Ku e ndjeva unë si farmaciste se korona mbante erë – dhe nuk ishte erë e mirë

0
758
Adela Radovani

Adela Radovani

Vala e parë e panikut nisi në mes-shkurt. Italia nisi të ziente dhe deri në brigjet tona u përplas vala e dëshirës së ethshme për maska. Në këtë pikë të kohës, askush nuk interesohej për doreza, kishim mjaft në magazina dhe mjaft edhe në farmaci, me çmimet e zakonta, 450 e 500 për ato me pudër, dhe 600 ose 700 për ato pa pudër ose nitrilet. Ndërkohë dora e parë e maskave u shit e gjitha për dy ditë. Furnitorët raportonin se i kishin kthyer në Kinë, a me dëshirë, a të shitura apo të kërkuara nga prodhuesit atje, nuk dihej. Kishte mungesa maskash, kjo ishte ideja. Ndërkohë lumë rridhnin emigrantët ose banorë tashmë rezidentë në Itali, të trembur, me rrobat e trupit, me ose pa reverva të barnave të përditshme. Familjarët i hapën shtëpitë atyre që i kishin shitur tashmë, ja nja dy javë, sa të mbarojë kjo, dhe tash… Sa u bë? Na ka humbur numërimi.

Tre ditë para se të shpallej gjendja e jashtëzakonshme, nga autoritetet morëm sinjale të ndryshme. Infodermi, gjendje e rrezikshme, luftë me armikun e padukshëm, mbyllje njëherë e mirë e të gjitha dyqaneve. Po, masat e para ishin të mbyllej çdo gjë në orën 1 të drekës. Njerëzit kërkonin maska, çmimet e të cilave u rritën deri në 10-fish, pastaj si u dëgjuan lajme se vitamina C dhe D bëjnë mirë, na zbrazën depot edhe nga ato. Imagjinoni një vajzë të re që punon farmaciste dhe që e di, vitaminat nuk kanë pothuaj asnjë rol në mbarëvajtjen e një infeksioni viral. Faktorët që ndikojnë janë të tjerë dhe nuk mund të riparosh dëme ushqimore, fizike dhe deficienca të tjera me një vitaminë në dozë gjigande. Shumica e këtyre vitaminave në doza kaq të mëdha, ose ekskretohen pa u përdorur kurrë, ose grumbullohen në inde adipoze dhe mëlçi, për t’u përdorur një moment të dytë. Po virusi, ku hyn këtu?

Tre ditë para gjendjes së jashtëzakonshme, unë kam pritur pa asnjë masë mbrojtëse, pa asnjë distancë shtesë, me dhjetëra emigrantë ose rezidentë italianë të sapoardhur, në panik, të mërzitur, që pyesnin dhe blinin barnat e tyre. Me minuta të tëra kam shpjeguar ndryshimet me analoget në Itali, efektet e mundshme të ndryshme me ato që gjenden këtu (sigurisht më të dobëta) dhe në fund të asaj jave, pas një pune sfilitëse, në fillim pa maskë e pastaj me maskë, duke dezinfektuar si budalla siperfaqet, më ra një grip i cili më trembi. Kollë e thatë, temperaturë, dhimbje koke, lodhje dhe me raste, edhe ndonjë therje mushkërie. Simptomat zgjatën tre javë. Dy telefonata në 127 më treguan se nuk do testohesha kurrë. Në mes të javës së dytë, zbulova se një klient dhe banor i lagjes ku punoj, vdiq, supozohet, nga Coronavirus Sars 2. Në këtë pikë të historisë unë e dija, ose gjërat nuk janë aq serioze sa deklarohen, ose po luajnë me vdekjen e gjithësecilit.

Fashat orare dhe dyndjet e tre javëve të para të karantinës, ishin mjaftueshëm të forta sa për të shpërndarë çdo lloj virusi në popullatë. Maskat prekeshin me duar nga mbajtja e stëzgjatur, doreza zhul të punonjësve, klientëve të ngjallnin ankth vetëm kur i shikoje, disa të çara, ku pisllëku hynte brenda. Kush kishte qenë pis para karantinës, u bë edhe më i pisët, njerëzit edhe pse nuk përqafoheshin më si më para, dukeshin sikur zhgërryheshin në pisllëk nga përdorimi i latexit, pambukut kirugjikal dhe dezinfektantëve xhel, që e përzienin dheun në duar dhe e bënin ngjitës.

Shoqëria u polarizua, ne dhe ata: ne të pastër, të kujdesshëm, që respektojmë oraret, ata të papërgjegjshëm, fshatarë dhe të ndyrë. Policia doli në rrugë, ushtria e armatosur dhe me makina blind dhe bashkia me makina me artopolantë që deklaronin, QYTETARË, FUTUNI BRENDA, të gjithë duke terrorizuar me gjoba të cilat më pas u hoqën, duke hequr patenta që më pas u kthyen, dhe duke thelluar armiqësinë midis shtetit dhe këtyre “ne” që respektonin rregullat. Shumë farmacistë më thonë që ndaloheshin për të dhënë shpjegime se ku po shkonin (në punë) dhe për çfarë arsye (për të hapur farmacinë).

Në javën e tretë të gripit tim të pazakontë, partnerit tim i nisën simptoma të ngjashme, përfshirë dhe marrje fryme. 127 sërish nuk kishte ndonjë ide më të mirë, e ishte e qartë se askush nuk do testohej, pa qenë në grahma të fundit ose me insistimin e fortë e nën kërcënime. A ishte panik, sars apo grip ajo që u përjetua në shtëpinë tonë, thashë, ne nuk do e dimë kurrë. Në shtëpi u krijua polarizimi, unë dhe ai, unë që solla virusin dhe në gjendje shëndetësore më të mirë si dhe në moshë më të re, dhe ai që nuk kishte dalë kurrë nga shtëpia dhe me mushkëri më të dobëta.

Krizat e përditshme emocionale, stresi dhe sherret, duhet të kenë qenë të ngjashme me ato të shumë farmacistëve të tjerë, mjekë e infermierë, të cilët, u izoluan në shtëpitë e tyre pa u lejuar nga vetja e familjarët që të kenë fëmijët e tyre pranë. Diku në rrjete sociale, kur po sqaroja nevojën time personale për testim, si nevojë për të jetuar normalisht, për të takuar prindërit e mi, hasa në një shpullë ofendimesh. Pse, më pyetën, çfarë do të të bëjë tamponi, ti mund të dalësh më vonë pozitive. Pse e do testin serologjik, rëndësi ka të mos infektosh njeri. Qëllimi sikur ishte flatten the curve, jo të zhdukim virusin. Sikur nuk ka kurë… në këto kohëra zbulova se miq virtualë, nuk kisha pothuaj asnjë.

Si unë, dëgjoj me dhjetëra klientë e pacientë që kanë pasur simptoma të ngjashme dhe kurrë nuk pranoi askush t’i testonte. Dy javë më parë isha e bindur, nëse testohet kaq pak, nëse nuk ka asnjë dëshirë për të ditur gjendjen reale të virusit në vend, kjo tregon vetëm një gjë. Historia mban erë dhe nuk është erë e mirë. Është era mashtrim, keqmenaxhim apo infantilizëm, s’di të them. Por virusi nuk hyri në 10 mars me avion e me këmbët e veta. Virusi nuk pagoi 40 euro taksë të Rinasit dhe nuk vajti dhe u shtrua te do familjarë të vet, për pak javë. Virusi nuk hyri një ditë dhe nuk u shpërnda nga pacienti 0, as nga pacienti 1. Por dokrrat që na shiten, fatkeqsisht edhe hahen.

Në fund di të them që historia e koronës mban erë. Po se çfarë ere është kjo, do na e tregojë jo koha, së cilës nuk i kam më besim, por ata të guximshëm që do kenë mjaftueshëm përgjegjësi, për të na treguar të vërtetat.