Kufiri detar me Greqinë, Koloneli Pashaj: 12 miljet që flet Kotzias janë e drejtë ndërkombëtare, por…

0
597

TemA

Koloneli në pension Myslym Pashaj, një nga oponentët kryesorë të marrëveshjes së rrëzuar nga Gjykata Kushtetuese për kufirin detar mes Shqipërisë dhe Greqisë, deklaron se 12 miljet që flet ministri i Jashtëm grek, Nikos Kotzias, janë e drejtë ndërkombëtare, që i takojnë çdo shteti.

Në një intervistë për emisionin “Kjo Javë” të gazetares Nisida Tufa në “News 24”, Pashaj sqaron se problemi kryesor për arritjen e një marrëveshjeje mes dy vendeve, janë hapësirat ekonomike ekskluzive.

Pse e keni konsideruar të vështirë dhe kompleks paktin detar?

E kam cilësuar të tillë, pasi unë jam skeptik që ajo marrëveshje mund të rinegociohet. E quaj komplekse, pasi në këtë moment kjo marrëveshje është zeruar nga Gjykata Kushtetuese. Unë mendoj që për këtë marrëveshje ne shqiptarët kemi krijuar një problem me Greqinë. S’kemi pasur problem me Greqinë, e krijuam ne. Bëmë një marrëveshje në tavolinën diplomatike, ku të dyja palët luftuan për të fituar hapësirat e detit, në bazë të së drejtës ndërkombëtare. Në fund u bë një marrëveshje, e cila u firmos nga të dyja palët. Unë mendoj që pala greke nuk ka diktuar, thjesht ka dhënë mendimin e saj. Pala shqiptare ka qenë e papërgatitur dhe e humbi “luftën”. Edhe tani, pas 9 vjetësh nga ajo marrëveshje, opinioni është i ndarë në rezultatin që ajo dha.

Ju keni thënë se duhet të flasim ekspertët…

Nuk është vetëm shqetësimi im, por i të gjithëve. Ekspertët janë përfaqësuesit teknikë dhe ligjorë të një marrëveshje kaq të rëndësishme dhe të ndjeshme për opinionin shqiptar. Është krijuar një tymnajë e madhe, vetëm nga një frazë që ka thënë ministri grek, Kotzias, për 12 miljet detare. Ka një moskuptim të habitshëm jo vetëm nga njerëzit e zakonshëm, por edhe nga njerëz që janë të politikës. Duhet të kuptojmë që është bërë një punë goxha e madhe qe ne të ulemi në tavolinë, jo për negociata, por për të bërë një përafrim për të filluar negociatat. Sepse për të filluar negociatat, duhet një ekip negociator me plotfuqinë e Presidentit dhe më pas, nis “lufta” në tavolinën diplomatike.

Por pala shqiptare ka qenë hermetike në lidhje me këtë marrëveshje. E keni vënë re edhe ju këtë fakt?

Këtë gjë edhe unë e kam shqetësim. Përse u desh të dilte Kryeministri, kur që në fillim, në momentin që doli ministri grek, duhej të dilnin një pjesë e ekspertëve të qartësonin opinionin. Duke u futur në thelbin e problemit. Ministri i Jashtëm grek nuk ka folur për shtrirje të hapësirave detare deri në 12 milje, por ka folur për një term, që ia ka dhënë e drejta ndërkombëtarë. 12 milje janë pranuar që në vitin 1982 për të dy krahët. Opinioni shqiptar duhet të kuptojë që 12 milje janë deti territorial, që është njëlloj si hapësira tokë- sore. Pra, kur prek 12 miljet, tregon që ke prekur sovranitetin e shtetit tjetër. Këto të drejta i kanë të dy palët. Problemi kryesor janë hapësirat ekonomike ekskluzive. Ne kemi hapësira ekonomike ekskluzive vetëm në hapësirën e Otrantos.

Ta sqarojmë pak këtë, deti në Otranto midis tre shteteve, Shqipëri, Itali dhe Greqi…

Të përfytyrojmë një pikë treshe, e cila do jetë në ngushticën e Otrantos. Sipas konceptimit që i ka bërë marrëveshja e parë, që tani është zero, sikur të merrnim një kompas, ta vendosnim në pikën e mesit dhe do preket bregdeti i Otrantos, Karaburuni në krahun tjetër, ndërsa në palën greke preket ishulli Othonoi. Kjo është zgjidhja më e keqe. Shteti shqiptar këtu u dëmtua në një hapësirë, që është mbi 220 km katrorë. Kjo është nyja gordiane. Kjo është pika që negociatorët e ardhshëm të Shqipërisë dhe Greqisë do të ngelen dhe do të diskutojnë për një kohë të gjatë.


Loading…


Ky është problemi kryesor se si do të zgjidhet kjo çështje. Kjo çështje, me Italinë është zgjidhur në këtë mënyrë. Italia ka nënshkruar marrëveshje me Greqinë që në vitin 1977 dhe ka bërë një zgjedhje, që është një shembulli shumë i mirë për zgjedhjen që do të bëjmë ne me Greqinë. Ata nuk i kanë dhënë një hapësirë të njëjtë detare ishullit, siç merr kontinenti. Dheu kontinental zotëron detin, nuk mund të zotërojë një ishull. Një ishull merr aq sa i takon. Sepse ka një tezë tjetër, që është ai i proporcionalitetit, i cili, në varësi të vijës bregore që ke, vendos edhe për detin që do të marrësh. Ky është diskutimi i rëndësishëm, të cilin ne nuk po e prekim.

Ne jemi përballë një arkipelagu. Greqia nuk është arkipelag, por Korfuzi, me bashkësinë e ishujve të tjerë dhe shkëmbinjtë që janë brenda tij, është arkipelag. Si ka mundësi që ishujt të marrin aq det sa marrin edhe hapësirat kontinentale të Shqipërisë. Shkëmbi Barketa është “Thembra e Akilit”. Kryeministri tha se kompasi nuk do të vendoset më në Barketa. Kjo është shumë gjë e madhe. Nëse grekët do të pranojnë që kompasi nuk do të vendoset më atje, kjo është një gjë shumë e madhe dhe të dyja palët, në mënyrë paqësore, do të ulen për të bërë një gjë të mirë dhe harmonike mes dy vendeve.