Dr. Islam LAUKA*
Që sot, me ratifikimin e Marrëveshjes së Kufirit, midis Kosovës dhe Malit të Zi, Qafa e Çakorrit, Belluha dhe Kulla nuk janë as nuk do të jenë më pjesë e Kosovës, as e trojeve tona amtare. Ato do t’i kalojnë fqinjit tonë, Malit të Zi, i cili, historikisht, e ka dy-trefishuar territorin e tij, në dëm të shqiptarëve. Deklarata Thaçi – Vujanoviç, e sajuar për të shërbyer si gjethe fiku për mbulimin e lakuriqësisë së krimit për tjetërsimin antikushtetues të territorit shtetëror, nëpërmjet marrëveshjes se nënshkruar nga Hashim Thaçi me 26 gusht 2015, si dhe të braktisjes së kauzës së mbrojtjes së tij nga Ramush Haradinaj, sot e mbylli “misionin” e saj.
Deputetët e Kuvendit të Kosovës, disa të mashtruar, të tjerë të vetëmashtruar; disa zgjuar, të tjerë në kokërr të gjumit (duket, të lodhur nga pija, mbase, nga jeta e natës apo arsye të tjera që mund të jenë të gjithfarshme, por jo të lidhura me shqetësimet e mëdha të vendit dhe të zgjedhësve që përfaqësojnë); disa me vullnet të lirë, të tjerë nën presion; disa, për shkak të bindjeve, të tjerë, të blerë, pas një numri përpjekjesh të dështuara arritën që me votat e tyre të sigurojnë shumicën e cilësuar për ratifikimin e marrëveshjes. Me siguri, për të mbetur në histori, edhe të fikur, edhe të koritur.
“Argumentet” bazë të mbështetësve të ratifikimit, ashtu si më parë, edhe në seancën e sotme të Kuvendit ishin këto: ratifikimi është në interes të Kosovës, sepse, midis të tjerash, i hap rrugë liberalizimit të vizave. Ai kërkohet nga aleatët tanë strategjikë. Ne duhet të jemi konstruktivë dhe mirënjohës ndaj tyre. Ne nuk mund të dalim kundër atyre që na kanë mbështetur në çdo hap të rrugës tonë drejt lirisë dhe pavarësisë.
“Argumenti” i parë, logjikisht, nuk qëndron, sepse nuk mund të jetë në favor të vendit, një vendim që i shkëput atij pjesë të territorit të vet. Liberalizimi i vizave, edhe sikur të ndodhte menjëherë pas ratifikimit, gjë që është shumë e dyshimtë, sado që është i mirëpritur, nuk i zgjidh problemet e rënda me te cilat ballafaqohet Kosova. Udhëtim i lirë nuk do të thotë edhe mundësi punësimi. Shqiptarët e Kosovës nuk po vuajnë për të parë kullën Eifel, por për punë.
Sa i takon “argumentit” të dytë: është e vërtetë që në rrugën tonë drejt lirisë dhe pavarësisë kemi pasur ndihmën e miqve dhe aleatëve tanë strategjikë. Pa ndihmën e tyre nuk do të kishim këtë Kosovë që kemi sot. Për këtë u jemi mirënjohës përjetë. Por, Hashim Thaçi dhe Ramush Haradinaj, si drejtues të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës e dinë edhe ndonjë të vërtetë tjetër, si për shembull, shpalljen, nga ana e SHBA-së të UÇK-së si organizatë terroriste, në fillim të vitit 1998. Po të ishte dëgjuar në ate moment aleati ynë, do të duhej të shkatërrohej UÇK dhe bashkë me të t’i vihej vizë edhe lirisë së Kosovës. Historia, tashmë dihet. Ushtria Çlirimtare e Kosovës nuk u shkurajua por vazhdoi luftën, heroikisht, duke i treguar mbarë botës që shqiptarët janë gati të vdesin për lirinë e tyre. Nuk kaloi shumë kohë dhe Uashingtoni ndryshoi qëndrimin e tij ndaj UÇK-së, duke e konsideruar si aleaten e vet kundër regjimit shtypës të Millosheviçit.
Hashim Thaçi dhe Ramush Haradinaj e kujtojnë mirë edhe ndërhyrjen e NATO-s, e cila nuk u bë për pavarësimin e Kosovës, por për parandalimin e katastrofës humanitare që Milosheviçi kishte planifikuar kundër shqiptarëve. Në vitet e para pas luftës, aleatët tanë strategjikë nuk e kishin kurrkund në axhendën e tyre pavarësimin e Kosovës. Vendosmëria jonë për të mos pranuar kurrëfarë kthimi prapa, asnjelloj bashkëjetese me Serbinë, natyrisht, me mbështjetjen e aleatëve tanë, bëri të mundur shpalljen e pavarsisë së Kosovës, me 17 shkurt 2008. Një rast tjetër, nga Shqipëria: Po të kishte dëgjuar Tirana aleatët strategjikë, në vitin 2013, sot vendi do të ishte i mbushur me armë kimike, të prodhimit rus, të cilave do t’ua kishte parë sherrin, jo vetëm Shqipëria, por edhe Kosova e gjithë rajoni i Ballkanit, jo vetëm brezat e tanishëm por edhe ata të ardhshëm.
Nuk e kanë thënë shqiptarët, por një personalitet i njohur perëndimor, jo sot, por para më shumë se 150 vjetësh, ish-Kryeministri britanik Palmerston, se në marrëdhëniet midis shteteve nuk ka aleatë as miq të përjetshëm, por interesa të përjetshme. Dakord, sot flitet edhe për vlera, por në radhë të parë, për çdo shtet qëndrojnë interesat. Këtë duhet ta kuptojmë më mirë në shqiptarët. Në këtë kontekst, në do të duhej të guxonim më shumë dhe të argumentonim para miqve dhe aleatëve tanë strategjikë, se, në rast të ratifikimit të marrëveshjes me Malin e Zi, Kosova humbet territor, gjë që dëmton rëndë interesat tona si shtet. Çfarë gjëme i ka gjetur shtetet e tjera ballkanike që pothuaj të gjitha e kanë të pazgjidhur problemin e shënjimit (demarkimit) të kufirit me fqinjët?
Duket se etja për pushtet ua ka errësuar sytë dhe topitur mendjen ish- komandtëve të luftës, Hashim Thaçi dhe Ramush Haradinaj dhe për ta ruajtur atë të paprekuar janë gati të shkelin mbi amanetin e shkokëve të luftës dhe të të parëve që u sakrifikuan për mbrojtjen e këtyre trojeve që na i lanë trashëgim.
Tjetërsimi antikushtetues i territorit të Kosovës në favor të Malit të Zi, është hallka e fundit në zinxhirin e gjatë të transformimit të gjeneralëve, heronj të luftës, në ushtarë bashibozukë, gjatë dhjetë vjetëve të paqes, pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës.
Nënshkrimi nga Hashim Thaçi i Marrëveshjes së Kufirit me Malin e Zi, me 26 gusht 2015, në kundërshtim me rezolutën e Kuvendit të Kosovës, date 25 qershor 2015, sipas së cilës, vija kufitare me këtë vend do të duhej të ndiqte kufirin administrativ; mosraportimi i tij në Kuvend, para se të bëhej nenshkrimi i kësaj marrëveshjeje; nënshkrimi i Marrëveshjes për krijimin e Asociacionit për Komunat me Shumicë Serbe (prill 2013), në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës; shpenzimi i fondeve publike për lobim personal; shkarkimi, nga Ramush Haradinaj i bordeve të institucioneve publike, me motive politike (verpim që çoi në përjashtimin e Kosovës nga Regjistri Europian i Sigurimit të Cilësisë në Arsimin e Lartë); rritja e rrogave për qeveritarët, në konflikt të hapur interesi, në kushtet kur në vend mbizotëron varfëria ekstreme; falja arbitrare e borxheve të ambalazhuesve të ujit; përpjekjet antikushtetuese të Hashim Thaçit dhe Ramush Haradinajt për të shfuqizuar Gjykatën Speciale, të miratuar nga të dy ata, në vitin 2015, mbi bazën e ndryshimeve përkatëse kushtetuese dhe të vendimit të Kuvendit të Kosovës me 2/3 e votave, etj. dëshmojnë që komandatët e luftës çlirimtare, Hashim Thaçi dhe Ramush Haradinaj, veç etjes për pushtet, kanë probleme serioze edhe me vendimmarrjen politike.
Në kohë paqeje ata vazhdojnë të mbeten peng të metodave drejtuese të luftës guerile, kur, për shkak të rrethanave specifike, autoriteti politik përqëndrohet në dorë të një njeriu të vetëm dhe nuk përfillen norma e parime të tilla demokratike si, konsensusi, llogaridhënia, sundimi i ligit, ndarja e pushteteve, sistemi i kontrolleve dhe ekuilibrave.
Shfaqje e mbetjes peng ndaj metodave të luftës guerile, midis të tjerash, janë përgjigjet që Ramush Haradinaj ka dhënë në disa intervista të kohëve të fundit, lidhur me vendimmarrjen për çështje të rendësishme me interes publik: “Vendosa kështu për qef”, ose “E mora këtë vendim se kështu m’u tek”. Me një mentalitet të tillë, nuk mund të përballohen sfidat komplekse, të karakterit gjeopolitik, gjeostrategjik dhe gjeoekonomik, me te cilat ballafaqohet sot Kosova. As nuk mund të shënohet kurrfarë përparimi në rrugën e integrimeve të saj euro-atlantike. As nuk mund t’u jepet zgjidhje halleve e shqetësimeve për nevojat më elementare të qytetarëve (punë, sigurime shëndetësore, energji, mjedis i pastër). Mjafton të thuhet që, si pasojë e politikave të gabuara, shpesh, mujshare dhe zhvatëse, karakteristikë e forcave bashibozuke, Kosova po kthehet në një vend të pabanueshëm. Që nga shpallja e pavarësisë, 11% e popullsisë së saj, ose rreth 200 mijë vetë, kanë kërkuar strehim në vendet perëndimore.
Kur udhëheqësit politikë nuk përballojnë detyrat themelore që ua dikton posti dhe kushtetuta, si mbrojtja e territorit shtetëror, ngritja e mirëqënies së popullit, ruajtja e mjedisit, etj., përse u dashkërka që ata të mumifikohen, përjetësisht, në kolltukun e pushtetit?
Në gjykimin tim, potenciali krijues i Hashim Thaçit dhe Ramush Haradinajt, në dobi të Kosovës, ka shteruar dhe, aktualisht, ata janë kthyer në pengesë për zhvillimin e Kosovës. Në këtë kuadër, zgjidhja më e mirë do të ishte dorëheqja e tyre, në të kundërt, populli e ka të drejtën e vet legjitime që, duke shfrytëzuar të gjitha mundësitë dhe mjetet demokratike t’i detyrojë ata të largohen nga pushteti, për t’ua lënë vendin forcave të tjera politike, më të afta, më të përgjegjshme dhe më krijuese.
*) Dr. Islam Lauka, ish ambasadori i parë i Shqipërisë në shtetin e ri të Kosovës
Dërgoi për publikim, Ramiz Lushaj, gazetar
I nderuari analfabet Islam Al Lauka,
Hashimi dhe Ramushi jane analfabet sikur ti.
Por kufiri ndermjet Kosoves dhe malit te zi eshte percaktuar nga shkavellet ne vitet 1929 dhe 1974. Prandaj aty nuk ka qka te diskutohet sepse kete kufi e ka bere forca shkavelle ne kete periode. Poashtu ne kete periode kufirin e Shqiperise e ka percaktuar forca shkavelle e cila ia mori Shqiperise Kosoven, Malin e Zi… gjysmen, dhe e Maqedonise… edhe luginen e Presheves te cilat ishin pjese e teritoreve historike Shqiptare… edhe plus Sangjakun e Novi Pazarit. Nese Shqiperia do te kishte apo nese sot ka force ajo mundet me i kthye keto teritore.
Ndersa antiamerikanizmi i juaj mbeshtetet ne qenefizmin e juaj islamokomunist, i cili eshte shpifes dhe i poshter…sepse deshira e juaj eshte qe Kosova te hyj ne konflikt me SHBA dhe te e humbe lirine dhe paveresine… sepse ju nuk e duroni dot nje shtet tjeter SHQIPTAR siq eshte Kosova saepse jeni pis islamikokomunist… tphuuuuu mmore mizevir me demek dimploma dr mr. …edhe Mengele ka qene doktor… edhe Hitleri, edhe shum pisa tjere kane qene dr mr. etj. Hesht more qenef islamokomunist.
Komentet janë mbyllur.