KU BANON ATËHERË ZOTI?! NDËRRIM DESTINACIONI APO?!

0
699

AV. XHABIR ZEJNUNI

Enver Hoxha në vitin 1967, me metoda “jo ortodokse”, rrënoi apo shndërroi në objekte kulturore të gjitha objektet e kultit fetar të asaj kohe në Shqipëri. Pasojat dihen(…)!

Dje (30 nëntor) në kishën e Shën Kollit në Shkodër, me rastin e 10 vjetorit të shugurimit të saj, u kremtua mesha e shenjtë. I pranishëm, ishte edhe Nunci Apostolik në Shqipëri, Monsignor Charles John Brown, i cili ndër të tjera tha se “Kishën nuk duhet ta shohim vetëm si ndërtesë por të jemi edhe në brendësi të saj”.

Ndërsa Arqipeshkvi i Shkodrës, Imzot Angelo Massafra, saktësoi më tej se “Gjatë të dielave numri i atyre që shkojnë në kishë është duke u pakësuar”. Ai bëri një thirrje për adoleshentët dhe të rinjtë që “Të marrin pjesë në meshën e shenjtë të së dielës”.

Përveç metodave “jo ortodokse” në zgjidhjen e problemeve, janë edhe ato “ortodoke”(…)!
Në Kuvendin që po mbahet në datat 29-30 nëntor në Universitetin Pontifik Gregorian të Vatikanit, me titull “Zoti nuk banon më këtu? Heqja dorë nga objektet e kultit dhe menaxhimi integral i sendeve kulturore ekleziastike”, në një mesazh që Papa Bergoglio i dërgon pjesëmarrësve, ai thekson disa koncepte, të cilat ja vlen që të merren në konsideratë, për ndikimin që ato mund të kenë për Kishën Katolike dhe për besimtarët katolikë. Dhe jo vetëm kaq!

Vetë titulli i këtij Kuvendi, është një mesazh shumë i qartë për ecurinë e Kishës katolikë. Pasi nëse “Zoti nuk banon më këtu (pra në Kishë)?”, atëherë ku e ka ai banesën e tij?!

Papa Bergoglio në mesazhin e tij, thekson se “Kisha Katolike nuk duhet të konstatojë me ANKTH se shumë kisha deri para pak kohësh të nevojshme, tashmë nuk janë më të tilla, për mungesë besimtarësh, klerikësh, ose për një shpëndarje të ndryshme të popullsisë nëpër qytetë apo zona rurale”.

Arsyen se përse Kishës Katolike po i “shterojnë” besimtarët dhe klerikët, ose po bëhen më pak pagëzime, duhet ta shpjegojë vetë Papa Bergoglio dhe jo të mjaftohet vetëm me një konstatim sipërfaqësor. Klerikët nëse mungojnë, nuk ka problem, pasi ata mund të jenë edhe të “jashtëm”, ashtu siç janë klerikët tek besimet e tjera katolike (si valdezët evangjelikë), pra persona që bëjnë një punë tjetër, por edhe që angazhohen në ritualet fetare pas orarit të punës! Ndërsa arsyetimi se kemi “Shpëndarje të ndryshme të popullsisë nëpër qytetë apo zona rurale”, mund të qëndrojë, por nuk përbën një justifikim për të deklaruar panevojshmërinë e kishave. Kështu, nëse një individ apo grup individësh spostohet nga qyteti X drejtë qytetit Y, po ashtu ndodh edhe anasjellta, ose spostimi nga qyteti Y drejtë qytetit X. Ndryshe është rasti kur kemi braktisje totale të një zone, të cilën fatmirësisht Papa Bergoglio nuk e përmend. Sot, në Itali ka rreth 100 mijë kisha (65 mijë në pronësi të Kishës Katolike dhe 35 mijë të tjera në pronësi të privatëve, Shtetit apo komunave).

Papa Bergoglio thekson se “Ndërrimi i destinacionit nuk duhet të jetë e vetmja zgjidhje dhe të jetë një skandal për besimtarët”, por duke kujtuar se ”Mësimi i vazhdueshëm ekleziastik edhe pse rrënjos detyrimin e ruajtjes së të mirave të Kishës Katolike, dhe veçanërisht atyre kulturore” ai deklaron se “Ato nuk kanë vlerë absolute, por në rast nevoje duhet të shërbejnë në të mirë të pjesës më të madhe të njerëzimit dhe veçanërisht, të varfërve”.

Të ndërrosh destinacionin e një kishe, do thotë që në radhë të parë ta shkrishtërizosh atë. Pasi qëllimi kryesor i Kishës Katolike është shpërndarja e fjalës së Krishtit në popull. Tani, edhe Papa Bergoglio e pohon se besimtarë ka akoma përderisa e thekson se ndërrimi i destinacionit të vendeve të kultit, “Mund të përbëjë skandal për besimtarët”. Dihet pastaj se objektet e kultit, kanë më parë vlerë ekleziastike dhe më pas kanë vlerë kulturore. Kështu, një besimtar hyn në kishë për t’ju falur Zotit, por njëkohësisht admiron edhe veprat që ndodhen në kishë, të cilat në radhë të parë përcjellin mesazhe fetare dhe më pas kulturore.

Mbase një vepër kulturore mund të mos ketë vlerë kulturore absolute. Por, kur relativizon mesazhin hyjnor të një kishe, atëherë ven në diskutim dhe në dyshim besimin në Zot të besimtarëve. Nuk kuptohet edhe se çfarë të mire i sillka njerëzimit ndërrimi i destinacionit të një vendi kulti. Cila qenka ajo “nevojë”, e cila sjell që objektet e kultit duke ndërruar destinacionin e tyre, mund (apo duhet) t’ju shërbejnë të varfërve, kur të varfërit janë gjithmonë në gjendje nevoje. Pse atëherë në rast “nevoje” duhet të vihen në shërbim të të varfërve objektet e kultit dhe jo hotelet e panumërta të Vatikanit? Një i varfër, në radhë të parë mendon si të mbushë barkun e tij me bukë dhe të gjejë një strehë ku të flejë. Dhe më pas, mbase ai mendon që të dëfrehet, apo të admirojë një vepër arti.

Bën çudi shtrimi i një diskutimi të tillë, kur shikon se vendet dhe objektet kulturore të natyrës jo ekleziastike nuk mungojnë në Itali, por që nga ana tjetër edhe ato vuajnë nga mos frekuentimi i personave. Pse u dashka atëherë që këtyre vendeve kulturore jo ekleziastike t’ju shtohen edhe vende të tjera kulturore me vlere ekleziastike, duke i denatyralizuar nga ana tjetër ato nga funksoni i tyre kryesor? Papa Bergoglio nuk na ofron zgjidhje të tjera të këtij problem në alternativë të “ndërrimit të destinacionit”!
Më pas, Papa Bergoglio shpreh besimin se “Ndjenja e të përbashkëtës mbi të gjitha percepton për mjediset dhe sendet që i përkasin kultit qëndrueshmërinë e një lloj VULE, e cila nuk ezaurohet edhe pasi ato të kenë humbur një destinacion të tillë”.

Që do thotë se pasi të shndërrohet një kishë në një diskotekë, bibliotekë, apo klub, ku të dëfrehen një grup personash, që ata të kujtohen pastaj se po dëfrehen në një kishë dhe më pas (pse jo) meqë janë aty të thërrasin edhe priftin për një meshë. Një rrugë e dy punë.

Papa Bergoglio i mëshon faktit se “Sendet kulturore ekleziastike janë dëshmitarë të besimit të komunitetit që i ka prodhuar në shekuj”.
Bën shumë çudi fakti kur Papa Bergoglio përdor togfjalëshin “Sendet kulturore ekleziastike”, duke “ngatërruar” hierarkinë e termave, pasi ai vendos më parë “kulturore” dhe më pas “ekleziastike”, kur dihet se kishat më parë kanë karakter ekleziastik dhe më pas (mbase) edhe kulturor.
Papa Bergoglio sqaron se “Kur të bëhet e nevojshme, duhet të futet kohë pas kohe në programin pastoral (bëhet fjalë për ndërrimin e destinacionit), një informacion i nevojshëm paraprak dhe të rezultojë sa më shumë i pranueshëm ai”.

Në këtë rast, sipas Papës Bergoglio u dashka bërë një punë bindëse parapraka gju më gju dhe shtëpi më shtëpi për të bindur besimtarët që ata të pranojnë ndërrimin e destinacionit të objekteve të kultit në objekte kulturore, si diskoteka, biblioteka, etj. Dhe më vonë pse jo, edhe në piceri, bare apo klube!

Supozohet se Papa Bergoglio i referohet kishave të vogla, që janë kudo në Itali dhe jo atyre të famshme, si Kisha e Shën Pjetrit në Vatikan, Duomo në Milano, Duomo në Firence, Kisha e Shënn Markut dhe Kisha e Frarëve në Venecia, etj.!

Duke parë angazhimin e madh që po merr Papa Bergoglio ndaj shtresave më të varfëra, a nuk do ishte më mirë që ai të merrte në konsideratë edhe shndërrimin e qindra mijëra hoteleve në pronësi të Vatikanit në objekte kulturore dhe banesa për të varfërit? Ndërsa financimi i tyre le të bëhet edhe nga fondi i pasur i Vatikanit!

Mesazhin e tij, Papa Bergoglio e mbyll duke thënë se “Edhe ndërtimi i një kishe, ose destinacioni i ri nuk janë operacione të trajtueshme nën profilin teknik apo ekonomik, por duhen vlerësuar sipas shpirtit të profecisë”.

Në fakt, qëllimi i parë dhe kryesor i një kishe, është ai ekleziastik dhe më pasi ai ekonomiko-teknik.
Në mesazhin e Papës Bergoglio, mungoi vetëm thirrja që “Kishat e panumërta në Itali të shndërrohen edhe në xhamija” në rast nevoje! Mbase do i vijë koha më vonë edhe kësaj deklarate!

Besoj se Papa Bergoglio e din shumë mirë se ekzistenca e Kishës Katolike si INSTITUCION në përgjithësi dhe i Vatikanit në veçanti, i dedikohet në radhë të parë ekzistencës së besimtarëve katolikë dhe besimit të tyre në Zot.
Vetë pikëpyetja pas shprehjes “Zoti nuk banon këtu”?, e len akoma një shpresë që situata të mos precipitojë në një rrugë pa kthim(….)!
Amen.