Nga Revista Drini – 27 Shtator 2018
Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës Lumir Abdixhiku, ka kritikuar ashpër ministrin e Jashtëm të Kosovës Behgjet Pacollin. Ky i fundit, gjatë ditës së djeshme, ka thënë se me serbët, shqiptarët nuk kanë pasur kurrë probleme.
E sipas deputetit të LDK-së, kjo është deklaratë e Pacollit, është dëm nacional dhe krejt e kundërta që duhet të bëjë diplomati i Kosovës.
Ai ia ka përmendur Pacollit dëmet e shkaktuara nga lufta e Serbisë në Kosovë, derisa atë e ka quajtur naiv.
“Ktheni këta të paditur prapa në Kosovë, se na morrën në qafë nëpër botë”, ka shkruar ai në një postim në Facebook, përcjell Bota sot.
Reagimi i plotë i Abdixhikut:
Çfarë trishtimi:
– 13,000 të vrarë;
– 1,700 të zhdukur;
– 200 varreza masive;
– 20,000 gra të dhunuara;
– 1 milionë qytetarë të dëbuar;
– 20 miliardë dëme ekonomike;
Dhe 1 ministër i jashtëm Kosove, që me mburrje thotë se “me serbët s’kemi pasur probleme kurrë”. Kjo s’është më veçse naivitet. Është përluje; është inferioritet. Është dëm nacional. Është krejt e kundërta, që një diplomat duhet të bëjë. Pa fjalë. Ktheni këta të paditur prapa në Kosovë, se na morrën në qafë nëpër botë. Së paku naivitetin e tyre e mbajmë veç këtu.