeveria Isa Hashimit heshti gjithashtu. BE ishte disi në gazep për ta shpjeguar dhe përligjur diskriminim plakativ.
Dy qeveritë heshtën nga frika se njëra dëmtohet drejt BE-së, tjetra nga frika se pengohet pezullimi i vizave. Serbia për interesa nacionale, refuzon edhe Europën, edhe NATO-n. Shqipëria dhe Kosova nuk njohin interesa nacionale. Politikanët shqiptarë mund të blihen si lopët në treg. Serbet nuk shiten. Politikanët e Luginës duke mos pasur mbështetje, edhe pse pritej dhe duhej pritur, fluturuan mbi oqean Atlantik drejt Amerikës, që na kupton shumë më mirë se Europa e ëndrrave shqiptare. Dhe, të gjithë politikanët BE-së dhe tanët, mendojnë se kemi merituar një diskriminim të sanksionuar edhe me Kushtetutën. Edhe atë, në Europën e barazisë dhe humanizmit.
Merrini me mend tani ata ndërkombëtarë që vijnë nga Perëndimi dhe urdhërojnë politikanët tanë, që fermanët i përkthejnë si “konsultime me ndërkombëtarët”: ata vijnë nga vendet perëndimore, ku çdo qytetarë para ligjit është i barabartë, edhe nëse është emigrant. Pa dallim gjinie, pa dallim race, pa diskriminim për shkak të orientimit seksual apo përkatësisë partiake. Dhe tani ai sufler të thotë: “Nënshkruaje diskriminimin në Maqedoni!”
Ti nënshkruan. Në vendin tënd. Në shtëpinë tënde. Ti nuk kundërshton. E pse? Sepse je shqiptar! “Ti nuk mund të jesh i barabartë me maqedonasit!” Ata edhe nëse nuk e thonë këtë aq shprehimisht, vet firmosja nxjerr në dritë atë konstatim, deshëm apo nuk deshëm. Faktet nënvizojnë trashë atë trajtim që është në kundërshtim me të gjitha parimet dhe vlerat europiane.
Dhe tani, merreni me mend Ti je qytetar i këtij shekulli, i këtyre arritjeve njerëzore, politike, teknologjike, shkencore dhe i gëzohesh barazisë, u gëzohesh lirive dhe të drejtave të njeriut, i gëzohesh demokracisë dhe të bie ndërmend të kërkosh barazi edhe ti si në Kosovë. Jo të kërcënojnë politikanët serb. “Ti je shqiptar, ti nuk mund të jesh i barabartë me ne. Ne nuk duam ta shndërrojmë fitoren tonë në humbje.” Dhe, ti nuk ke mbështetje as nga Shqipëria, as nga Kosova. Atje politikanët heshtin dhe shpërfillin gjendjen tënde. Rama shpërndan leksione Europës, Isa Hashim qep gojën si një shtatore e Budës.
Ata kanë marrë urdhrin të heshtin, sepse ata dinë se jemi shqiptarë dhe nuk mund të bëhemi të barabartë me popujt sllavë, por të trajtohemi sikur të ishim në kontinentin e huaj, në kontinentin e gabuar, diku me qira. Dhe merreni me mend tani Hashim Mustafa ju thotë se me këtë akt, përforcuam shtetësinë e Kosovës. Dhe Ti që ke një tru në kokë për të menduar, pyet veten: si është e mundur që Isa Hashimi mashtroi Qeverinë serbe? Nëse po, pse nuk e mashtrojnë edhe me Luginën? Si iu mbush mendja Serbisë ta përforcojë shtetin e Kosovës? Nëse po, pse Serbia nuk dëshiron të përforcojë shtetin me një autonomi shqiptare atje? Mirëpo, meqenëse Ti ke një tru që e bart me vete, nuk arrin ta shpjegosh pse Hashim Mustafa të gënjen aq hapur? Pse dyshon në mençurinë tënde dhe pse të trajton si një lopë që hanë krunde, me ato shpjegime naive. Nuk e kupton Ti motivin, nuk e kuptoj as unë, por një ditë do ta kuptojnë të tjerët, që me diskriminim, po përgatisin konflikte të reja.
Po pse e firmosën këtë politikanët shqiptarë? E bënë për pezullimin e vizave. Ky do të jetë suksesi i vetëm si Qeveri. Më shumë nuk mund të pritet. Ata edhe kërkojnë shpërblim nga BE për përforcimin e shtetin me një autonomi serbe. Që të dy politikanët kanë premtuar qindra mijëra vende të punës. U bashkuan dhe nuk krijuan asnjë vend, përpos se mbushën Qeverinë me zëvendësministra. Hashimi gjendet para udhëtimit në Hagë, Mustafa dinë se një mundësi të dytë, nuk do ta ketë dhe në këtë gjendje, nuk pritet asgjë e mirë prej këtij dyshi. Ata do të bëjnë çdo gjë, nga mund të përfitojnë vet. E populli? Aty politika dhe populli jetojnë si në dy planetë të ndryshme. Populli nuk ka mendim të mirë për politikën, politika nuk ia pallon popullit. Nuk bashkëjetojnë, por shtiren se po jetojnë pranë njëri tjetrit, kurse opozita është vetëm një karikaturë e Qeverisë.
Ti jeton mirëpo me shekuj në trojet tua, në vatrën tënde, por të detyrojnë të ndjehesh në shtëpi të huaj. Nëse nuk ta imponon këtë dikush nga jashtë, atëherë të degradon shteti ku paguan tatime. Mund të kuptohen perëndimorët se dëshirojnë të zgjidhin çështje të ndryshme dhe të sjellin paqen e përkohshme, por nuk mund të kuptohet pse asnjë politikanë shqiptarë nuk dha dorëheqje për qëndrime parimore? Pse asnjë shqiptar nuk u revoltua, por çdonjëri prej tyre firmosi çdo dokument hedhur para turinjve?
Si është e mundur që janë firmosur dhjetëra marrëveshje nëpër trojet shqiptare dhe asnjëri nuk rrezikoi karrierën dhe asnjëri nuk u tërhoq për parime dhe ideale? Përgjigja duhet të jetë kjo: jemi stërvitur nga fqinjët (kryesisht nga pushtimi turko-osman – shënimi im AÇ) të trajtohemi si qytetarë të rendit të tretë. Këtë metodë zbatojnë edhe perëndimorët ndaj nesh, sepse garanton efekte të shpejta.
Se nuk meritojmë barazinë, besojmë tanimë edhe ne. Si në Maqedoni, si në Kosovë, si në Luginë. Nuk janë stërvitur mirëpo vetëm nga fqinjët me nënshtrim. Nënshtrimin, por edhe rrënimin e dinjitetit dhe personalitetit, kanë mësuar në shtëpi në rend të parë. Autoriteti suprem u është imponuar si fëmijë nga një baba despot. Ai despot ka përgatitur politikanin shqiptar të trishtohet para çdo autoriteti dhe kjo, mund të jetë arsyeja kryesore pse shqiptari nënshkruan çdo gjë, nënshtrohet vullnetarisht, por edhe i nënshtruar, edhe në cilësinë e zvarranikut, përpiqet të rrezatojë dinjitet krenarie dhe dështimin, ta interpretojë si fitore.
Shënim: Politikanët shqiptarë mund të blihen si lopët në treg. Serbet nuk shiten. (Për 4-5 lopë, serbët na blejnë edhe femrat…) Si mik të vjetër që të kam, Lis Bukuroca, kjo që thua ti për shqiptarët inferiorë, a thua kot ka të bëjë me islamin? /AÇ