Ku e gjejnë guximin këta njerëz?

0
950

Dionis Xhafa

Në Korçë, një burrë kreu një akt tepër të rëndë. Ai vrau dy fëmijët e tij, i vari dhe më tej ka vrarë edhe veten. Burri në qytetin juglindor e kishte ndërmarrë aktin ekstrem, pasi sipas tij, bashkëshortja 24 vjeçe e kishte lënë “udhën e Zotit” dhe se kishte ikur në Greqi, ku punonte natën në një klub. Burri e ka kryer këtë krim nën kushtet e rënda të depresionit, ndërsa ka shënuar në letër se kishte vrarë fëmijët dhe veten, pasi kishte dyshime edhe se bashkëshortja e tradhtonte.

Kurse në Fier, burri hodhi nga dritarja bashkëshorten, fill pasi ata ishin kthyer nga Gjermania, ku iu ishte refuzuar azili politik. Burri në Fier kishte “luftuar” me gruan e tij për tri minuta në tualetin e shtëpisë, gruaja ishte kacavjerrë me qëllim që të mos binte në tokë dhe të vdiste, por se nuk ia kishte dalë dot. Por çfarë janë këto raste? Si e ka marrë guximin ai njeri në Korçë që të vrasë dy vogëlushë krejt pa faj dhe më pas edhe veten? Ç’bëhet kështu? Si kanë “ikur” këta njerëz?

Në fakt, të gjitha këto krime makabre në shoqërinë shqiptare ndodhin vetëm për shkak të ekonomisë. Kapitalizmi i skajshëm është fajtor për këto ngjarje të rënda. Siç kanë thënë shumë më herët se sot: “Varfëria është nëna e krimit”. Dhe, pikërisht vrasjet dhe këto ngjarje monstruoze ndodhin pikërisht prej varfërisë. Njerëzit, për shkak se i ka mbytur varfëria ç’nuk janë duke bërë. Kam dëgjuar unë vetë më veshët e mi dy djem duke folur me njëri-tjetrin se ku të gjenin një vend ku të rrinin në Gjermani, të mund të iknin atje me vrap, për shkak se këtu nuk kishin shpresa. E, pra shqiptarët janë mbyllur mes vetes dhe se flasin problemet brenda një rrethi të ngushtë njerëzish. Në këtë mënyrë, njerëzit janë shumë të zemëruar, por se disa arrijnë të kryejnë edhe akte ekstreme, për shkak se e mbajnë të keqen nga brenda dhe në fund e “shpërthejnë” atë.

Gjithashtu, për shkak të varfërisë, siç e ka vënë në dukje Migjeni, degradojnë edhe vlerat morale të shoqërisë. Për shkak të varfërisë gruaja në Korçë mund të ketë shitur edhe trupin dhe se kjo ka shkaktuar edhe gjendjen e rëndë të bashkëshortit, që i dha fund jetës, duke ndëshkuar krejt pa faj edhe dy fëmijë. Familja shqiptare është në krizë të thellë të identitetit. Është goditur boshti i saj. Është rrënuar morali shoqëror. Është shtrembëruar e drejta, vlera, morali, harmonia, për shkak të kohës që jetojmë. Të arrish deri në esktremitete të tilla, do të thotë të vuash thellë, deri në palcë, varfërinë e skajshme të këtij vendi të shkretuar. Shqiptarët tashmë gjenden në “botën e çoroditjes së madhe”, të trazuar, si zogu kur goditet me gurë.